E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banka e Shqipërisë vendos sistem të ri kontrolli ndaj tregut bankar

Në dy raportet e fundit rreth kontrollit dhe monitorimit të sistemimit bankar në vend, Banka e Shqipërisë konstatonte disa mangësi në zbatimin e detyrave të lëna nga kjo e fundit. Nisur nga kjo, Këshilli Mbikëqyrës i BSH-së, ka miratuar këto ditë rregulloren "Për sistemin e kontrollit të brendshëm në bankat dhe degët e bankave të huaja". Sipas vendimit, kjo rregullore është hartuar në përputhje dhe në zbatim të dispozitave të ligjit "Për bankat në Republikën e Shqipërisë" dhe konsideron standardet minimale të Komitetit të Bazelit për kontrollin e brendshëm, Direktivën Evropiane, si dhe eksperiencat e vendeve të tjera, lidhur me rregullimin e veprimtarisë së kontrollit të brendshëm në banka dhe degët e bankave të huaja. Rregullorja fokuson procesin dhe sistemin e kontrollit të brendshëm në bankat dhe degët e bankave të huaja, si pjesë e rëndësishme e qeverisjes së përgjegjshme të bankave. Kjo parasheh kërkesat dhe rregullat për organizimin e kontrollit të brendshëm, të zbatueshëm nga subjektet e kësaj rregulloreje. Ajo përfshin disa kritere bazë, që synojnë promovimin e një sistemi të mjaftueshëm të kontrollit të brendshëm, si faktor kryesor në drejtimin dhe administrimin e bankave. Mësohet se, rregullorja do të hyjë në fuqi pasi të botohet në Fletoren Zyrtare të Republikës së Shqipërisë. Po ashtu, së shpejti pritet të publikohet Raporti Vjetor i Bankës së Shqipërisë për vitin 2007, i cili do të paraqitet në Kuvendin e Shqipërisë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›