Banka e Shqipërisë për herë të parë publikon një raport mbi stabilitetin financiar
Ervin Koçi
Situata e vështirë financiare si pasojë e krizës botërore ekonomike i ka detyruar dhe institucionet financiare shqiptare që të përshpejtojnë në marrjen e masave të sigurisë. Nisur nga kjo situatë Banka e Shqipërisë do të botojë çdo vit një raport mbi stabilitetin financiar, duke nisur me raportin e parë të saj për situatën aktuale ekonomike në vend. Identifikimi dhe vlerësimi i rreziqeve me të cilat ndeshet sistemi financiar, si dhe marrja e masave përkatëse për korrigjimet e nevojshme, është qëllimi i publikimit të numrit të parë të ”Raportit mbi Stabilitetin Financiar”, nga Banka e Shqipërisë, botim i cili do të vijojë të përgatitet çdo vit nga ekspertët e këtij institucioni. Burime nga Banka Qendrore bënë të ditura se për hartimin e raportit janë shfrytëzuar të dhëna që disponohen në Bankën e Shqipërisë, si edhe është shkëmbyer informacion me autoritete të tjera që mbikëqyrin veprimtarinë e tregut financiar.
Raporti
Sipas ekspertëve të BSH-së mësohet se, “për informacionet dhe materialet e publikuara në këtë raport, është synuar që gjuha e përdorur dhe informacioni që paraqitet, të jenë sa më të përshtatshëm, me qëllim që raporti të lexohet nga grupe të ndryshme interesi dhe publiku në tërësi”. Edhe më herët BSH-ja ka përdorur të njëjtën metodë edhe për informacione dhe materiale të tjera të publikuara nga ky institucion, me qëllim që ato të lexohen nga grupe të ndryshme interesi dhe publiku në tërësi. Kështu, është synuar që gjuha e përdorur dhe informacioni që paraqitet, të jenë sa më të përshtatshëm, duke qenë kështu dhe konform kushteve të kërkuara nga ndërkombëtarët në lidhje me këto materiale informuese. Ky informacion i publikuar bën një pasqyrë të sistemit aktual financiar në Shqipëri, duke realizuar në të njëjtën mënyrë edhe një prej kërkesave të FMN-së në lidhje me transparencën në sistemin bankar.
Paralajmërimet
Të njëjtën rrezik në lidhje me sistemin financiar dhe atë bankar në vend e vunë në dukje edhe vetë përfaqësuesit e FMN-së, në konferencën për shtyp dhënë pak ditë më parë. Ata paralajmëruan se ekonomia e vendit kërcënohet nga shpenzimet buxhetore që mund të bëhen për efekt të fushatës elektorale, ashtu siç ka ndodhur gjithmonë, kur në vend janë zhvilluar zgjedhje. Largimi i Fondit Monetar Ndërkombëtar përpara zgjedhjeve elektorale konsiderohet nga ekspertët një gabim, që rrezikon të ketë pasoja të rënda për buxhetin e shtetit dhe ekonominë e vendit. Ata argumentojnë se mungesa e kontrollit të financave nga një institucion financiar ndërkombëtar si FMN-ja, në një periudhë që favorizon shpenzimet buxhetore pa kriter si ajo e fushatës elektorale mund të çojë në destabilizim të treguesve ekonomikë. Ekzistenca e FMN-së në një situatë të tillë mund të ishte një lloj kufizimi për këtë situatë, kështu që në kontekstin e kësaj situate do të ishte e këshillueshme që FMN-ja të ishte e pranishme, pasi mund të kishte pikëpyetje përsa i përket menaxhimit të shpenzimeve buxhetore në periudhën elektorale, do të ishte më e këshillueshme që të shtyhet, të paktën sa të kalojë situata elektorale.
26 Shtator 2008