E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reshjet, nis rreziku i rreshkitjeve

18/02/2010 Andi Lila kryetar i Komisionit të Menaxhimit të Tokës në Këshillin Bashkiak: Duhet studim

Kodra e Durrësit rrezik

shembjeje, protestojnë banorët

XHEVAHIR GRADICA

DURRES- Dhjetëra banorë që kanë ndërtuar shtëpitë e tyre në kodrën e Durrësit kanë dalë dje në protestë duke akuzuar bashkinë për indiferentizëm në drejtim të masave për rrëshqitjet dhe kërcënimin e banesave të tyre nga rrëshqitja. Shumë shtëpi e objekte të tjera të ndërtuara në kodrat e Durrësit kanosen nga ky fenomen si pasojë e shirave të vazhdueshëm duke rritur numrin e banesave në hartën e riskut. Kodra që nis nga zona e Currilave dhe deri në pjesën skajore në Porto Romano ka paraqitur probleme ngase është vërejtur rrëshqitje masive.

Rreziku

Në Komisionin e Menaxhimit të Tokës është thënë se nuk bëhet fjalë për zgjidhje emergjente, pasi masivi kodrinor me përbërje argjilore të rëndë ka shfaqur shumë vatra rreziku duke e bërë të detyruar ndërhyrjen në saj të një projekti të veçantë. Andi Lila, në cilësinë e kryetarit të Komisionit të Menaxhimit të Tokës në Këshillin Bashkiak, ka apeluar për domosdoshmërinë e një studimi të mirëfilltë. “Nuk bëhet fjalë më për emergjencë, pasi prej disa ditësh e gjithë kodra në të gjitha anët e saj ka shfaqur rrëshqitje duke rrezikuar jetën e banorëve”,-u deklarua Lila. Në fundjavë Currilat dhe banorët e atjeshëm u bllokuan plotësisht ngase masivë me dhera dhe baltë zunë rrugën, ndërsa të gjitha lokalet buzë detit në Currila u mbyllën nga paniku. Dje e njëjta situatë është shfaqur edhe në dy pika të tjera, në majë të kodrës pranë Fenerit dhe në rrëpirën në Porto Romano. Sipas Lilës, që mbështetet në relacionet e specialistëve e gjithë kodra e Durrësit rrezikon të fundosë një pas një shtëpi e objekte banimi nga rrëshqitja e argjilat në masive të mëdha. Edhe tre ditë pas bllokimit të rrugës për në Currila, zona është e izoluar ngase dy fadromat e kanë masur të pamundur të përballojnë “prurjet” nga kodra të baltës dhe materialeve të tjera. Tek kodra pranë vilës janë 12 shtëpi banimi që tani janë izoluar nga balta, e cila ka vënë në mes shtëpinë dhe ka kaluar deri në afërsi të dritareve të katit të parë. Familjarët kanë lënë shtëpitë, pasi askush tani nuk afron asnjë siguri për gjendjen e banesave, ndërsa orë pas ore objektet që përfshihen në vatrën e rrezikuar rritet. ALUIZNI nuk ka legalizuar në këtë pjesë të kodrës 70 shtëpi duke paralajmëruar banorët për ndërtimet në vende të rrezikuara. Por Lila ka bërë të ditur se gjatë inspektimit që ka bërë dje së bashku me specialistë ka vërejtur se tek Fari janë hapur edhe 6 themele të tjera, ndërsa kjo pikë është vetëm 2 m larg rrëpirës së zhveshur, e cila rrezikon t’i shembë shtëpitë në det. “Bashkia duhet të ndërhyjë para se të ndodhin viktima nga rrëshqitjet e dherave”,-ka apeluar Lila, i cili ka qortuar qëndrimin e bashkisë për zhvillimet e fundit. E njëjtë duket situata edhe në anën tjetër të “litarit” të kodrës, në vendin e quajtur Porto Romano atje ku përfundon masivi kodrinor i qytetit. Për shkak të gërryerjes së kodrës nga ana e detit shkëmbi ka pësuar çarje të mëdha dhe kjo çarje i është afruar banesave. Janë 11 shtëpi në këtë zonë periferike që pritet të përballen me fatin e hidhur, të cilat sipas kryetarit të Menaxhimit të Tokës në Komisionin Bashkiak, duhet të braktisin sa më parë shtëpitë. Më shumë se 20 kamion gjatë gjithë verës kanë gërryer shkëmbin e kodrës duke marrë qindra m3 inerte, ndërsa bashkia nuk ka mundur të ndalojë prishjen e ekosistemit të zonës me policinë e saj bashkiake. Një tjetër banesë që duket në majë të kodrës nga bregu i detit në Currila ka humbur shumë terren, pasi dheu pjesë-pjesa ka nisur t’i marrë hapësirë. Të gjitha rrugët e rrugicat në këtë pjesë tashmë të populluar të kodrës kanë lëvizur nga shtrati duke u bërë të pakalueshme dhe kjo vetëm për shkak të rrëshqitjes. Gjithandej në Durrës diskutohet për këto rrëshqitje tek kodra, pranë Currilave, në afërsi të vendit të quajtur “Stanet” e Durrësit, tek pika e vrojtimit, pranë Marinës, në Porto Romano etj. Kodra e Durrësit për shkak të përbërjes argjilore të tokës ka shfaqur fenomenin e “ecjes’ së tokës dhe kjo e bën të pamundur ndalimin e fenomenit. Deri para viteve ‘90 e gjithë kodra ka qenë e populluar me banesa vetëm për shkak të pasigurisë që afron. Ndërtimet në faqe të kodrës, mbi kodër dhe në rrëzë të saj kanë vënë në dyshime jetën e banorëve në periudha me reshje të ngarkuara.

Mallakastër, banorët kërkojnë ndihmë

Në prag shembjeje 8

shtëpi në fshatin Damës

MALLAKASTER- Shkarjet e kodrës në zonën e Fratarit në Mallakastër në një lagje të quajtur “Damës” nga vendasit, bëjnë që nga çasti në çast shtëpitë e banorëve të mund të bëhen pluhur. Tetë shtëpi mund të përfundojnë në këmbët e kësaj kodre, ku është ndërtuar kjo lagje. Banorët e tyre pohojnë se gjithçka ka ndodhur 48 orë e fundit. Shtëpitë e tyre janë ndërtuar qysh prej kohës së monizmit me lejen e pushtetit të asaj kohe. Banorët kërkojnë ndihmë nga shteti për të përballuar këtë situatë. “Ka shkarë i gjithë mali dhe na ka ardhur këtu pranë”, pohojnë banorët. “Janë 8 shtëpi shumë keq, më të rrezikuarat, ndërsa 5 të tjera gjithashtu janë në rrezik. Duam ndihmë nga shteti. Se shteti nuk mund të bëjë sehir, kur masivi i dheut të na zërë brenda”, ka pohuar Sabire Hamitaj banore e këtij fshati. “Të gjitha materialet kanë shkuar dëm”,-thonë banorët. “Ne jemi të rrezikuar në çdo kohë, ndaj duam zgjidhje”. Kreu i kësaj komune Sabire Hoxha u shpreh se ka përgatitur me specialistë të saj një dokumentacion për këtë ngjarje natyrore dhe ia ka dërguar këtë këshillit të qarkut dhe institucionit të prefektit. “Ne kemi konstatuar familje që janë të rrezikuara në lagjen “Damës”, familjet Mukaj”, thotë Sabire Hoxha. Po kështu në lagjen “Goricë” të fshatit Kremenar. Kemi dërguar shkresa zyrtare dhe presim përgjigje prej tyre. Gjendja është e keqe, sepse ka shkarje masive të dherave, ka banesa të ngritura pas vitit 1990 dhe në vitet e mëparshme. Në akset e tyre rrugore që të çon në Mallakastër ka sërish shembje të rrugës. Po ashtu ka shembje dhe në vendin e quajtur “Gryka e Povlës” që lidh Ballshin me fshatrat e thella të Mallakastrës ka shembje të rrugës. A. Damini

Izolohen qindra banorë

Shkarja e dherave, bllokohen

rrugët në Poliçan e Bogovë

POLIÇAN- Reshjet e shumta të ditëve të fundit kanë bërë që shumë rrugë rurale në rrethin e Skrapari, por dhe në Poliçan të bllokohen si pasojë e shkarjes së dherave duke sjellë probleme tek banorët e zonave. Kështu sipas burimeve nga qyteza e Poliçanit mëngjesin e sotëm një masiv dheu ka shkarë duke shkatërruar rrugën që çon për në varrezat e qytetit, por dhe tek qendra e fëmijëve të ngujuar. Burime thanë se mëngjesi i djeshëm e ka gjetur Poliçanin me dy rrugë të bllokuara, brenda qytetit çka ka vënë në vështirësi në lëvizjen e lirë të qytetarëve. Menjëherë janë marrë masat nga ana e bashkisë se masivet e dheut të përfunduara në rrugë të s’postohen për të mos penguar qarkullimin e qytetarëve, por situata vazhdon të mbetet e rëndë, pasi për shkak të terrenit të thyer shkarjet vijojnë ende. Por, dhe më problematike situata paraqitet në komunën Bogovë të rrethit të Skraparit. Kjo komunë është shkëputur krejtësisht nga fshatrat e saj, pasi rrugët lidhëse për shkak të terrenit të thyer janë bllokuar nga shkarja e dherave të shumtë. Problematike paraqitet situata dhe në fshatin Novaj të kësaj komune, ku shkolla e fshatit nuk ka mundur t’i hapë dyert gjatë ditës së djeshme, për shkak se rrezikon shembjen. Rreth 50 metra linearë rrugë në këtë zonë rezulton e bllokuar si pasojë e shkarjes. Burime nga komuna Bogovë thanë se mëngjesi i djeshëm ka gjetur të bllokuara të gjitha rrugët që lidhin 5 fshatrat me këtë komunë dhe me njëri-tjetrin. Komuna është shkëputur krejtësisht nga fshatrat e saj, pasi rrugët lidhëse për shkak të terrenit të thyer janë bllokuar nga shkarja e dherave të shumtë. Kryetari i komunës Bogovë, Jonuz Gorezhi, pohon se rreth 50 metra linearë rrugë në këtë zonë rezultojnë të bllokuar. S. Gorrica

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›