Presidenti i Kosta Rikës, Oscar Arias i infektuar me A/H1N1
Virusi i gripit të derrit ka mbërritur në institucionet më të larta shtetërore në botë. Mediat botërore bëjnë të ditur se Presidenti i Kosta Rikës, Oscar Arias është infektuar nga virusi A H1N1. Qeveria e vendit njoftoi shtetasit e saj se presidenti është prekur nga virusi dhe gjendja e tij shëndetësore është e mirë. Presidenti Arias është bërë kështu kryetari i parë i një shteti në botë që preket nga gripi i derrave. Fituesi i Çmimit Nobel, Oscar Arias, 68 vjeç, nuk u ndje mirë fundjavën e kaluar dhe kërkoi që t’i bëheshin analizat për virusin H1N1. “Pas rezultateve të testit, presidenti është informuar se është infektuar nga virusi i gripit të derrave H1N1”,- deklaroi Rodrigo Arias, shefi i stafit të kabinetit dhe vëllai i presidentit. Presidenti Arias, i cili sipas një zyrtari tjetër të qeverisë vuan nga astma, ndodhet në shtëpi dhe do të pushojë deri në fillim të javës tjetër. Duket se virusi i gripit të derrit nuk kursen asnjë pavarësisht masave që presupozohet se janë marrë nga çdo shtet i botës. Gripi i derrave, i shpallur pandemi në qershor te këtij viti ka marrë jetën e më shumë se 800 personave në të gjithë botën dhe shumë të tjerë janë prekur nga ky virus.
13 Gusht 2009