E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndalohet 19 vjeçari, plagosi rëndë bashkëqytetarin e tij



ELBASAN - Një 19 vjeçar u ndalua nga policia në orët e para të mëngjesit të djeshëm, pasi ka plagosur me mjete të forta një bashkëqytetarin e tij. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Elbasanit bëjnë të ditur se shtetasi Emiljano Bërdufi, 19 vjeç, lindur e banues në Elbasan u ndalua rreth orës 03.00 të ditës së enjte. Sipas policisë, 19 vjeçari akuzohet se ka goditur me mjete të forta për motive të dobëta A.G., 25 vjeç, i cili aktualisht ndodhet në spitalin kirurgjik në gjendje kritike për jetën.

Operacion antitrafik edhe në Elbasan, bllokohen 3 mjete të vjedhura

ELBASAN - Pas Tiranës, Durrësit dhe Lezhës, operacioni kundër trafikut të makinave luksoze është shtrirë edhe në rrethin e Elbasanit, ku vetëm gjatë 36 orëve të fundit janë bllokuar tre automjete. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se është organizuar operacioni i koduar "Shtatori 2008", i cili ka përfunduar me sekuestrimin e mjeteve dhe ndalimin e shtetasve Selim Bici, Altin Kasa dhe Gentjan Darzeza. Mjetet që kishin në përdorim, rezultuan të vjedhura". Tre shtetasit e ndaluar po hetohen në gjendje të lirë për veprën penale " trafikim të mjeteve motorike".

Vjedhin fabrikën e tullave, kapen tre autorët në flagrancë

KORÇË - Tre persona kanë rënë në prangat e policisë së Korçës, pasi janë kapur në flagrancë teksa kanë tentuar të vjedhin materiale inerte në një fabrikë tullash. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Korçës njoftojnë se ngjarja ndodhi ditën e mërkurë, rreth orës 21:45, kur Robert Hoxhallari, Arzen Muslli dhe Alban Meçollari, të tre lindur dhe banues në Korçë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vjedhur tulla dhe materiale hekuri në fabrikën e Vasil Kapurani, që ndodhet në rrugën nacionale Korçë-Ersekë në afërsi të fshatit Boboshticë. Ata u kapën teksa transportonin mallin me kamionin tip "Volvo” me targa KO 2113 B, me drejtues Arzen Muslli.

Aksidenton dy persona, ndalohet nga rrugorët e Korçës

KORÇË - Një 45-vjeçar është arrestuar nga forcat lokale të Korçës, pasi ndaj tij rëndon akuza për shkeljen e rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë plagosjen e lehtë të dy personave. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut bëjnë të ditur se shtetasi Arben Latifi, lindur dhe banues në Poloskë të Devollit është ndaluar, pasi dy ditë më parë, rreth orës 16:10, në aksin rrugor pranë vendkalimit kufitar të Kapshticës, në Bilisht, ka përplasur dy persona, me mjetin e tij tip "Benz" me targat DV 21710 A. Të aksidentuarit janë jashtë rrezikut për jetën dhe ndodhen në Spitalin rajonal të Korçës. Ndaj 45-vjeçarit Latifi kanë nisur hetimet për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Shpërthimi i bombolës së gazit shkrumbon edhe një banesë në Lushnjë

LUSHNJË – Bombola e gazit është bërë sërish shkas për djegien e një banese në Lushnjë, menjëherë pas incidentit që ndodhi dy ditë më parë në Durrës, ku u shkrumbuan katër shtëpi. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se dje paradite, ka marrë flakë një banesë në në lagjen “Loni Dhamo”, në pronësi të shtetases Lulëzime Kallejxhiu. “Problemi ishte në një bombol gazi të sapombushur që përdorej për gatim”- thanë burimet nga vendi i ngjarjes. Në banesë, në kohën e shpërthimit ndodhej e zonja dhe dy fëmijët e saj, që janë përfshirë nga paniku. Në alarm janë vënë edhe familjet e tjera, që jetojnë ngjitur me banesën në fjalë. Policia është njoftuar menjëherë dhe skuadra zjarrfikëse ka ndërhyrë duke shmangur djegien e shtëpisë. Flakët kanë rrezikuar edhe disa banesa të tjera ngjitur vendit ku u regjistrua vatra e zjarrit. Dy ditë më parë u shkatërruar tërësisht një shtëpi, ndërsa tre të tjera u dëmtuan pjesërisht si pasojë e një zjarri të shkaktuar nga shpërthimi i një bombole gazi në fshatin Bisht-Kamëz të rrethit të Durrësit.

Infeksioni, urdhërohet mbyllja e shkollës 9-vjeçare

GJIROKASTËR - Drejtoria e Shëndetit Publik ka vendosur mbylljen e shkollës fillore “Së bashku”, në qytetin e Gjirokastrës. Lajmi është dhënë nga vetë specialistët e drejtorisë, pas konstatimit të një sërë problemesh që kishte ajo dhe mundësisë për të qenë një burim i vërtetë për përhapjen e infeksioneve. Shkolla publike ndodhet në lagjen “Zinxhira” të qytetit dhe fillimisht ka pasur për destinacion arsimimin e fëmijëve të komunitetit rom. Por duke qenë se frekuentimi i tyre nuk ka qenë ai i prituri, shkolla u popullua edhe me nxënës të tjerë. “Vendimi është marrë sepse godina ka probleme të mëdha. Sipas specialistëve të DSHP, ajo është me lagështi, nuk ka furnizim të vazhdueshëm me ujë dhe konsiderohet si vatër infeksioni”. Vendimi pritet të zbatohet sot, ndërkohë që fëmijë që mësojnë në këtë shkollë do të mbeten pa mësim, deri në përmirësimin e kushteve hijeno-sanitare.

26 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›