E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bankat, 95 për qind e aktiveve të sektorit financiar

02/07/2009  Numërohen 16 banka

Sektori bankar mbizotëron sistemin financiar edhe në Shqipëri. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se aktivet e sektorit bankar llogariten në rreth 95 për qind të totalit të aktiveve të sektorit financiar në Shqipëri ose rreth 80 për qind të PBB-së. Aktualisht sektori bankar numëron 16 banka me rreth 500 degë, të gjitha private dhe ku mbizotëron kapitali i huaj. Me kalimin e kohës, ky sektor ka rritur numrin e degëve, ka përmirësuar produktet e tij për publikun dhe ka rritur rolin e tij ndërmjetësues. Sektori bankar ka qenë një kontribues i rëndësishëm në rritjen ekonomike, duke ruajtur në të njëjtën kohë zhvillimin e qëndrueshëm të biznesit dhe treguesit e shëndetit financiar. Pavarësisht ecurisë së qëndrueshme gjatë viteve të fundit, Banka e Shqipërisë, bën të ditur se në rolin e saj si autoritet monetar dhe si mbikëqyrësi ekskluziv i sektorit bankar, ka qenë vigjilente në identifikimin e fushave të veprimtarisë bankare, që kërkojnë më tepër vëmendje nga kjo industri. Ekspertët bankar vërejnë se, treguesit e performancës financiare kanë qenë mjaft të kënaqshëm. Veçanërisht në tre vitet e fundit, sektori bankar ka prezantuar një infrastrukturë moderne për kryerjen e pagesave si dhe produkte, të cilat mundësojnë rritjen e përdorimit të mjeteve elektronike të pagesave dhe të internet banking.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›