KRISMA E KUTIVE TE KRIZES
18/02/2010 Demokracia demonstrohet në parametrat e vlerave demokratike nëpërmjet sistemit zgjedhor, që provohet në mënyrë empirike apo racionale mbi vërtetësinë dhe garancinë që ka vota elektorale. Po t’i kushtojmë vëmendje ndryshimeve që kanë ndodhur në këto 20 vjet pluralizëm, në fushën e demokracisë elektorale, do të vërejmë se janë krijuar kushte të mjaftueshme, por jo kushtet e domosdoshme që përfaqësojnë sferën e interesave reale të qytetarit, që shprehet nëpërmjet votës. Struktura shoqërore e votuesit tonë është heterogjene, ku tradita dhe kultura elektorale është e varfër për nivelet dhe standardet etike që kërkohen për t’ju bashkangjitur vendeve evropiane me demokraci të zhvilluar. Shqipëria trashëgoi një nivel të lartë arsimor të përgjithshëm, teknik e shkencor, por një kulturë politike të mangët. Kjo situatë ka sjellë pështjellime dinamike në të gjitha fushatat zgjedhore, për rrjedhojë ka deformuar rezultatet reale të votuesve. Në zgjedhjet e 2009-ës pati një anomali e konfuzion që e prodhoi modifikimi i ligjit zgjedhor, ku informacioni politik, njohja e kodit zgjedhor, interesi e vëmendja e publikut u çorodit nga keqinformimet, saqë në një farë mënyre individi e humbi pavarësinë vepruese. Tradita jonë elektorale, duke ardhur nga një sistem i mbyllur, totalitar, me një propagandë unicentrike, manifeston edhe një indoktrinim për rolin e liderit, duke injoruar opinionin e publikut. Në shoqëritë demokratike të modernizuara, opinioni i publikut përfaqëson një faktor të fuqishëm, minues. Në rast se duam që ndërtesa e demokracisë që po ndërtojmë të mbështetet në themelet e vërtetësisë, paanësisë dhe korrektësisë relative në procesin e zgjedhjeve elektorale, duhet të respektojmë zërin e opinionit publik. Opinioni publik është përgjigjja që i jepet një dileme, padrejtësie apo kontestimi të një procesi të diskutueshëm. Diagnoza dhe terapia e zgjedhjeve të 2009-ës nuk është përcaktuar ende maksimalisht. Imazhi i Shqipërisë, me konfliktet që prodhuan këto zgjedhje, është me kosto, që u kontestua si gjithmonë nga ndërkombëtarët. Marrëveshja apo konsensusi midis pozitës dhe opozitës tregoi se janë dobësuar sustat e autoritetit politik të liderëve dhe kërkojnë një kundërbalancim nga një autoritet më i lartë, siç është në rastin konkret Presidenti i Republikës. Për të mbijetuar, demokracia duhet që të shfrytëzojë çdo dije, aftësi dhe udhëheqje moderatore. Suksesi për të zgjidhur krizën politike varet nga cilësia e udhëheqjes dhe karakteri e vitaliteti i popullit. Opinioni publik duhet parë si një model qëndrimesh dhe një grumbull kërkesash që mbështeten në inercinë e fakteve dhe tensionin e idealeve demokratike. Publiku nuk është aspak një “fantazmë,” siç e kanë etiketuar disa pseudo-opinionistë, kameleonë të politikës apo politikanë të mazhorancës. Përderisa publikut ka të drejtën e autonomisë, opinioni publik është një protagonist që ngre peshë në suksesin apo dështimin e politikës shqiptare. Demokracia te ne funksionon mbi marrëveshje të fshehta të liderëve brenda koalicionit PD-LSI, për interesa trafiqesh të pasurisë kombëtare. Procesi i formimit të opinionit nuk fillon nga populli, por i injektohet atij dhe kalon nëpërmjet popullit. Situata konfliktuale pozitë-opzitë precipitoi me ndërhyrjen e ndërkombëtarëve, si: ambasada e SHBA-ve në Tiranë, OSB-eja dhe diplomacia e akredituar në Tiranë. Nga bisedimet e imponuara, ku mblesi është Presidenti i Republikës, Bamir Topi, që i uli në tavolinë të negociojnë dy rivalët PS-PD, që nuk kanë moral dhe pikëpamje të përbashkëta, pa i paragjykuar, priten fryte të hidhura. Tensioni, konfliktet, acarimet që çuan në pragun e krizës, ishin rrjedhojë e papjekurisë politike të liderëve të mazhorancës. Gjuha e përdorur nga lideri i opozitës, Berisha, e ka shprehur në mënyrë emocionale gatishmërinë se do zbatojë të gjitha pikat e rezolutës të KiE-së, por pa hapur kutitë e votimit. Kjo ironi ngjan me historinë e kambanës, që kishte pushuar të binte për 40 arsye. Një prej arsyeve ishte se mungonte gjuhëza. Edhe pohimi i Berishës është analog. Hapja e kutive të votimit, do të mbyllte një “varrezë” që po i vjen era e keqe e kufomës, që mbahet në arkivolin e manipulimit, për 20 vjet radhazi. Hapja e kutive të votimit nuk është një privilegj që i bëhet faktorit opozitar miks, të majtë e të djathtë, ndaj duetit të mazhorancës plëngprishëse. Ulja në tryezën e Presidentit të Republikës duhet të shërbejë për të kapërcyer gardhin e izolimit të demokracisë për kapriço gjelash, për t’u hapur rrugë politikave evropiane të integrimit të vendit. Kryeparlamentarja e Kuvendit të PD-së, s’u ngrit dot kurrë në nivelin e Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, për të cilën lançohet. Kryparlamentarja e Kuvendit u plevitos në këtë acar dimri, duke udhëtuar si maratonomake në rrugët e atdheut, me urën e zjarrit në dorë, që e mban lart si pishtar duke ua treguar të majtëve nën kërcënimin: “Do t’ju djeg mandatin.” Në këtë krizë institucionale roli i saj duhet të ishte për t’u ngritur mbi palët, për të arritur një marrëveshje oportune në shërbim të demokracisë. Një model i kësaj sjellje ka qenë qëndrimi i Kryetarit paraardhës të Parlamentit, profesor Servet Pëllumbit, që për asnjë rast nuk e identifikoi veprimtarinë e tij parlamentare me atë të partisë ku aderonte. Standardet e sotme demokratike kërkojnë një kulturë politike elitare, gjithëpërfshirëse, larg militantizmit ekstremist. Hapja e kutive të votimit është një ogur i mirë për të sotmen dhe të ardhmen e demokracisë. Kutitë e votimit nuk duhet ta trembin mazhorancën hibride, sepse ato nuk janë si kutia e Pandorës, që po u hapën, do të dalin prej tyre poshtërsitë njerëzore. Në rast se nuk do të hapen kutitë e votimit, kujën e krismës së kutive të krizës do ta dëgjojnë shqiptarët si një ritual të përjetshëm.