E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria vendos të shkurtime në masën 20% pwr periudhën 2011-2013

18/02/2010 Rrudhen shpenzimet, por nuk preken fushat e përcaktuara si prioritare

Qeveria shqiptare pritet të adaptojë një politikë, të cilën e ka cilësuar si agresive, në mënyrë që të mundësohet ulja e borxhit publik të vendit. Kjo lëvizje financiare do të ndërmerret duke rrudhur shpenzimet në masën 20 për qind, pa prekur fushat të përcaktuara si prioritare për ekzekutivin. Gjithë kjo do të kryhet duke vendosur tavane buxhetore për periudhën 2011-2013. Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar gjatë mbledhjes së djeshme të Komitetit të Planifikimit të Strategjive se tavanet buxhetore për periudhën 2011-2013, të propozuara nga Ministria e Financave për të adaptuar një qëndrim të ri të Qeverisë, janë në interesin më të mirë të ekonomisë shqiptare dhe të zhvillimit të vendit ndaj deficitit buxhetor dhe borxhit. “Ministria e Financave, me mbështetjen dhe miratimin tim të plotë, kërkon që këtë vit të likuidojë kredinë që ne morëm vitin e kaluar. Ajo kredi u mor në kushte të një krize botërore dhe, vetëkuptohet, në kushte dhe interesa rënduese. Këtë vit parashikimi është shumë më pozitiv”, ka deklaruar kreu i Qeverisë. Sipas tij, interesi i bankave më serioze të Evropës për eurobondet e Shqipërisë, që emetohen për herë të parë në historinë e vendit, është i lartë. Por, sipas tij, Qeveria duhet të jetë realiste, pasi pjesa dërrmuese e këtyre fondeve do të përdoret për të likuiduar përfundimisht kredinë që morëm vitin e kaluar, në mënyrë që interesat e saj të mos rëndojnë në borxhin dhe financat shqiptare. Për të arritur likuidimin e kësaj kredie nga njëra anë dhe zbatimi i shkurtimeve të shpenzimeve në masën 20% me qëllim zvogëlimin e deficitit buxhetor dhe zvogëlimin progresiv të borxhit publik të vendit, në opinionin e Kryeministrit kërkon një përqasje të re ndaj të gjitha parashikimeve të bëra. Vendimi për shkurtimin e shpenzimeve në masën 20% për periudhën 2011-2013 duke vendosur tavane buxhetore, duket se vjen edhe për shkak të pasojave në Shqipëri të krizës ekonomiko-financiare globale. Por vendimi, ashtu sikundër u theksua edhe nga kreu i Qeverisë, nuk do të prekë ato fusha strategjike, si: rritja e rrogave e pensioneve, ndërtimi i akseve të rëndësishme rrugore, investimet në shëndetësi dhe arsim, për arsye të faktit se trendi i rritjes ekonomike në vendin tonë është pozitiv. Gjatë mbledhjes, Kryeministri Berisha është shprehur se kjo masë është e domosdoshme për të pasur një stabilitet makroekonomik të garantuar, por edhe për të pasur një reputacion evropian e botëror të domosdoshëm për besimin e investitorëve të huaj. Berisha kujtoi se Qeveria gjendet para proceseve shumë të rëndësishme, privatizimit të plotë të aseteve publike. Përveç digave, shkollave dhe spitaleve, pasuritë e tjera në këtë vend do të jenë private.

Nuk preken nga shkurtimet

Rrogat dhe pensionet

Nuk preken akset kombëtare, që përbëjnë edhe betejën tonë për transformimin e Shqipërisë në këto katër vjet. Rruga e Arbrit, autostrada Tiranë-Elbasan, Korçë-Qafë Plloçë dhe boshti i jugut do të ndërtohen

Nuk do të preken fondet për arsimin

Nuk preket reforma në sistemin shëndetësor në vend

Kujdes me shpenzimet për Forcat e Armatosura

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›