Defektet dhe remontet, ndërprerje drastike e dritave në të gjithë vendin
Sipas drejtorit të Përgjithshëm të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së energjisë elektrike, Sahit Dollapi, furnizimi për dimrin është i garantuar. Këtë deklaratë ai e bëri në një intervistë televizive dje. Por ndërkohë, edhe pa ardhur periudha e konsumit më të lartë të vitit, gati në të gjithë vendin vazhdojnë ndërprerje të gjatë të energjisë, me justifikime të ndryshme, ose pa justifikim fare. Kështu, për tri ditë me radhë, qyteti i Vlorës do të ketë mungesë energjie elektrike për shkak të një remonti që po kryhet në linjën e transmetimit të tensionit të lartë. Kufizimet, që prej dy ditësh, kryhen në oraret prej orës 9 të mëngjesit deri në orën 15. Kjo ka bërë që qytetarët e Vlorës t'u kthehen përsëri gjeneratorëve. Sipas kreut të OSSH-së për zonën Vlorë-Fier, këto kufizime do të përfshijnë edhe Fierin. Në qytetin e Shkodrës, kufizimet kryhen çdo ditë për dy orë, prej një kohe të gjatë, ndërkohë që në Korçë, gjithashtu, qytetarëve u hiqet e drejta e energjisë për 3-4 orë në ditë. Ndërkohë që në këto dy qytete jepet si shkak remonti, në Kukës, ku energjia mungon 4-5 orë në ditë, drejtuesit e OSSH-së nuk japin asnjë arsye për ndërprerjet. Edhe në Elbasan energjia mungon rregullisht 2 deri 4 orë në ditë. Ndërkohë, në kryeqytet, kryesisht në periferi, ditët e fundit ka pasur probleme në furnizim, në mënyrë të çrregullt, nga 1 deri në 5 orë në ditë. Problemet e energjisë nuk janë zgjidhur nga qeveria, edhe pse në bankat private dhe në shtet ndërmarrja tashmë ka marrë 150 milionë euro borxhe.
26 Shtator 2008