Prokuroria:Gërdeci, ja provat kundër Mediut
“Topi e Berisha s’e dinin për Gërdecin”
Duke iu referuar pretendimeve mediatike se Shërbimi Informativ Shtetëror, apo edhe Shërbimi Informativ Ushtarak kishin hartuar raporte paralajmëruese për rrezikun e Gërdecit, gazeta “Panorama” pyeti Prokuroren e Përgjithshme nëse ka ndonjë provë që tregon se, kreu i shtetit dhe ai i qeverisë, kishin dijeni për kushtet në të cilat demontoheshin predhat e municionet, vetëm 15 kilometër larg Tiranës. “Nuk ka asnjë provë”, ka qenë përgjigja e prerë e Prokurores së Përgjithshme. Ajo para se t’i përgjigjej pyetjes, kishte argumentuar se procesi i demontimit të fishekëve dhe predhave si dhe trajtimi i lëndëve ushtarake në Gërdec, ishte bërë jashtë rregullave ushtarake e ligjore dhe në shkelje të hapur të kushteve të sigurisë. Lidhur me hipotezat e hedhura më parë rreth bashkëpunimit të ish-drejtorit të MEICO, Ylli Pinari, si i pandehur i drejtësisë për të zbardhur tragjedinë dhe abuzimet e Gërdecit, kryeprokurorja Ina Rama, tha se: “Lidhur me tratativat e Prokurorisë me Ylli Pinarin mund të them se, kjo është çështje e hetimit”.
Dosja “Gërdeci”
Prokurorja e Përgjithshme doli në konferencë shtypi, bashkë me gjithë grupin e prokurorëve, që morën pjesë në hetimet për tragjedinë e Gërdecit. Përkrah vartësve të saj në konferencën e shtypit, Ina Rama tha se hetimi për këtë çështje është kryer në mënyrë të pavarur dhe jashtë presioneve politike. Ajo bëri publik faktin se i është drejtuar Kuvendit me kërkesë për heqjen e imunitetit të deputetit për ish-ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu, i cili sipas Ina Ramës, nga provat e mbledhura deri më tani, duhet t’i nënshtrohet hetimit penal. Në përgjigje të interesimit të medias lidhur me arrestimin e mundshëm të ish-ministrit të Mbrojtjes, në rast të heqjes së imunitetit, kryeprokurorja Rama tha se: “Kjo është një fazë që i përket hetimit të mëtejshëm”. “Të kërkosh arrestimin e një personi duhet që të ekzistojnë disa kushte dhe kritere sipas Kodit të Procedurës Penale”, vijoi më tej Prokurorja e Përgjithshme, e cila siguroi se në rast se, kjo do të jetë e nevojshme askush nuk do të përjashtohet. Drejtuesja e Prokurorisë shqiptare gjithashtu konfirmoi se, hetimet tashmë do të shtrohen edhe ndaj personave të tjerë dhe se askush nga të implikuarit nuk do të përjashtohet nga përgjegjësia penale për tragjedinë e Gërdecit.
Përjashtohet shpërthimi i qëllimshëm
Duke iu referuar hetimeve të zhvilluara për tragjedinë e Gërdecit, prokurorja e Përgjithshme konfirmoi pistën e publikuar pak ditë më parë në gazetën “Panorama”, se shpërthimi i qëllimshëm është përjashtuar nga versionet e hetimit. “Grupi hetimor ka konkluduar se zjarri është pasojë e shkeljes së rregullave që lidhen me administrimin e municioneve luftarake dhe demontimin e tyre”, tha Ina Rama. Ajo tha se, paralelisht me hetimet për tragjedinë e Gërdecit, Prokuroria është duke hetuar për kontratat që Ministria e Mbrojtjes ka lidhur me kompaninë amerikane AEY. Si pasojë e kësaj kontrate, sipas gazetës amerikane “The New York Times”, kompania e tenderuar nga Departamenti Amerikan i Mbrojtjes bleu fishekë kinezë nga ndërmarrja shqiptare MEICO, kur një veprim i tillë ishte në kundërshtim të legjislacionit amerikan.
Sfida e Mediut në asamblenë e PR: Tani duam një post në qeveri
Pak orë përpara se kryeprokurorja Ina Rama të bënte publike kërkesën për heqjen e imunitetit, ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu i ka kërkuar kryeministrit Berisha të rikthejë këtë parti në qeveri. Duke folur në mbledhjen e asamblesë së PR-së, kreu i republikanëve është shprehur se: “I kërkoj kësaj asambleje kombëtare që t’i delegojë autoritetin kryesisë për të negociuar me PD-në për pjesëmarrjen në qeverisje sa më shpejt”. Sipas kreut të republikanëve dorëheqja e dhënë dy ditë pas tragjedisë së Gërdecit në 15 mars, tregon se janë marrë përsipër përgjegjësitë politike. Ndërkohë përfshirjen e republikanëve në qeveri Mediu nuk e ka konsideruar aspak si dhuratë e PD-së për këtë forcë politike. “Unë mendoj se veprimi dhe dorëheqja ime është brenda atyre normave dhe parimeve republikane që ne kemi diskutuar sa herë. Të pranojmë përgjegjësitë politike, edhe kur nuk jemi përgjegjës drejtpërdrejtë në raport me ligjin. Por ka ardhur koha që PR të vlerësojë pozicionin e saj qeverisës, përndryshe jeta politike e PR-së nuk do të kishte kuptim, mbështetje në parlament dhe mospërfaqësim në ekzekutiv. Ne duhet të jemi në qeveri dhe të jemi në vendin që na takon, pa e konceptuar atë si dhuratë dhe këtë duhet t’ia bëjmë të qartë PD-së”, theksoi më tej Mediu. Kreu i republikanëve ka folur dje edhe për marrëveshjen me demokratët për zgjedhjen e ardhshme. Sipas Mediut, kjo marrëveshje nuk nënkupton futjen e lidershipit të PR-së në listat e PD-së, por vlerësimin e çdo partie në bazë të votave që do të marrë. “Nuk ka marrëveshje sikur vendoset lidershipi i PR-së në listat e PD-së, nuk ka marrëveshje seç mund t’i japë Partia Demokratike Partisë Republikane, por ka një marrëveshje që Partia Republikane dhe partitë e tjera, përfshi PD-në, të marrin përfaqësues në Kuvend sipas votave që do t’i japin qytetarët shqiptarë dhe ka një marrëveshje që duhet ta bëjmë sot me njeri tjetrin, një marrëveshje brenda vetes sonë, për të kuptuar që konkurrimi i ardhshëm politik është sa i vështirë dhe domethënës për PR-në”, theksoi më tej Mediu. a.sh
Shefi i SHISH në Prokurori para kërkesës për imunitetin e Mediut
TIRANE – Shefi i Shërbimit Informativ Kombëtar ka qëndruar dje në Prokurorinë e Përgjithshme për disa orë, para se organi i akuzës të dërgonte në Kuvend kërkesën për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu. Burimet zyrtare nuk konfirmuan ndonjë lidhje mes hetimeve për tragjedinë e Gërdecit dhe qëndrimit të drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Informativ në Prokurorinë e Përgjithshme. Në fakt, Shërbimi Sekret Shqiptar është përfshirë në hetimet për tragjedinë e Gërdecit, duke grumbulluar prova dhe informacione që kryesisht bënin fjalë për një version të qëllimshëm të ngjarjes. Një version i tillë tashmë është rrëzuar nga Prokuroria. Megjithatë që në orët e mëngjesit Prokuroria e Përgjithshme ishte angazhuar dje me hartimin e kërkesës për heqjen e imunitetit të Fatmir Mediut. Për realizimin e kësja kërkese Kryeprokurorja ka thirrur në një analizë të gjatë pune, të gjithë vartësit e saj, të cilët janë angazhuar me hetimin e tragjedisë. Pikërisht në këtë kohë ka qëndruar në Prokurorinë e Përgjithshme edhe titullari i Shërbimit Sekret, i cili më pas është larguar nga organi i akuzës rreth orës 12:03. tr.so
Ina Rama: Hetim penal per fatmir mediun, shkaktar i gerdecit
Prokuroria e Përgjithshme dërgoi dje në Kuvend kërkesën për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, i cili u largua nga kjo detyrë me dorëheqjen e tij, pak ditë pas tragjedisë së Gërdecit. “Hetimet kanë evidentuar të dhëna, të cilat krijojnë dyshimin se Mediu, me cilësinë e ish-ministrit të Mbrojtjes, ka kryer veprime dhe mosveprime që bien ndesh me aktet ligjore dhe nënligjore, duke shkaktuar një mospërmbushje të rregullit të detyrës së tij. Të gjitha këto, konstatohet se kanë lidhje me ngjarjen e Gërdecit”, tha kryeprokurorja Ina Rama, sipas të cilës: “Ka të dhëna se këto veprime dhe mosveprime janë bërë për përfitime të të padrejta të dy firmave private te përfshira në këtë proces”. Gazeta “Panorama”, publikon të plotë kërkesën që Prokuroria e Përgjithshme dërgoi dje në Kuvend për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes Mediu, aktualisht deputet i Partisë Republikane.
L ë n d a: Kërkohet autorizim për procedim penal ndaj deputetit z.Fatmir Mediu.
KUVENDIT TË SHQIPËRISË
T I R A N Ë
Të nderuar deputetë!
Në mbështetje të nenit 73, pika 2 të Kushtetutës dhe të nenit 288 të Kodit të Procedurës Penale, Ju paraqesim kërkesën për të marrë autorizimin Tuaj, për të proceduar penalisht deputetin Fatmir Mediu.
Në datë 29.03.2008, Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm ka regjistruar procedimin penal në ngarkim të z. Fatmir Mediu, ish-Ministër i Mbrojtjes dhe Deputet në Kuvendin e Shqipërisë, për veprën penale të “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, si dhe ndaj Ylli Pinarit, Mihal Delijorgjit, Dritan Minxollit, Sokol Gjecit dhe Dashnor Çaushit, për veprën penale të “Shkeljes së rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”, parashikuar nga neni 282 i Kodit Penal.
Procedimi penal është regjistruar në datë 15.03.2008, fillimisht në Prokurorinë e rrethit gjyqësor Tirane, e cila, pasi ka kryer një sërë veprimesh hetimore, ka konstatuar se kishte të dhëna e prova se, në tërësinë e proceduarave të urdhëruara dhe të zbatuara për realizimin e procesit të çmontimit në rajonin e Gërdecit, evidentohej se ishin kryer veprime dhe mosveprime në kundërshtim me ligjin dhe në mospërmbushje të rregullt të detyrës nga ish-Ministri i Mbrojtjes z. Fatmir Mediu.
I. Hetimi i kësaj ngjarje tragjike vërtetoi një numër të madh pasojash që kanë ardhur si rezultat i një seri shpërthimesh të ndodhur në ish-repartin e tankeve në Gërdec, i cili i ishte dhënë nga Ministria e Mbrojtjes, një shoqërie private për kryerjen e proceseve të çmontimit industrial të municioneve.
Shpërthimet masive kanë shkaktuar dëmtime shumë të rënda të interesave të shtetit dhe të shtetasve, duke krijuar një situatë tejet të rëndë social - ekonomike dhe dëmtoi sigurinë në gjithë rajonin që preku kjo ngjarje.
Hetimet paraprake vërtetuan se kjo ngjarje shkaktoi vdekjen e 26 personave, plagosjen e rëndë të 11 personave, plagosjen e lehtë të 31 personave dhe dëmtime të natyrës më të lehtë të 260 personave të tjerë, pa përmendur këtu lëndimin e shëndetit mendor dhe emocional të një numri të konsiderueshëm personash të tjerë. Në Qarkun e Tiranës dhe të Durrësit janë dëmtuar dhe 5413 banesa dhe objekte private, 32 biznese private dhe 34 ferma bujqësore. Të gjitha dëmtimet e shkaktuara, sipas një vlerësimi paraprak, të datës 16.04.2008, të Entit Kombëtar të Banesave, kapin vlerën 2,039,216,418 lekë. Gjithashtu, kjo ngarje ka cenuar rëndë një sërë interesash të tjera të shtetit dhe të shoqërisë, siç janë: cenimi i rendit dhe i sigurisë në rajonin që përfshiu ngjarja, si dhe dëmtimin e imazhit të shtetit në raport me komunitetin/shoqërinë dhe më gjerë.
Hetimet e kryera deri në këtë fazë, evidentojnë të dhëna që na krijojnë dyshimin e arsyeshëm të mbështetur në prova, se deputeti Fatmir Mediu ka kryer veprime e mosveprime me dashje në kundërshtim me ligjin dhe aktet nënligjore, që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës së tij, si Ministër i Mbrojtjes. Veprimet dhe mosveprimet e kryera në kundërshtim me ligjin dhe aktet nënligjore nga ish-Ministri i Mbrojtjes, ka të dhëna se kanë lidhje shkakësore me ngjarjen e ndodhur në Gërdec. Ka të dhëna që krijojnë dyshime të bazuara në prova se ato kanë sjellë përfitime të padrejta në favor të subjekteve private të përfshira në procesin e çmontimit të municioneve në ish-repartin ushtarak Gërdec.
Të nderuar deputetë!
II. Mbështetur në aktet dhe dokumentet e administruara nga hetimet e deritanishme, evidentohen mjaft indice dhe të dhëna që përbëjnë dyshim të arsyeshëm se deputeti Fatmir Mediu ka kryer veprime dhe mosveprime me dashje në kundërshtim me ligjin, që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës së tij, në cilësinë e Ministrit të Mbrojtjes, se ato kanë lidhje shkakësore me pasojat e ardhura nga ngjarja e ndodhur në Gërdec dhe se kanë sjellë përfitime të padrejta në favor të subjekteve private të interesuar dhe të përfshira në procesin e demontimit të municioneve në ish-repartin ushtarak Gërdec. Indicjet, të dhënat dhe provat lidhur me veprimet dhe mosveprimet në kundërshtim me ligjin, që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës të kryera nga ish-Ministri i Mbrojtjes, z. Fatmir Mediu, po i parashtrojmë si më poshtë:
1. Nga hetimi rezulton se në muajin shkurt të vitit 2006, drejtori i Ndërmarrjes së Ministrisë së Mbrojtjes (MM) Military Export Import Companny (MEICO), i pandehuri Ylli Pinari, ka rënë në kontakt me përfaqësuesin e shoqërisë amerikane “Southern Ammunition Company Inc” (SAC), Patric Henry III, i cili ka shfaqur interes për municionet me gëzhojë tunxhi që dispononte ushtria shqiptare dhe që nuk ishin pjesë e armatimit të saj. Në lidhje me kërkesën e kësaj kompanie, në datë 05.07.2006, është vënë në dijeni ish-Ministri i Mbrojtjes, z. Mediu, nga ish-drejtori i MEIKO-s, i pandehuri Ylli Pinari, nëpërmjet një memoje të kësaj date. Për këtë kërkese, në periudhën korrik-dhjetor 2006, nuk evidentohet ndonjë interesim dhe qëndrim aktiv i ish-Ministrit të Mbrojtjes, z. Mediu. Në këtë situatë mosinteresi dhe heshtje të ish-Ministrit të Mbrojtjes, z. Mediu, përfaqësuesi i kompanisë amerikane SAC, i orientuar nga i pandehuri Ylli Pinari, ka realizuar takim të drejtpërdrejt me z. Fatmir Mediu dhe më datë 27.12.2006 i ka dërguar një kërkesë nëpërmjet një faksi në gjuhën angleze.
Akuza: Mediu shmangu Shtabin
Pas kësaj interesimi dhe veprimi i ish-Ministrit të Mbrojtjes, z. Mediu është i menjëhershëm, duke filluar një proces përgatitje me procedura të përshpejtuara, që synonte realizimin e projektit të ofruar nga kompania amerikane SAC.
Evidentohet fakti se përfaqësuesi i kompanisë amerikane SAC, Patric Henry III, kishte ardhur disa herë në Shqipëri dhe në takimet me të pandehurin Ylli Pinari ishte informuar lidhur me mundësitë për të ngritur aktivitetin e çmontimit dhe të çmilitarizimit të municioneve në Shqipëri, duke e orientuar drejt përfshirjes në këtë aktivitet të pandehurin Mihal Delijorgji, i cili ka qenë disa herë objekt i ndjekjes penale për vepra penale në fushën e evazionit fiskal. Në këto takime, i pandehuri Pinari i ka shpjeguar përfaqësuesit të kompanisë amerikane SAC, Patric Henry III, një numër elementesh juridike dhe kushtesh që duhet të plotësonte kompania SAC për këtë aktivitet. Rezultati i këtyre konsultimeve paraqitet në kërkesën/faksin e sipër përmendur, datë 27.12.2006. Në këtë dokument që përbënte një ofertë të kësaj kompanie evidentohen elementet/kushtet që duhet të përmbushnin palët (MM e përfaqësuar nga MEICO dhe SAC), pra një produkt i negociuar dhe i sugjeruar nga kompania SAC pas konsultimeve ndërmjet të pandehurit Ylli Pinari dhe përfaqësuesit të SAC. Duke iu referuar këtij dokumenti konstatohet se:
Së pari, evidentohet se SAC ka krijuar paraprakisht një shoqëri shqiptare të quajtur ALBADEMIL shpk, për të hyrë në marrëveshje me Ministrinë e Mbrojtjes, për realizimin e procesin të çmontimit dhe çmilitarizimit të municioneve. Pra, kompania që do të kryente këtë proces nuk do të ishte SAC, por ALBADEMIL shpk.
Së dyti, evidentohet se në kontekstin e plotësimit të kërkesave ligjore, SAC - u kërkonte të pajisej me tre lloje licencash:
• Licencë për depozitim municioni;
• Licencë për çmontim dhe çmilitarizim të municioneve;
• Licencë për eksportimin e produkteve të dalë nga demontimi.
Së treti, është përcaktuar detyrimi për Ministrinë e Mbrojtjes, të mbulojë shpenzimet e transportit të municioneve për në ambientin industrial të ALBDEMIL-it.
Së katërti, evidentohet se SAC kërkonte që ambienti industrial i çmontim dhe çmilitarizim të municioneve, të ndërtohej në një zonë ushtarake afër Tiranës, duke sugjeruar për këtë Bërzhitën.
Përmendëm këto elemente të këtij dokumenti, pasi siç do të trajtohet në vijim të kësaj oferte, për përmbushjen këtyre elementeve, është iniciuar nga ministri disa akte nënligjore, si një vendim i Këshillit të Ministrave (KM), janë miratuar prej tij disa urdhra, si dhe është shmangur zbatimi i disa akteve nënligjore në fuqi të Ministrisë së Mbrojtjes.
Në datë 28.12.2006, ky dokument (oferta e kompanisë SAC) ka dalë nga zyra e ish-Ministrit të Mbrojtjes me shënimet përkatëse drejtuar Shefit të Shtabit të Përgjithshëm (SHSHP) dhe Sekretarit të Përgjithshëm (SP). Ndërkohë, po më datë 28.12.2006 evidentohet fakti i krijimit të shoqërisë ALBADEMIL me ortakë përfaqësuesin e kompanisë SAC, Patric Henry III dhe të pandehurin Mihal Delijorgji. Në analizë të këtyre rrethanave krijohet dyshimi i arsyeshëm se ish-Ministri i Mbrojtjes, z. Mediu, i kishte dhënë premtimin subjekteve të interesuara dhe kishte marrë vendimin për të realizuar këtë marrëdhënie biznesi. Kjo vërtetohet me të dhënat dhe provat, që ju parashtrojmë në vijim të kësaj kërkese.
2. Ish-Ministri i Mbrojtjes, Z. Mediu, për të realizuar synimin e tij, ka iniciuar hartimin dhe miratuar disa akteve nënligjore. Ai ka iniciuar një projektvendim të Këshillit të Ministrave dhe ka miratuar projekt-urdhra, të cilët kanë orientuar realizimin e procesit të çmontimit dhe çmilitarizimit të municionit në përmbushje të ofertës të sipër përmendur të shoqërisë amerikane SAC, prapa të cilës ishte shoqëria ALBADEMIL shpk, duke angazhuar për hartimin e tyre një pjesë të stafit të ngushtë të tij. Në këtë proces administrativ, z. Mediu ka pranuar dhe miratuar disa projekt-urdhra, duke shmangur përfshirjen e strukturave dhe hallkave të domosdoshme që duhet të ishin pjesë e hartimit të tyre. Kjo provohet:
Së pari, me inicimin, në datë 12.02.2007, për miratim të projektvendimit të KM me titull “Për procedurën e çmontimit, çmilitarizimit dhe tjetërsimit të një sasie municionesh të Forcave të Armatosura (FA), të dala nga armatimi e përdorimi me shoqërinë amerikane SAC”. Ky projektvendim nuk është miratuar nga qeveria për shkak të mungesës së përqasjes së tij, me ligjin nr.8671, datë 26.10.2000 “Për autoritetet e komandimit e drejtimit strategjik të FA të RSH” të ndryshuar dhe me ligjin nr.7512, datë 10.08.1991 “Për sanksionimin dhe mbrojtjen e pronës private, të nismës së lirë, të veprimtarive private të pavarura dhe privatizimit”, si dhe për përfshirjen drejtpërdrejt në këtë projektvendim të KM të kompanisë amerikane SAC.
Së dyti, më pas, me shkresën nr. 1525, datë 14.03.2007, ish-Ministri i Mbrojtjes, z. Mediu, ka ridërguar për shqyrtim e miratim projektvendimin me titull “Për procedurën e trajtimit të armëve, teknikës dhe pajisjeve të Forcave të Armatosura të hequra nga armatimi dhe përdorimi”, i cili po atë datë është shqyrtuar dhe miratuar nga qeveria, duke u kthyer në vendim të KM nr. 138, datë 14.03.2007, me të njëjtin titull që ishte propozuar. Siç do të analizohet në vijim të kësaj kërkese, ndonëse në këtë vendim të KM nuk është përmendur drejtpërdrejt kompania amerikane SAC, në formulimin e pikës “IV/1” të projektvendimit të miratuar është parashikuar që shitja për çmontim dhe çmilitarizim të municioneve të bëhet për municione të kalibrit të vogël, ashtu siç ishte parashtruar oferta e kompanisë amerikane SAC.
Të nderuar deputetë!
3. Në vijim të aktivitetit të tij në kundërshtim me ligjin dhe në interes të përfitimeve të padrejta të subjekteve private që do të bënin çmontimin dhe çmilitarizimin e municioneve, ish-Ministri i Mbrojtjes, z. Mediu ka miratuar urdhrin nr.550, datë 25.04.2007 “Për zbatimin e vendimit nr.138, datë 14.03.2007 të Këshillit të Ministrave “Për procedurën e trajtimit të armeve, teknikës dhe pajisjeve të Forcave të Armatosura të hequra nga armatimi dhe përdorimi”, përsa i përket shitjes për çmontim dhe çmilitarizim të një sasie municioni”. Në analizë të procesit të hartimit të projekt-urdhrit, si dhe në analizë të përmbajtjes së urdhërimeve të këtij akti nënligjor, evidentohen veprimet në shkelje të akteve nënligjore dhe interesi për përfitime të padrejta ndaj subjekteve private që do të realizonin çmontimin dhe çmilitarizimin e municioneve, si më poshtë:
3.1. Hartimi i projekt-urdhrit nr. 550 datë, 25.04.2007 është bërë nga drejtori i Drejtorisë së IMBM, nën mbikëqyrjen e ish-Sekretarit të Përgjithshëm të MM, duke mospërfshirë strukturat e Shtabit të Përgjithshëm, si dhe Drejtorinë e Harmonizimit të Legjislacionit dhe Marrëdhënieve me Kuvendin (DHLMK), pjesëmarrja e të cilave ka qenë e detyrueshme, për shkak të natyrës së aktit dhe strukturave të ngarkuara për zbatimin e tij. Kjo veprimtari është në shkelje të nenit 17 të Rregullores së Brendshme të MM, miratuar me urdhrin e Ministrit të Mbrojtjes nr.120, datë 18.03.2003, i ndryshuar me urdhrin e Ministrit të Mbrojtjes, nr. 318, datë 17.05.2005, i cili përcakton rregullat për hartimin dhe qarkullimin e akteve administrative. Gjithashtu, ky urdhër i Ministrit të Mbrojtjes, në përmbajtjen e tij, evidenton se nuk është i studiuar mirë dhe në përqasje me vendimin e KM nr.138, datë 14.03.2007, nuk është i qartë në urdhërimet e tij dhe konkret për procedurën dhe mënyrën e zbatimit. Këto urdhërime bien në kundërshtim me pikën 9, paragrafi i dytë, kreun IV, Seksioni II, me titull “Rregullat e dhënies dhe zbatimit të urdhrave” të Rregullores së Jetës së Brendshme në FA, që parashikon se “Urdhri duhet të jetë i studiuar mirë, i qartë dhe konkret”.
3.2 Megjithëse në vendimin e KM nr.138, datë 14.03.2007 nuk është rregulluar mënyra e përzgjedhjes së kontraktorit për shitjen e municioneve për çmontim dhe çmilitarizim, në pikën 1 të urdhrit nr. 550, është nominuar drejtpërdrejt kompania amerikane SAC për realizimin e këtij procesi.
3.3 Në pikën 4/a e në vijim, është parashikuar që procesi i çmontimit dhe çmilitarizimit të municioneve të realizohet në terrenin në administrim të Ministrisë së Mbrojtjes të ndodhur në Gërdec, Vorë. Ky urdhërim në përmbajtje bie në kundërshtim me disa akte të tjera nënligjore dhe ka mundësuar krijimin e përfitimeve të padrejta për subjektet private të përfshira. Në analizë të tij evidentohen këta elementë:
Së pari, është dhënë e drejta për kryerjen e aktivitetit në shkelje të nenit 3 të Rregullores së Ministrit të Mbrojtjes nr. 9603, datë 18.09.2003 “Për përpilimin dhe lëshimin e dokumentacioneve për veprimtarinë e eksport-importit të materialeve ushtarake”, e cila normon se për kryerjen e veprimtarive në fushën e armatim municionit është e domosdoshme të bëhet licencimi i shoqërive. Sipas kësaj rregullore, licencimi bëhet nga një Komision i Posaçëm, që krijohet me urdhër të Ministrit të Mbrojtjes. Nevoja për kryerjen e licencimit të aktivitetit i është bërë e njohur ish-Ministrit të Mbrojtjes, z. Mediu, me ofertën, datë 27.12.2006, të kompanisë amerikane SAC të përmendur më sipër në piken 1. Në këtë vështrim, në kundërshtim me nenin 3 të kësaj rregulloreje, z. Mediu, gjithashtu, ka urdhëruar Sekretarin e Përgjithshëm të MM për të dhënë leje eksporti të materialeve ushtarake për një subjekt të palicencuar.
Së dyti, përcaktimi i vendit ku do të kryhej procesi i çmontimit dhe çmilitarizimit të municioneve është bërë në shkelje të nenit 3, pika 1, paragrafi i tretë, i Rregullores së Ministrit të Mbrojtjes nr.9603, datë 18.09.2003 të sipër përmendur dhe në shkelje të urdhrit të Ministrit të Mbrojtjes nr.326, datë 11.05.2000 “Për kryerjen e licencimit të depove të municionit sipas standardeve të NATO-s”, në të cilën përcaktohet se vendet ku depozitohet dhe ruhet municioni duhet të licencohen, duke parashikuar kushtet dhe kriteret për licencimin. Gjithashtu, ky urdhër parashikon se në varësi të distancave nga vendi i depozitimit dhe magazinimit të municionit në raport me zonat e banuara, rrugët (me trafik të ulët dhe të lartë), rrjetit elektrik, ujësjellësit, ofiçinën ku do të punohej me municionin, objektet e tjera (brenda repartit ushtarak dhe në rajon), duhet të përcaktohej sasia e municionit që do të depozitohej për demontim dhe e produkteve të tij, si ajo e lëndëve plasëse, barutit etj.
Caktimi i Gërdecit, si vend çmontimi dhe çmilitarizimi të municionit, është bërë në mungesë të verifikimit dhe vlerësimit të strukturave përkatëse të specializuara të Shtabit të Përgjithshëm. Në urdhërimin e ish-Ministrit të Mbrojtjes, z. Mediu për caktimin e Gërdecit si vend demontimi, është shpërfillur, gjithashtu, mendimi i strukturave të FA, në komentet e bëra lidhur me kërkesën e kompanisë SAC, që kishte sugjeruar paraprakisht Bërzhitën si vend të mundshëm për të realizuar procesin e demontimit. Kjo, sepse, në memon, datë 28.12.2007, me subjekt “Dhënie mendimi lidhur me ofertën e paraqitur nga SAC për asgjësim municioni”, që Drejtoria e Logjistikës i ka dërguar ish-Ministrit z. Mediu nëpërmjet Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA, i është bërë e ditur se “....Rajoni i Bërzhitës është i papërshtatshëm, si për depozitim, ashtu dhe për asgjësim municioni. Ky rajon është i palicencuar për depozitim dhe demontim municionesh, është pranë rrugës nacionale Tiranë - Elbasan dhe qendrave të banuara”.
Përzgjedhja e Gërdecit si vend ku do të bëhej çmontimi dhe çmilitarizimi i municioneve dhe ku do të depozitoheshin sasi të konsiderueshme municioni dhe produkte të tij pas demontimit, (të cilat për nga natyra dhe vjetërsia paraqisnin ndjeshmëri të lartë në raport me faktorët atmosferikë dhe kushtet e ambalazhimit, ruajtjes e manipulimit me to), është bërë tërësisht në kundërshtim me çdo lloj rregulli në fuqi. Ky urdhër në praktikë, ka lejuar të depozitohen dhe akumulohen sasira të mëdha municioni e baruti në kundërshtim me distancat e sigurisë të përcaktuara në urdhrin nr. 326, datë 11.05.2000, duke determinuar pasojat e rënda që kanë ardhur qoftë jetës së njerëzve, shëndetit të tyre, apo edhe ato materiale. Nga sa më sipër, urdhri 550, datë 25.04.2007, ka urdhëruar fillimin e një aktiviteti me një natyrë të lartë rrezikshmërie, pa u krijuar më parë të gjitha premisat paraprake që do të siguronin një funksionim normal të këtij aktiviteti.
Caktimi i Gërdecit si vend për çmontimin dhe çmilitarizimin e municioneve luftarake, në kushtet e ekzistencës të një përgjigje negative nga Shtabi i Përgjithshëm për rajonin e Bërzhidës, vjen në të njëjtën linjë me ofertën e datës 27.12.2006 të kompanisë SAC të analizuar më lart, ku kërkohej që procesi i çmontimit të kryhej në një ambient në afërsi të Tiranës, çka ka mundësuar cenimin e sigurisë gjatë gjithë procesit të çmontimit dhe çmilitarizimit të municioneve.
3.4 Urdhri i Ministrit nr.550, datë 24.05.2007 në kundërshtim me detyrimet që burojnë nga pika IV/4 e vendimit të KM nr. 138, datë 14.03.2007, nuk ka përcaktuar shprehimisht subjektin ushtarak që do të realizonte mbikëqyrjen dhe garantimin e sigurisë në procesin e çmontimit dhe çmilitarizimit të municionit në Gërdec, si dhe nuk ka qartësuar mënyrën e realizimit të këtij procesi me rrezikshmëri të lartë. Kjo shkelje ka lejuar kryerjen e një procesi të pakontrolluar nga specialistët e FA, si përsa i takon sigurisë në procesin teknologjik, ashtu dhe rregullave të magazinimit të nënprodukteve të këtij procesi. Në këtë aspekt, sikurse u theksua më lart, ky urdhër është miratuar pa qenë i studiuar mirë, duke qenë i paqartë dhe jo konkret, në kundërshtim me rregullat e dhënies së urdhrave të parashikuar në Rregulloren e Jetës së Brendshme në FA, të përmendur më lart.
3.5 Në vijim të argumenteve se, ish-Ministri i Mbrojtjes, z. Mediu, në këtë proces ka miratuar akte nënligjore i orientuar nga interesat dhe përfitimet e padrejta të subjekteve private, Ju parashtrojmë faktin se gjashtë ditë para se të firmoste urdhrin nr.550, datë 25.04.2007, ndërmarrja MEICO kishte lidhur kontratë me shoqërinë SAC-ALBADEMIL, në datën 19 prill 2007, kontratë e cila ka qenë pjesë e praktikës së projekt-urdhrit të dërguar për t’u nënshkruar tek ish-Ministri z. Mediu. Sa më sipër, evidentohen dy elementë të rëndësishëm.
Së pari, kontrata i paraprin në kohë urdhrit, i cili ka përligjur kontratën, ndërkohë që duhet të ndodhte e kundërta, sepse shitje e municioneve është e drejtë vetëm e Ministrit të Mbrojtjes që materializohet me urdhrin e tij.
Së dyti, ka qenë kërkesa e SAC-ALBADEMIL e materializuar në kontratë, ajo që është marrë parasysh nga ish-Ministri i Mbrojtjes, z. Mediu, për caktimin e Gërdecit si vend për çmontimin dhe çmilitarizimin e municioneve, sepse në pikën 3.3 të kontratës, është përcaktuar se vendi i dorëzimit të municionit do të jetë fabrika e Gërdecit, Vorë.
3.6. Në urdhrin nr. 550, nuk është parashikuar qartë dhe shprehimisht se kush do të mbulonte shpenzimet e ngarkimit dhe transportit të municioneve nga depot e komandave të FA për në Gërdec-Vorë, ndërkohë që transporti i këtij municioni i është ngarkuar Forcave të Armatosura. Ky mosveprim i ish-Ministrit të Mbrojtjes, z. Mediu, për të parashikuar në urdhër që shpenzimet e transportit të mbulohen nga subjektet private, përbën një episod tjetër të veprës penale të shpërdorimit të detyrës me pasojë përfitimin e padrejtë të personave të tjerë dhe në dëm të interesave ekonomike të FA, sepse në fakt shpenzimet e transportit janë mbuluar prej tyre dhe përllogariten në shumën rreth 500 mijë dollarë.
Ky mosveprim i ish-Ministrit z. Mediu vjen në të njëjtën linjë me përmbushjen e një prej kushteve të kompanisë SAC-ALBADEMIL, të parashtruara në ofertën/dokumentin e datës 27.12.2006, në të cilën është kërkuar që shpenzimet e transportit për në rajonin e çmontimit të ALBADEDMIL, të mbulohen nga Ministria e Mbrojtjes. Mosparashikimi i shpenzimeve të transportit në këtë urdhër, i ka paraprirë dhe analiza e kostos për njësi shitje të municioneve, e llogaritur kjo pa përfshirë koston e transportit. Përjashtimi i kostos së transportit, e cila nga pikëpamja ekonomike është element i domosdoshëm në përcaktimin e vlerës së mallit, përbën shkelje të rëndë dhe me qëllim favorizimi të padrejtë të kompanive SAC-ALBADEMIL për të përfituar sa më shumë në procesin e demontimit.
Në frymën e këtij urdhërimi dhe në zbatim të tij, ish-Ministri i Mbrojtjes, z. Fatmir Mediu ka nxjerrë rrdhrin nr. 1208, datë 19.07.2007 “Për zbatimin e vendimit të KM nr.138, datë 14.03.2007, “Për procedurën e trajtimit të armëve, teknikës dhe pajisjeve të Forcave të Armatosura të hequra nga armatimi dhe përdorimi”, përsa i përket shitjes për çmontim dhe çmilitarizim të një sasie municioni”, dhe urdhrin nr.1300, datë 07.08.2007 “Për zbatimin e vendimit të KM nr.138, datë 14.03.2007, “Për procedurën e trajtimit të armëve, teknikës dhe pajisjeve të Forcave të Armatosura të hequra nga armatimi dhe përdorimi”, përsa i përket shitjes për çmontim dhe çmilitarizim të një sasie municioni”, urdhra këto në të cilat parashikohet që dorëzimi i municioneve nga strukturat e FA të bëhet në qendrën e çmontimit Gërdec-Vorë, pa u shprehur për subjektin që do të mbulonte shpenzimet e transportit.
4. Në analizë të procesit të hartimit, të bazës ligjore dhe të përmbajtjes së urdhrit nr. 1300, datë 07.08.2007 të ish-Ministrit të Mbrojtjes, z. Fatmir Mediu, ka të dhëna për dyshime të bazuara se miratimi i tij është bërë në kundërshtim me aktet nënligjore, për të realizuar përfitime të padrejta në interes të subjekteve që kryenin çmontimin dhe çmilitarizimin e municioneve. Shkeljet e evidentuara janë si më poshtë:
4.1 Z. Mediu ka miratuar këtë urdhër pa përfshirë strukturat e FA, ndonëse në kjo përfshirje ka qenë e domosdoshme e diktuar nga objekti i rregullimit dhe strukturat e ngarkuara për zbatimin e tij. Ky veprim bie në kundërshtim me nenin 17, të Rregullores së Brendshme të MM, miratuar me urdhër të Ministrit të Mbrojtjes, nr. 120, datë 18.03.2003, i ndryshuar me urdhrin e Ministrit të Mbrojtjes nr.318, datë 17.05.2005, i cili përcakton rregullat për hartimin dhe qarkullimin e akteve administrative.
4.2 Ky urdhër bie në kundërshtim me pikën 1 të urdhrit të Ministrit të Mbrojtjes, nr.550, datë 25.04.2007, ndonëse formalisht ky i fundit është cituar si mbështetje ligjore e tij. Kjo, sepse, në pikën 1 të urdhrit nr.1300, datë 07.08.2007, janë ngarkuar strukturat e FA, për t’i dorëzuar, për çmontim ndërmarrjes MEICO tre lloje municione (fishekësh të kalibrave 6.5 mm, 7.92 mm dhe 8 mm), që nuk janë të parashikuar në pikën 1 të urdhrit nr.550, datë 25.04.2007. Llojet e fishekëve të përmendura në urdhrin nr. 1300, datë 07.08.2007, nuk kanë qenë pjesë e kërkesave të kompanive SAC–ALBADEMIL dhe kontratës të lidhur ndërmjet MEICO dhe këtyre kompanive.
4.3 Në kundërshtim me pikën IV/2, të vendimit të KM nr.138, datë 14.03.2007, ish-Ministri i Mbrojtjes, z. Mediu, ka nënshkruar urdhrin nr.1300, datë 07.08.2007, në mungesë të vendimit të Komisionit të Miratimit të Çmimeve për shitjen e këtyre lloj municioneve për çmontim dhe çmilitarizim. Pra, ai ka urdhëruar dorëzimin e municionit, pa patur një çmim për to.
4.4 Në kundërshtim me pikën 1 të urdhrit të nxjerrë prej tij nr. 416, datë 02.04.2007, “Për ngritjen dhe funksionimin e Komisionit të Posaçëm për përcaktimin e kontingjentit të armëve, teknikës, pajisjeve, municioneve dhe lëndëve eksplozive të hequra nga përdorimi”, ka nënshkruar Urdhrin nr. 1300, datë 07.08.2007, megjithëse mungonte një vendim i këtij komisioni, i cili kishte për detyrë të bënte kategorizimin e tij në zbatim të vendimit të KM nr. 138, datë 14.03.2007.
Sa më sipër, miratimi i këtij urdhri në kundërshtim me aktet nënligjore, përbën të dhënë për dyshime të bazuara, se është kryer për të realizuar përfitime të padrejta në interes të kompanive SAC–ALBADEMIL, për faktin se këto lloje municionesh kishin në përbërje gëzhojë tunxhi, çka përmbushte në thelb ofertën e kompanisë SAC-ALBADEMIL për municione me gëzhoja tunxhi.
Të nderuar deputetë!
III. Tërësia e këtyre urdhërimeve në kundërshtim me ligjin të ish-ministrit të Mbrojtjes z. Mediu, për realizimin e procesit të çmontimit të municioneve të kalibrave 7.62-14.5 mm, evidenton të dhëna që përbëjnë dyshim të arsyeshëm se tek nëpunësit dhe ushtarakët vartës të tij, është krijuar perceptimi për një proces të parregullt, ku ish-ministri z. Mediu kishte interesa të veçanta dhe se për realizimin e tyre, ai po shpërfillte aktet ligjore dhe nënligjore.
Baza e këtij procesi të parregullt, të trajtuar më sipër, ka shërbyer për vazhdimin e përmbushjes së kërkesave në interes të përfitimeve të padrejta të kompanisë SAC-ALBADEMIL. Në këtë proces vazhdues, ish-ministri i Mbrojtjes z. Mediu ka vepruar në kundërshtim me ligjin në miratimin e akteve të tjera nënligjore, lidhur me çmontimin e municioneve të kalibrave nga 20-152 mm. Kjo ka ndikuar ndjeshëm në uljen e nivelit të sigurisë dhe rritjen e shkallës së rrezikut për pasoja të rënda në procesin e çmontimit të municioneve, si dhe në të gjithë rajonin ku po kryhej ky proces.
1. Nga hetimet e deritanishme rezulton se, më 1 shtator 2007, përfaqësuesi i SAC, i është drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes me një kërkesë të dytë për vazhdimin e procesit të çmontimit të municioneve të kalibrave 20-152 mm. Duke analizuar këtë kërkesë, evidentohen disa momente që duhen pasur parasysh në analizën e të dhënave, lidhur me përgjegjësinë e ish-ministrit Mediu për episode të tjera të veprës penale të “Shpërdorim i detyrës”.
Së pari, Southern Ammunition Company (SAC), në mënyrë të qartë evidenton se municionet për të cilat kërkon të vazhdojë projektin, nuk janë më të kalibrit të vogël.
Së dyti, SAC paraqet pretendimin se ajo është furnizuar nga Ministria e Mbrojtjes vetëm me rreth 50% të sasive të municioneve të kërkuara të kalibrit 7.62-14.5 mm, duke u shprehur se: “Sipas kontratës me MM (MEICO) investimi ynë kishte për qëllim çmontimin e jo më pak se 100 mln copë fishekëve 7.62 mm, 20 mln copë fishekëve 12.7 mm dhe 20 mln copë fishekëve 14.5 mm”. Këtë mospërmbushje të detyrimit, ajo e paraqet si arsye për të mbështetur projektin për çmontimin e kalibrave më të mëdhenj.
Së treti, SAC pretendon se, disponon makineri që në mënyrë mekanike zbërthejnë municionin në komponentët përbërës.
Se katërti, SAC informon se, procesi më i rrezikshëm dhe i kushtueshëm do të jetë nxjerrja e eksplozivëve të fuqishëm nga predhat, por se kjo kompani disponon teknologjinë për ta realizuar këtë, në mënyrë të sigurt dhe në kohë normale.
Kërkesa e SAC, bashkëlidhur Memo-s datë 06.09.2007, me subjekt “Mbi kërkesën për demontim municionesh” e personit nën hetim, Ylli Pinari, nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm të MM, i është dërguar për mendim ish-ministrit të Mbrojtjes. Z. Mediu, këtë praktikë, ia ka kaluar Shefit të Shtabit të Përgjithshëm me shënimin “Për veprim”. Ky shënim i ish-ministrit, në thelb ka pasqyruar vullnetin e tij për fillimin e një procedure të re, në përmbushje të interesave që parashtroheshin në kërkesën e SAC, ndonëse në përmbajtjen e kësaj kërkese evidentohen qartë tejkalimet e parashikuara në vendimin e KM nr. 138, datë 14.03.2007 përsa i takon kalibrit të municioneve që mund të jepeshin për çmontim. Ndërgjegjësimi i z. Mediu në lidhje me këtë kufizim të vendimit të KM, argumentohet jo vetëm me detyrimin e njohjes së akteve dhe faktin që ka qenë iniciues dhe mbrojtës i këtij akti nënligjor në qeveri, por edhe me faktin se ka qenë pikërisht kërkesa e parë e SAC për çmontimin e municioneve të kalibrit të vogël, ajo që u bë shkak për të miratuar gjithë aktet nënligjore për realizimin e procesit të çmontimit të municioneve të kalibrit të vogël.
Në vijim të analizës së elementëve të kësaj kërkese, ju paraqesim aktet nënligjore të tjera të miratuara nga ish-ministri i Mbrojtjes z. Mediu, në kundërshtim me ligjin dhe që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës prej tij.
2. Me synim për të krijuar përfitime të padrejta në interes të kompanive private, të përfshira në këtë proces, ka shmangur mbikëqyrjen ushtarake të forcave të armatosura, në procesin e çmontimit dhe çmilitarizimit të municioneve, duke miratuar urdhrin nr. 1800, datë 22.10.2007, me të cilin është normuar kalimi kapital i pronës, nr. 126, ku po zhvillohej procesi i çmontimit dhe çmilitarizimit (ish-brigada e tankeve Gërdec), në administrim të ndërmarrjes “Meico”, e cila, e ka vënë atë në dispozicion të kompanisë SAC-ALBADEMIL pa qira, në kundërshtim me vendimin KM nr. 315, datë 24.04.2003 “Për dhënien me qira të pasurive, të ndërmarrjeve, shoqërive dhe institucioneve shtetërore”. Gjithashtu, synimi se projekti i çmontimit dhe çmilitarizimit të municioneve nga kompania SAC do të zgjaste dhe se strukturat e ngritura në ish-repartin e tankeve Gërdec, Vorë do të përdoreshin dhe për programe të tjera në këtë fushë, është evidentuar qartë në Memo-n me subjekt “Për kalimin kapital të pronës nr. 126, Gërdec, Vorë” të drejtuar ish-ministrit Mediu nga ish-drejtori i “Meico” nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm. Miratimi i urdhrit të mësipërm, në kuadër të këtij konteksti, i ka paraprirë miratimit së të gjithë akteve nënligjore dhe procesit vendimmarrës të ish-ministrit, në përmbushje të kërkesës së SAC–ALBADEMIL datë 01.09.2007, të sipërpërmendur.
3. Në përmbushje të interesave për përfitime të padrejta nga kompanitë private, ish-ministri i Mbrojtjes z. Mediu, nuk ka kërkuar të bëhej një studim i plotë i analizës së kostos për njësi, të municioneve të kalibrave 20-152 mm, çka ishte e domosdoshme për të verifikuar dhe vlerësuar leverdinë ekonomike të këtij procesi me municionet e kalibrave te përmendur më sipër. Ky mosveprim i ish-ministrit, i kryer në mospërmbushje të rregullt të detyrës, evidentohet dhe nga fakti se, në përgjigje të kërkesës së parë të SAC–ALBADEMIL, është proceduar duke u bërë analiza e kostos për njësi e municioneve të kalibrave të vegjël 7.62-14.5 mm. Ky veprim është kryer para se të fillonte procesi i miratimit të akteve nënligjore, për realizimin e çmontimit dhe çmilitarizimit të municioneve për këto kalibra.
Fakti se, gjatë realizimit të procesit të çmontimit të municioneve të kalibrave 20-152 mm, shoqëria ALBADEMIL ka përfshirë si nënkontraktor Uzinën e Gramshit për demontimin e një kategorie “shtimjesh” 100 mm dhe se nga kjo marrëveshje, të dy subjektet kane dalë me fitim, provon dyshimin e arsyeshëm se veprimet e ish-ministrit në interes të përfitimeve të padrejta nga kompanitë SAC-ALBADEMIL, kanë dëmtuar interesat ekonomike të ndërmarrjeve shtetërore ushtarake, të cilat kishin standardet e nevojshme për të garantuar sigurinë në realizimin e procesit të çmontimit.
4. Këto fakte, përbëjnë të dhëna për të dyshuar se urdhri nr. 2044, datë 07.12.2007 “Për kalim municioni ndërmarrjes MEICO”, është vazhdim i asaj që ka qenë paracaktuar dhe që lidhej me shitjen e municioneve kompanive SAC-ALBADEMIL.
Në vijim të sa më sipër, si dhe në analizë të urdhërimeve të miratuara nga ish-ministri i Mbrojtjes z.Mediu në këtë urdhër, evidentohen dukshëm shkelje të vendimit KM nr.138, datë 14.03.2007, si dhe akteve nënligjore të tjera si më poshtë:
4.1 Pika 1 e këtij urdhri, në të cilën parashikohet kalimi i sasive dhe llojeve të municioneve të kalibrave 20-152 mm sipas aneksit “A” bashkëlidhur, ndërmarrjes MEICO, bie në kundërshtim me pikën IV/1 të VKM nr.138, datë 14.03.2007, në të cilën parashikohet se, Ministria e Mbrojtjes mund të realizojë shitjen me qëllim çmontimi dhe çmilitarizimi të municioneve stoqe të vjetruara të kalibrave të vegjël.
4.2 Në pikën 6 të këtij urdhri, është parashikuar që kostoja e transportit të likuidohet nga ndërmarrja MEICO. Ky parashikim, sikurse kemi argumentuar më lart bie ndesh me logjikën ekonomike të llogaritjes së kostos dhe mbulimit të shpenzimeve. Me këtë detyrim është ngarkuar përsëri shteti dhe jo kompanitë private. Ky urdhërim përbën të dhëna për dyshime të bazuara se, z. Mediu ka dëmtuar interesat ekonomike të shtetit dhe ka sjellë përfitime të padrejta për kompaninë SAC-ALBADEMIL.
4.3 Në pikën 7, ka urdhëruar që procesi i çmontimit dhe çmilitarizimit të kryhet në ish-brigadën e tankeve të kaluar në administrim të MEICO-s, në rajonin e Gërdecit, Vorë, Tiranë.
Ky urdhërim është bërë në vijim të urdhrit nr.550, datë 25.04.2007 dhe përmban të njëjtët elementë kundërligjshmërie me aktet nënligjore si më poshtë:
Së pari, është përligjur ushtrimi i aktivitetit të çmontimit dhe çmilitarizimit të municioneve pa u bërë licencimi i shoqërive, në shkelje të nenit 3, të Rregullores së Ministrit të Mbrojtjes nr. 9603, datë 18.09.2003 “Për përpilimin dhe lëshimin e dokumentacioneve për veprimtarinë e import-eksportit të materialeve ushtarake”,
Së dyti, është përligjur ushtrimi i aktivitetit të çmontimit dhe çmilitarizimit të municioneve, pa u bërë licencimi i vendit ku do të kryhej ky proces, në kundërshtim me nenin 3, pika 1, paragrafi i tretë, i rregullores së Ministrisë të Mbrojtjes nr. 9603, datë 18.09.2003, si dhe në kundërshtim me urdhrin e Ministrit të Mbrojtjes nr. 326, datë 11.05.2000 “Për kryerjen e licencimit të depove të municionit, sipas standardeve të NATO”, siç është parashtruar me hollësi më sipër në këtë kërkesë.
Së treti, ricaktimi në këtë urdhër, i Gërdecit si vend për kryerjen e procesit, është bërë duke e konsideruar procesin e çmontimit dhe çmilitarizimit të municioneve të kalibrave 20-152 mm, si një proces vazhdues të çmontimit të municioneve të kalibrave të vegjël 7.62-14.5 mm, ndonëse siç kemi shpjeguar, nuk u kërkua dhe nuk u krye asnjë lloj licencimi për sigurinë dhe për të garantuar shmangien e ngjarjeve të jashtëzakonshme gjatë këtij procesi .
4.4 Në pikën 7, ka urdhëruar ndërmarrjen MEICO, të vërë në dispozicion të procesit ambientet në administrim të saj… në rajonin e Gërdecit, pa përcaktuar raportin ekonomik të kësaj marrëdhënieje, çka ka sjellë në fakt vënien në dispozicion pa qira, kompanisë SAC-AlBADEMIL, të të gjithë ambienteve, në administrim të ndërmarrjes MEICO, duke vepruar në shkelje të vendimit të KM nr. 315, datë 24.04.2003 “Për dhënien me qira të pasurive, të ndërmarrjeve, shoqërive dhe institucioneve shtetërore”.
4.5 Në pikën 8, ka urdhëruar që ndërmarrja MEICO, përgjigjet për zbatimin nga kontraktori të proceseve dhe standardeve të sigurisë, të masave të mbrojtjes nga zjarri dhe sigurisë së jetës e shëndetit të personelit të punësuar në zbatim të projektit gjatë procesit të çmontimit dhe çmilitarizimit të municioneve, si dhe mbikëqyr në kushte të rrepta vëzhgimi dhe sigurie këtë proces. Ky urdhërim bie në kundërshtim flagrant me pikën IV/4 të vendimit të KM nr. 138, datë 14.03.2007, në të cilën parashikohet se, “procesi i çmilitarizimit dhe çmontimit, të kryhet nën mbikëqyrjen dhe sigurinë ushtarake të reparteve të forcave të armatosura…”.
4.6 Në pikën 9, ka urdhëruar që ruajtja e rajonit të Gërdecit dhe depove të municionit të bëhet nga Komanda e Forcës së Bashkuar dhe ndërmarrja MEICO. Gjithashtu, ky urdhërim, bie në kundërshtim me pikën IV/4 të vendimit të KM nr. 138, datë 14.03.2007, në të cilin parashikohet se, mbikëqyrja e sigurisë së procesit të çmontimit dhe çmilitarizimit, të kryhet nga FA, duke regjistruar lëvizjen dhe sasinë e municioneve të dorëzuara dhe të atyre të çmontuara, si dhe produktet e tyre pas çmontimit dhe çmilitarizimit.
4.7 Në pikën 10, është parashikuar që Sekretari i Përgjithshëm të lëshojë lejet e eksportit për materialet e përftuara nga procesi i çmontimit. Ky urdhërim bie në kundërshtim me nenin 3 të Rregullores së Ministrit të Mbrojtjes nr. 9603, datë 18.09.2003 “Për përpilimin dhe lëshimin e dokumentacioneve për veprimtarinë e eksport-importit të materialeve ushtarake”. Kjo, sepse, ish-ministri i Mbrojtjes z. Mediu ka urdhëruar Sekretarin e Përgjithshëm të MM të lëshojë leje eksporti të materialeve ushtarake, për një subjekt të palicencuar.
Në mbështetje të këtij urdhri, në datë 28.12.2007, është lidhur kontrata nr. 2 midis ndërmarrjes MEICO dhe kompanisë SAC-ALBADEMIL, me një vlerë totale prej 583.326 dollarë dhe ka filluar procesi i çmontim dhe çmilitarizimit të municioneve të kalibrave 20-152 mm.
I gjithë ky proces çmontimi dhe çmilitarizimi të municioneve të kalibrave 7.62-14.5 mm dhe 20-152 mm, në sasinë rreth 18.000 ton, i urdhëruar nga ish-ministri i Mbrojtjes z. Fatmir Mediu, sikurse Ju kemi parashtruar hollësisht më sipër në këtë kërkesë, është kryer në shkelje të akteve ligjore e nënligjore në fuqi, duke shpërfillur standardet e domosdoshme të sigurisë dhe respektimin e rregullave në kryerjen e këtij procesi çmontimi dhe çmilitarizimi, si dhe duke mos garantuar shmangien e ngjarjeve të jashtëzakonshme që mund të vinin nga ky proces me rrezikshmëri të theksuar për jetën dhe shëndetin e punonjësve të përfshirë në proces, si dhe për jetën, shëndetin dhe pasurinë e të gjithë banorëve dhe bizneseve në rajonin e Komunës Gërdec, e më gjerë.
Shpërfillja e standardeve të sigurisë dhe zbatimit të rregullave gjatë këtij procesi, veç të tjerave, është rrjedhojë e urdhërimeve të kundërligjshme të ish-ministrit të Mbrojtjes z. Mediu, duke shmangur FA nga garantimi i sigurisë së këtij procesi, që në përzgjedhjen e vendit, që do të kryhej procesi dhe deri në shmangien e tyre nga mbikëqyrja e sigurisë ushtarake. I gjithë ky proces i parregullt administrativ, i urdhëruar nga ish-ministri i Mbrojtjes z. Mediu ka mundësuar ndërmarrjen MEICO dhe kompanitë SAC-ALBADEMIL, të realizojnë procesin e çmontimit dhe çmilitarizimit në një situatë kaotike, pa vendosur dhe zbatuar asnjë rregull standard sigurie në administrimin dhe ruajtjen e municioneve, në procesin teknik të çmontimit dhe çmilitarizimit, si dhe në procesin e administrimit të produkteve të dala nga ky proces.
Shoqëritë SAC-ALBADEMIL sh.p.k., gjatë aktivitetit të çmontimit d