Bushati vijon numërimin e kutive të votimit
02/07/2009 Në KZAZ-në e Bushatit 4 kuti janë kontestuar nga palët si të parregullta, ndërkohë që pas zhbllokimit procesi i numërimit të votave ka vijuar normalisht. Deri në mbrëmjen e djeshme numri i kutive të mbetura pa u numëruar në KZAZ ishte 15, ndërkohë që kreu i saj, Ndue Doda, ka konfirmuar se procesi po shkon në rregull. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mesditën e djeshme emëroi Dodën në krye të KZZ-së në Bushat. Doda ishte zëvendësimi i dytë pas Ylber Tahirit, pas kërkesave të subjekteve zgjedhore. Procesi i numërimit të votave në KZAZ-në nr. 41 në komunën e Bushatit, që përfshin zonën e Mbishkodrës, u zhbllokua pas rreth 14 orë ndërprerje. Fillimisht procesi i numërimit të votave u ndërpre për shkak të dorëheqjes së kryetarit dhe sekretarit të kësaj KZAZ-je dhe rifilloi në orët e vona të natës të së martës, pas zëvendësimit të komisionerëve nga KQZ-ja. Pas disa orësh punë, procesi u ndërpre përsëri nga ndërhyrja e kandidatit socialist Tomë Doshi, i cili për të shmangur një përplasje mes komisionerëve të majtë dhe të djathtë, i tërhoqi komisionerët majtë për pushim. Procesi rifilloi më pas për të përfunduar numërimin e 38 kutive të fundit që kishin mbetur në këtë qendër.