E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bankat, Grabiten 50 milionë

18/02/2010 Ngjarja afër Drejtorisë së Policisë, dy autorët shfrytëzuan pakujdesinë e punonjësve të bankës

Deri më tani asnjë person në pranga. Grabitësit ndryshojnë taktikën e vjedhjes

TIRANE- Dy persona të maskuar kanë sfiduar policinë e kryeqytetit, duke mundur të grabisin një shumë financiare prej mbi 50 milionë lekë të vjetra në njërin prej filialeve të “Bankës Kombëtare Tregtare”, që ndodhet në rrugën “Myslim Shyri”, afër Drejtorisë së Policisë të Qarkut Tiranë. Ngjarja është regjistruar mëngjesin e djeshëm, ku dy shtetas të maskuar dhe me armë, kanë përfituar nga mungesa e rojës dhe teknikut të kamerave, duke hyrë me shpejtësi në ambientet e bankës. Në një kohë fare të shkurtër, (rreth 5 minuta) dy personat, që sipas dëshmitarëve mund të kenë qenë të moshës 25-30 vjeç, kanë dalë me një çantë të mbushur plot me para, duke u larguar më këmbë në drejtim të paditur. Sipas policisë, autorët e krimit kanë pritur fillimin e punës në ambientet e brendshme të bankës, dhe më pas janë futur me qëllim zbatimin e planit për vjedhjen e lekëve. Ka qenë pikërisht ora 8:40, kur dy protagonistët, ende të paidentifikuar nga policia, kanë gjetur të papërgatitur punonjësit e bankës, të cilët pas thirrjes së grabitësve: “Uluni në tokë, se do qëllojmë”, janë fshehur poshtë tavolinave të punës. Menjëherë pas kësaj, autorët i janë drejtuar kasafortës, e cila sapo ishte hapur nga punonjësit me qëllim fillimin e aktivitetit financiar të bankës për ditën e mërkurë. Aty autorët kanë përlarë një shumë financiare që nga përllogaritjet rezulton më shumë se 50 milionë lekë të vjetra dhe që sipas drejtuesve të bankës, i përkiste monedhës së huaj dhe asaj shqiptare. Pas këtij momenti, dy autorët e maskuar janë larguar me shpejtësi, duke marrë me vete edhe shumën e konsiderueshme të parave. Ndërkohë lidhur me ngjarjen e rëndë është lajmëruar menjëherë policia, e cila ka mbërritur me shpejtësi në vendin e krimit. Nga veprimet e para hetimore ngjarja u klasifikua si tepër e veçantë, pasi duke iu referuar ngjarjeve të mëparshme, grabitësit e bankave kanë vepruar në orët e pasdites dhe jo paradites. Madje, burimet shtuan se koha ka treguar se krime të kësaj natyre janë shfaqur kryesisht në zonat periferike të kryeqytetit. Për të ndërtuar mekanizmin e ngjarjes, policia dhe prokuroria e Tiranës kanë marrë në pyetje të gjithë personelin e filialit të bankës “BKT”. Gjatë përfundimit të kësaj procedure, hetuesit arritën në konkluzionin se në kohën kur grabitësit hynë në bankë, s’ka qenë në shërbimin e planizuar polici privat dhe përgjegjësi i kamerave të sigurisë, i cili është personi kryesor që ka mundësinë t’i japë sinjalin “SOS” qendrës. Në ndihmë të policisë aktualisht është edhe Shoqëria e Ruajtjes dhe Sigurisë Fizike, e cila është kontraktuar nga “BKT”-ja për ruajtjen e sigurisë së filialeve të saj.

1 milion për informatorin

Shtatë orë pas grabitjes së Bankës Kombëtare Tregtare, policia e Tiranës, nëpërmjet një deklarate publike, ka njoftuar se ka vënë në dispozicion shumën prej 10 milionë lekë të vjetra për personin që jep informacione të sakta lidhur me identitetin e dy autorëve të krimit. Aktualisht uniformat blu s’kanë asnjë person konkret të dyshuar dhe në këtë mënyrë kanë zgjedhur këtë formë hetimi. Policia fton të gjithë qytetarët dhe dëshmitarët që të telefonojnë në numrin pa pagesë 129 dhe 069 41 04 111. Deri më tani uniformat blu s’kanë rënë në gjurmët e ndonjë personi të dyshuar, çka tregon se plani i vjedhjes është detajuar me shumë përpikëri nga autorët.

Vitin e kaluar, persona të armatosur kanë mundur të hyjnë në ambientet e bankës “Raiffeisen Bank” që ndodhet tek ish-restorant “Durrësi”, duke përlarë prej andej një shumë financiare 7 milionë lekë të vjetra. Aktualisht autorët janë të paidentifikuar.

Dy javë më parë, në rrugën “Bardhyl” dy persona me një armë lodër kanë grabitur 3 milionë nga filiali i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes. Lidhur me këtë ngjarje, policia deri më tani s’ka identifikuar ndonjë person konkret që është autor i krimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›