Gripi i derrit, prindërit në panik për fëmijët për prekjen nga virusi
Emanuela Sako
Pas lajmit se një fëmijë 4-vjeçar mund të jetë prekur nga virusi AH1N1, prindërit janë vënë në panik për fëmijët e tyre. Mjekët pohuan dje se është shtuar numri i vizitave në Pediatrinë e Tiranës dhe poliklinika. Gjatë dy ditëve të fundit janë kryer mbi 300 vizita të fëmijëve në të gjitha institucionet shëndetësore në Tiranë. Prindërit janë vënë në panik për shkak të frikës që ekziston nga infektimi i virusit tek fëmijët e tyre. Megjithatë, specialistët e ISHP-së shpeshherë kanë bërë deklarata për të mos pasur frikë nga rreziku i virusit, pasi sëmundja është e kurueshme dhe për më tepër nuk është shfaqur në formën e saj agresive.
Situata
Më të shqetësuar janë ata prindër që çojnë fëmijët e tyre në kopshte apo çerdhe. Në këto ambiente publike rreziku nga një përhapje e mundshme e virusit është më i madh, për shkak të qëndrimit të fëmijëve me orë të zgjatura. Ndërkohë që vendi ynë ende nuk ka marrë ndonjë masë për parandalimin e përhapjes së virusit në vendet publike. Pavarësisht se më i rrezikshëm dhe më tepër mundësi përhapje virusi ka në ambientet e kopshteve, çerdheve, apo shkollave. Aktualisht, autoritetet shëndetësore nuk kanë vendosur asnjë masë zbatuese për parandalimin e virusit, por trajtohen vetëm rastet që paraqiten vetë në spitale dhe poliklinika. Dy dit pas deklaratës së bërë nga ISHP-ja për rastin e fëmijës 4-vjeçar, specialistët kanë përmendur faktin se tashmë edhe fëmijët janë në listën e të rrezikuarve. Ky fakt ndryshon rrjedhën e përkujdesjes ndaj të gjitha kategorive që rrezikohen të preken, pasi deri tani më të prekurit kanë qenë të rinjtë. Ndryshe nga çfarë kishin deklaruar më parë specialistët, se gripi nuk është treguar agresiv te fëmijët dhe pleqtë në vendin tonë, tani gjithçka do të analizohet më me prioritet.
Çështja
Më problematike situata qëndron në mospërdorimin e Tamiflusë tek të vegjlit. Ky është një çështje që prindërit nuk dinë se si të trajtojnë fëmijën e tyre në rast se vërejnë simptomat, duke marrë parasysh dhe vonesat e analizave që vijnë nga Rumania. Autoritetet shëndetësore të OBSH-së deklaruan se Tamiflu ka më tepër efekte anësore sesa pozitive tek fëmijët. Ndërsa kurimi i tyre me Tamiflu, në rast se ekzaminimet nuk janë të sakta është edhe më tepër problematikë. Greqia është vendi i parë që e ka përjashtuar Tamiflunë nga mbulesa vaksinale për fëmijët e vegjël nën moshën 12 vjeç. Ndërsa në vendin tonë nuk ka asnjë deklaratë publike nga Ministria e Shëndetësisë lidhur me këtë çështje.
13 Gusht 2009