Shmrizë, frika e jetës në tokën e mbjellë me predha të paplasura
Krrak! Bashkë me thyerjen e zhurmshme të një dege të thatë, dëgjohet edhe britma triumfuese e Mylazimit.
Nga I DERGUARI YNE NE Gramsh, Babai i djalit të vrarë një vit më parë në fshatin Shmrizë të Gramshit, nga shpërthimi i një predhe, ka gjetur provën që pretendonte. “E gjeta një, e gjeta!...”, thotë dhe zbret nga rrëpira që gjendet vetëm 20 metra larg poligonit, ku dikur një kompani britanike si dhe Ministria e Mbrojtjes bënin çaktivizimin me shpërthim, të predhave luftarake të formatit të madh. Në dorë mban një predhë të ndryshkur, të rëndë, të cilën me t’u afruar e vendos me kujdes përtokë. “Eshtë e njëjtë me atë që më vrau djalin më 1 korrik të vitit të shkuar. Ju thashë se me të tilla është mbjellë gjithë pylli. Nuk e njoh veten për gënjeshtar. Disa nga bashkëfshatarët i kanë gjetur nëpër arat e tyre këtu pranë. Madje njëri ka gjetur katër të tilla. Janë shumë të rrezikshme, pasi dikush, duke prerë dru mund t’i shpërthejë...”, thotë me frymëmarrje ende të pakontrolluar Mylazim Ibrahimi. Më tej heshtje. Me gjithë pamjen e mrekullueshme që realizohet përreth, nga përroi me ujë kristal dhe pylli me koçimaret gjithmonë të gjelbra, mendimet janë përfundimisht të trishta. Njeriu përballë, deri më 1 korrik 2007 kishte qenë i lumtur në varfërinë e vet. Kishte tri djem, një nga të cilët emigrant në Greqi, një shtëpi ku mblidheshin të gjithë, Zoti i kishte dhënë forcë fizike të mjaftueshme t’u vinte rrotull pronave të pakta të përftuara nga shpërbërja e kooperativës dhe në kasolle kishte si gjithë të tjerët, edhe ai një lopë qumështi. Por, një ditë të verës 2006 një dridhje e fuqishme e tokës dhe më tej një re e zezë baroti do të mbërrinte ogurzezë përmbi rreth 100 shtëpitë e fshatit Shmrizë, që ndodhet fare pranë qytetit të Gramshit.
Anglezët e predhave
“Fillimisht kujtova se ishte tërmet”, rrëfen Fatmira Ibrahimi, e ëma e Hysenit, që fiks një vit më pas, në verën e 2007, do të humbte jetën në oborrin e shtëpisë, në sytë e së ëmës. Të interesuar për këto shpërthime fshatarët e Shmrizës kishin mësuar se diku, në ekstremin jugor të fshatit, rreth 3 km më tej, në përrua, ca anglezë si dhe disa oficerë të Ministrisë së Mbrojtjes po bënin shkatërrimin e predhave të vjetra të ushtrisë me anë të metodës së shpërthimit. Por fshatarët, në vitin 2006 nuk ishin bërë më tepër kuriozë. Asokohe, ankthi i skrapit ende nuk i kishte përfshirë dhe më tepër kishin rendur pas dërrasave të arkave me predha. Të njëjtët nuk dinin të përcaktonin as rrezikun në poligone të tilla. Por pas përfundimit të sezonit të çaktivizimeve në vitin 2006, fshatarët ishin bërë keq kur kishin mësuar se dy nga punonjësit në poligon, me skrapin e mbledhur nga predhat e shpërbëra, kishin bërë nga 2-3 milionë lekë të vjetra secili. Kështu, rishfaqja e anglezëve në fillim të korrikut 2007, një vit më pas, ishte pritur me shijen e etheve të floririt. Fshatarët e Shmrizës kishin mbledhur informacion të mjaftueshëm se skrapi mund të shitej në Metalurgjikun e Elbasanit nga 10 deri në 20 lekë për kilogram. Madje tregtarët e shumicës, me të njëjtat çmime, kishin premtuar ta mblidhnin në Gramsh. Për më tepër, anglezët që pas shpërthimeve të para, të kryera aty rreth datës 7 korrik, i kishin lejuar banorët që u ndodhën atje të grumbullonin skrapin. Kaq mjaftoi që pothuaj 80 për qind e familjeve të Shmrizës të mobilizoheshin. Qoftë pesë mijë lekë të vjetra të fituara në ditë nga shitja e skrapit, për banorët e varfër të zonës ishin shumë. “I gjithë fshati, burra e gra, fëmijë e pleq, që mbanin nga kapistalli, gomerë, mushka e kuaj mbi kurrizet e të cilëve ishin montuar kosha të mëdhenj, priste rreth 1.5 km larg poligonit, atje ku kishte një postbllok ushtarak”, rrëfen Zeqjine Mesiti, një komshie e Ibrahimëve. Gruaja thotë se, me qëllim që të gërmonin tokën e poligonit për të nxjerrë copat e predhave, kishin përshtatur ca kazma të shkurtra. “Nuk e dinim se, po të haste kazma në një predhë të paplasur mund të vrisnim gjysmën e fshatit”, shton e njëjta. Por ajo që mund të quhet me plot gojën “sjellje bastardësh”, përftohej në momentin kur realizoheshin të gjashtë shpërthimet. Në këtë kohë një shqiptar, nga ata që përfaqësojë pjesën e padenjë të racës, përkthyes i anglezëve, u bënte shenjë ushtarëve të hapnin postbllokun, duke u gajasur e duke iu drejtuar turmës: Para, para partizanë! Në të njëjtën kohë, sikur të lëshoheshin nga starti i një maratone, pleqtë, gratë, burrat, fëmijët, gomerët, mushkat e kuajt me kosha lëshoheshin turravrap teposhtë. Turma laroshe vraponte për 1500 metra, sikush me qëllimin që të mbërrinte i pari në gropat e poligonit për të mbledhur skrap. A mund të gjendet diku tjetër një pamje më tmerrësisht e frikshme për të ilustruar varfërinë?
Historia e Ibrahimëve
“Në shtator, Hyseni niste vitin e katërt të shkollës së mesme dhe në momentin që ne e kundërshtuam të shkonte te poligoni për skrap na tha se, nuk donte të na rëndonte duke na marrë të holla për shkollën, se këto të holla do t’i fitonte duke shitur hekurishtet. Por meqë i gjithë fshati shkonte atje, nuk e kundërshtuam”, rrëfen të vërtetën e historisë së të birit e ëma e të ndjerit, Fatmira Ibrahimi. Gruas, tashmë të bërë një dorë nga dhimbja, i ka mbetur peng se nuk i mbushi mendjen të birit të linte ata dreq hekurash dhe të ulej të hante drekë. “Nuk kishte ngrënë as mëngjes, as drekë. Ia kisha bërë gati, por ai po merrej me një nga ato predhat e mallkuara. Ndërkohë erdhi edhe i ati dhe i tha të ulej për të ngrënë. Por Hyseni e përcjell edhe të atin, duke i thënë se do vonohej vetëm një sekondë. Në të njëjtën kohë në derën e oborrit u duk Ledio, vërsniku i Hysenit, që e kërkoi të shkonin të laheshin në lumë, por sikur Zoti ta kishte vendosur tashmë, im bir nuk e lëshoi nga duart predhën. Isha brenda në shtëpi kur plasi”, rrëfen nëna me sy të përlotur. Shpërthimi ka ndodhur teksa Hyseni i ulur në një stol të vogël, e kishte predhën para gjunjëve. Copat e metalit pothuaj e prenë atë në mes duke mos kursyer edhe të atin, Mylazimin, që e plagosën në këmbë dhe Ledion, që e goditën keqazi në bark. “Shpërthimi më hodhi në tokë derën e dhomës së pritjes”, rrëfen Zegjine Mesiti, e zonja e shtëpisë fqinje. Gruaja e kishte kuptuar se diçka e keqe kishte ndodhur te shtëpia Mylazimit dhe shkon për ndihmë. “Dhoma pranë të cilës shpërtheu predha i kishte muret të llangosura me copa mishi e gjak. Na u desh ta pastronim dhe lyenim disa herë për ta sjellë në formën që e shihni sot”, rrëfen fqinja. Hyseni, në momentin kur ndodhi ngjarja, vetëm 17 vjeç, dha shpirt rrugës për në spital, ndërsa i ati, Mylazimi dhe vërsniku i tij, Ledio, ishin më me fat. Ata mbijetuan.
Rreziku nga predhat
Një ditë më pas fshatarët e Shmrizës nuk i dëgjuan më shpërthimet në poligon. Madje shpejt u përhap lajmi se, anglezët dhe ushtarakët shqiptarë ishin larguar vjedhurazi, pasi kishin mbartur natën të gjitha pajisjet. Policia lokale që kishte kryer hetimet paraprake kishte mësuar se, predha që i plasi në duar adoleshentit nuk ishte e vetme. Shpejt ishte bërë një plan dhe uniformat blu kishin trokitur derë më derë për të inspektuar skrapin e marrë në poligon. Rezultati kishte qenë mbresëlënës. Në rreth 20 banesa, policia kishte gjetur deri në gjashtë predha të paplasura, të cilat i kishte grumbulluar për t’i shpërthyer një ditë më pas në të njëjtin poligon. Me kaq u duk se gjithçka u mbyll. Madje fshatarët e abandonuan poligonin sikur në këtë mënyrë të ndërmerrnin ndaj tij një ndëshkim. Por lajmi se I. Mesiti, një nga banorët, kishte gjetur të shpërndara në pyll, në largësi nga poligoni, katër predha të paplasura, ishte shpërndarë me shpejtësinë e frikës. Pak ditë më pas edhe I. Brahimasi kishte gjetur në arën e vet një tjetër predhë të paplasur. Ç’kishte ndodhur? Duket anglezët e poligonit dhe ushtarakët shqiptarë që i shoqëronin, ishin shumë më tepër se fajtorë. Pasi ata kishin bërë shpërthimin e predhave në gropa të cekëta, kështu që tritoli i kishte shpërndarë ato të paplasura në katër anët. “Në largësinë 2 kilometra në vijë ajrore nga poligoni janë shpërndarë predha të paplasura. Kam ngritur zërin disa herë, por askush nuk e ka vënë ujin në zjarr”, flet qartazi kryeplaku i fshatit Shmrizë, Sadush Ibrahimi. I njëjti është i ndërgjegjshëm se për shkak të këtyre predhave të shpërndara, sidomos nëpër pyll, mund të ketë tragjedi eventuale. “Më shumë frikë, kam ato që janë shpërndarë në pyll, pasi nuk duken. Do shkojnë njerëzit të presin dru dhe do ndodhë katastrofa. Ushtria duhet të marrë masa që të kontrollojë pyllin një orë e më parë”, shton ai.
Por fshatarët janë të pafuqishëm të ngrenë zërin. Ata nuk i ka dëgjuar asnjëherë, askush. “Unë isha vetëm një anëtar i thjeshtë i këshillit të komunës, kur dy ditë para se të ndodhte tragjedia në familjen e Mylazimit, takova atë përkthyesin e anglezëve. Kujtoj se ishte e premte. I thashë se duhet të bllokohet kjo që po bëni, pasi do të na ndodhë ndonjë tragjedi. Sikur ta parandieja, ngjarja ndodhi dy ditë më pas, të dielën”, përfundon, me pamjen e një të pafuqishmi, kryeplaku i Shmrizës. Ferdinand Dervishi
EOD Solutions
“EOD Solutions LTD”, është kompania britanike përgjegjëse për incidentin, me pasojë vdekjen e një personi dhe plagosjen e dy të tjerëve në Shmrizë të Gramshit. “EOD Solutions LTD” është nënkontraktore e “Armor Group North America”, një kompani amerikane e kontraktuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, që operon prej disa vitesh në Ballkan, për demontimin e municioneve të rrezikshme luftarake
Çekini
Kombinati ushtarak i Çekinit, në Gramsh, nuk kishte lidhje me poligonin e Shmrizës. Predhat që shkatërroheshin në këtë poligon vinin nga depo të ndryshme të ushtrisë dhe pothuaj, të gjitha nuk kishin pjesë bronzi apo bakri, që janë të shtrenjta dhe mund të kalojnë për rishitje pas demontimit industrial. Nga ana tjetër, predhat me gëzhojë bronzi çmontohen në kombinatin e Çekinit
leja e mjedisit
Banorët dhe pushtetarë lokalë pretendojnë se, anglezët dhe Ministria e Mbrojtjes nuk kishin leje nga pyjorja për poligonin e Shmrizës. I pyetur, një nëpunës i Drejtorisë së Pyjeve në Gramsh, mohoi që të kishte leje prej tyre për poligonin, por i njëjti shtoi se, në këtë rast lejen e kishte lëshuar komuna. Gjithsesi, sipas banorëve, poligoni nuk ka qenë aspak i miratuar si i tillë
prokuroria
Prokuroria e Gramshit e mbylli hetimin, pa gjetur fajtorë për vdekjen e një personi dhe plagosjen e dy të tjerëve, si rezultat i shpërthimit të një predhe të marrë në poligonin e Shmrizës për skrap. Sipas prokurorisë, nuk kishte vepër penale të konsumuar nga askush, por ngjarja ishte thjeshtë një “shkaktim vetëvrasje”.
padite
Dy familjet e dëmtuara kanë paditur kompaninë angleze dhe Ministrinë e Mbrojtjes për ngjarjen. Saktësisht,
Mylazim Ibrahimi, ka kërkuar rihetim të çështjes dhe përcaktim të fajtorëve, ndërsa i plagosuri tjetër, Lediu Nasufi, ka kërkuar dëmshpërblim në shifrën 20 mijë euro kompanisë angleze dhe Ministrisë së Mbrojtjes.
Pakujdesia
Edhe pse poligoni i shkatërrimit të predhave në Shmrizë shkaktoi vdekjen e një të riu dhe plagosjen e dy të tjerëve, fshatarët e Shmrizës kanë demonstruar edhe papërgjegjshmëri të mëvonshme. Kështu, u vërtetua se, pas shirave të kohëve të fundit, dikush kishte gërmuar, duke përdorur një kazmë në poligon për të mbledhur skrap