E Diel, 1 Nëntor 2026

Rreziku më i madh që i kanoset kësaj krize

Ndriçim Kulla

Kur flitet me një shpeshtësi të padëgjuar ndonjëherë e për një kohë shumë të gjatë, për një vlerë, virtyt, të mirë apo të drejtë, të lind gjithmonë dyshimi se kohët, në të cilat ato përfliten, janë kohë jo vetëm nervoze, por veçanërisht të cekëta a sipërfaqësore. Aq sa ajo e mirë zvogëlohet dhe hollohet gjithnjë e më shumë në sytë e njerëzve, përtej vlerës së qenësishme që duhet të zotërojë në të vërtetë. Aq sa virtytet morale dhe politike duket të bëhen gjithnjë e më të rralla: veçanërisht ato të ushtruara në sferën publike dhe të mbrojtura nga simbole të tillë emblematikisht jetë-gjatë si kushtetuta, ndarja e pushteteve, vota e lirë, demokracia, etj. Mirëpo kohët nervoze janë kohë kur valëviten me më shumë fuqi se kurrë flamujt e vlerave, ashtu siç pat shkruar Karl Shmit, në sprovën e shkurtër, por gjeniale, të vitit 1960, me titull “Tirania e vlerave”. T’i shpëtosh vlerat nga deformime të tilla çjerrëse është urgjente, sepse është përsëri e gjithmonë që në emër të vlerave dhe parimeve, që duhet të korrigjohet ky deformim.
Nëse vlerat janë një qëllim, mjetet duhet t’u përshtaten shumëllojshmërisë së përdorimit të vlerave. Nëse pushojnë të jenë të tilla, përballja bëhet e egër, madje “mizore” dhe “vlera fituese” (në këtë rast precedentit të cilit do t’i hapet rrugë në të ardhmen) arrin të fitojë statusin apo pozicionin e vlerës jo vetëm supreme, por edhe unike. A s’i ngjan vallë një përplasje të tillë e gjithë beteja shumë-mujore e politikës shqiptare midis dy vlerave kryesore, të valëvitura si flamuj nga palët, siç janë demokracia dhe vota e lirë, Kushtetuta dhe ndarja e pushteteve? Po përfundimi i kësaj krize, a mund të na çojë në vendosjen e një precedenti të rrezikshëm, në diktimin e një vlere jo më vetëm supreme, por edhe unike? Patjetër që po. Atëherë ja tek na vijnë në ndihmë filozofët dhe mendimtarët, që për të shmangur ushtrimin e tiranisë së vlerave në demokraci, më shumë se për vlera parapëlqejnë të flitet e të mendohet për parime, norma apo për të mirën e përbashkët, që priret drejt të menduarit afatgjatë.
Vlera unike, ashtu si dhe mendimi unik, ua pret krahët vlerave të tjera, duke arritur kështu të krijojë ç’ekuilibra të dëmshëm. Ja pse nuk mund të peshojmë se cila vlerë bazë është më e rëndësishme. Pasi, një peshim i tillë parathotë o luftë politike e stërzgjatur dhe sfilitëse për ekonominë, apo më thjesht, e të gjithëve kundër të gjithëve ose konformizëm i tejshtrirë dhe hipokrizi e pafund, që i ka kaluar të gjitha caqet. Kjo do të absolutizonte gjithashtu edhe të gjitha mënyrat e ruajtjes së demokracisë dhe institucioneve të saj.
Atëherë ç’duhet bërë? Në kushte të tilla rrezik-mbartëse nga të gjitha pozicionimet, duhet të ushtrohet domosdoshmërisht ajo kulturë e filozofisë politike moderne, e shprehur më së miri nga Albert Hirschman në termin “vetë-përmbysje” (auto-soversion) ose “kapërcim i vetvetes”. Praktimi i një kulture të tillë do të qe praktikimi i një vullneti të përpiktë, me dëshirën për ta menduar demokracinë shqiptare në perspektivën afatgjatë. Pikërisht për shkak të radikalizimit të kësaj përballje të rrezikshme, politika shqiptare duhet t’i largohet praktikës që e ka karakterizuar deri më sot; praktikës që në raste konfliktesh të ashpër e shihte të binte në pakte apo konsensus palësh. Jo, kush ka me vete të drejtën, ai duhet të diktojë dhe pala tjetër duhet të tërhiqet, “përtej” çdo çmimi. Pasi tek mëshimi i kësaj “përtej” varet ekzistenca apo jo e një politike që do të hapë një stinë të re në historinë e demokracisë shqiptare. Kjo sjellje kompromisi në filozofinë politike përkthehet në një sjellje që nuk i shkon përshtat mënyrës bashkëkohore “të të bërit”, por mënyrës së vjetër (të viteve ‘1900) “të të qenit”. Ja, pse pyetja themelore që shtrohet është: ia vlen të këmbëngulet akoma në vijimin e zgjedhjes sistematikisht të të keqes më të vogël, në një kohë kur qëndresa ndaj saj është degradimi i institucioneve demokratike. E rrjedhimisht çdo palë duhet të pyesë veten, nëse situata është vërtet kaq e degraduar dhe e varfër në alternativa, sa të diktohet domosdoshmërisht një klasifikim i tillë midis dy të këqijave, duke harruar zgjedhjen e së mirës.
Ekonomia e të këqijave është një përdorim antik sa vetë bota, por a ia vlen ta kthejmë atë në një aksiomë. Në përgjigjen e kësaj pyetje gjendet porta e së ardhmes së demokracisë sonë. E kjo sepse politika shqiptare rrotullohet prej vitesh të tëra rreth konceptit, tashmë të kthyer në normë, të zgjedhjes së të keqes më të vogël në rast konfliktesh e krizash të mbështjellë me petkun e kompromiseve dhe të lëvduar si ekuilibër politik. Këtë normë e patën brendësuar të gjitha opozitat e këtyre viteve, kërkon ta bëjë edhe opozita e sotme, me flamurin e mendimit të ri. E kanë mbrojtur dhe e mbrojnë partitë e vogla (ose satelitët e koalicioneve të mëdha), të shfaqura kështu të moderuarat e situatës jo për zgjedhje, por për llogari afat-shkurtra apo për besnikëri konformiste ndaj prirjes mbizotëruese të politikës. Këtë e provojnë të gjitha ato lloj zgjidhjesh që në këto dy dekada kanë ardhur jo në bazë të besnikërisë ndaj normave dhe frymës së ligjeve të demokracisë, por marifeteve e kleçkave të kompromiseve dhe konsensuseve, që kanë pasur për themel përdorimin e vlerave si mjet dhe jo si qëllim.
Të shmangësh të keqen më të madhe është vërtet diçka e mirë, e dobishme, por e keqja më e vogël lë pas gjithmonë diçka të dykuptimtë, të ligshtë për t’u zhvatur e që s’është e thënë të japë përherë fryte të shëndetshëm. Ja, pse ka ardhur koha t’i jepet fund njëherë e mirë kësaj praktike. Klasifikimi i fajeve dhe së keqes është një aktivitet mijëvjeçar i njeriut. Filloi që në shekullin e IV p.e.s. dhe ishte Shën Agustini ai që ndërfuti në vlerësim përllogaritjen ekonomike të dëmeve që ato shkaktojnë. Më vonë filozofi i madh Fuko këtë do ta quante një teologji ekonomike. Duke u shekullarizuar, e keqja më e vogël nuk synoi më në përkryerjen dhe transformimin e jetës dhe njeriut, por në optimizimin e ekzistencës dhe të së keqes. E duke pushuar së qeni një etapë e një udhëtimi drejt përsosjes, siç qe në fillim, u tret dhe u bë pjesë përbërëse e demokracive të brishta, madje sinonimi i tyre. E ka përshkruar atë në mënyrë mjeshtërore Hanah Arendt, duke marrë për referim politikën e viteve ‘50-‘60.
I ndodh çdokujt të kërkojë të keqen më të vogël në jetën individuale dhe publike. është momenti në të cilin ai nxitet taktikisht, t’i shpëtojë zgripit të humnerës të së keqes. Në politikë shtyjnë drejt këtij veprimi maturia e tepruar, dinakëria, por kurrë largpamësia, perspektiva afatgjatë. Kështu, e keqja më e vogël rrezikon të instalohet në marrëdhëniet e përhershme politike, të shndërrohet në koncept të qëndrueshëm të demokracisë, në vend të një koncepti nomad, kalimtar, siç duhet të jetë në të vërtetë. Ky është rreziku më i madh që i kanoset kësaj krize, kjo është tabela e rrezikut për demokracinë tonë, më shumë se sa vlerat që valëviten si flamuj. Këtë gjë, Arendt e shpjegon mirë duke thënë: Të shtyrë shpesh nga dëshira për t’u mbrojtur nga të këqijat e mëdha, të këqijat më të vogla, në shumësinë e tyre, kanë arritur të na çojnë përsëri drejt së keqes më të madhe. Të fiksuar nga e keqja absolute, mësohemi kështu, të mos shohim lidhjen e ngushtë midis së keqes më të madhe dhe së keqes më të vogël. Edhe vetë mendja dhe arsyeja bëhen memece, kur kristalizohet në normë e keqja më e vogël. Jo më, një praktikë e tillë. Jo më tolerim ndaj kërkesave të tilla politike, sepse kush e ushtron synon ose harron se në fund të fundit ka bërë një zgjedhje në favor të së keqes. Në kujtesë kjo zgjedhje zhduket shpejt, transformohet dhe natyralizohet. Në politikë, diçka e tillë ndodh duke transformuar përjashtimin e një ligji në rregull të tij. E kur natyralizohen përjashtime apo masa të tilla të jashtëzakonshme, ato dalëngadalë edhe normalizohen e nisin të zbatohen gjithnjë e më shpesh. Mirëpo duke i zbatuar këto masa më shpesh, çdo lloj ndjenje apo qasje ndaj së keqes humbet fuqinë jo vetëm te politikanët, por edhe në tërësinë e kombit. Ne si votues, si zbatues të demokracisë, si njerëz që duam të zgjedhim klasën tonë politike, nuk kemi aspak nevojë të vihemi gjithmonë për të zgjedhur midis së mirës dhe së keqes, e më pas midis shkallëve të së keqes. A e ka menduar vallë politika diçka të tillë? Pse në zgjidhjet e saj të deritanishme gjëja më e mirë, edhe pse mund të jetë e kushtueshme, e dhimbshme, vetë-kapërcyese e gjithçka e tillë si kjo, anashkalohet gjithmonë, për të gjetur një rrugë-dalje të lehtë dhe palë-fituese të së keqes më të vogël, kompromisit, marifetit, e kushedi çfarë tjetër. Në një kohë kur kësaj i thonë të bësh një politikë të re: ta flakësh njëherë e mirë këtë praktikë gërryese të politikës shqiptare, të dalësh “përtej” ideologjisë dhe mos ta zbulosh identitetin tënd te virtyti i moderatizmit pragmatist. Jo më zgjedhje në favor të këtij virtyti, sepse në vetvete ai është një kurth nëse qenia e tij anfibe dhe miopia e perspektivës afat-gjatë, i lë palët të heshtin për këto rreziqe. Ne kemi nevojë të vihemi përballë zgjedhjesh që kanë të bëjnë me programe, administratorë, strategji, jo në favor të një akti besimi apo besnikërie ndaj një partie, lobi apo ideologjie. Ne kemi nevojë të zgjedhim njëherë e mirë në favor të së mirës së përbashkët, të madhështisë së ligjit, të Kushtetutës, e kështu me radhë, që janë porta e së ardhmes së demokracisë sonë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›