E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çmimi i dritave, kategoritë që do kompensohen me 640 ekë



nertila maho

Edhe pse me tre muaj vonesë, Qeveria vendosi dje të kompensojë me 140 lekë rritjen e çmimit të dritave. Vendimi ka hyrë në fuqi menjëherë dhe i shtrin efektet që nga data 1 janar e këtij viti. Pra, të gjithë ata që përfitojnë kompensim të faturës së energjisë, do të marrin paratë edhe për tre muajt që kaluan. Sipas vendimit të djeshëm, kompensimi nga 500 lekë në muaj, bëhet 640 lekë. Kompensimi shërben vetëm për bandën deri në 200 kilovat. Nga ana tjetër, çmimi i energjisë u rrit me 10 për qind për këtë bandë, nga 7 lekë/kilovati për 300 kilovatët e parë në 7.7 lekë/kilovati. Sipas vendimit, kompensimin 640 lekë në muaj për faturën e dritave e kanë familjet, të cilat trajtohen me ndihmë ekonomike, si dhe familjet, që kanë në përbërje anëtarë me aftësi të kufizuar. Këto të fundit duhet të kenë një dokument KMCAP. Përfituesit e dytë janë pensionistët, “kryefamiljarët, që përfitojnë pension invaliditeti shtetëror, dhe nuk kanë anëtarë të familjes të punësuar në sektorin publik ose të vetëpunësuar në sektorin privat”. Pjesa tjetër e përfituesve janë administrata me paga të ulta, nën 35 mijë lekë. “Familjet e punonjësve buxhetorë, me pagë mujore bruto nën 35 mijë lekë në muaj, kur punonjësi është kryefamiljar dhe nuk ka asnjë anëtar të familjes të vetëpunësuar në sektorin privat”. Të tre këto kategori, do të marrin shtesën e kompensimit edhe për muajt që kanë kaluar, që nga rritja e çmimit të energjisë. Pra në përfitimin që kategoritë do të marrin në prill, do të jetë sa për katër muaj. Sipas vendimit, përfituesit, që kompensohen për të përballuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike, do të përcaktohen nga institucionet përkatëse ku përfituesi merr pagën, pensionin dhe përfitimet e tjera, kundrejt deklarimit personal të përfituesit. Pra, duhet që kërkesa të bëhet nga vetë personat që plotësojnë kushtet e kompensimit. Por Qeveria ka parashikuar edhe penalitete. “Marrja e përfitimit pa deklarim dhe kundrejt deklarimit të rremë përbën shkelje administrative, përkatësisht, për dhënësin dhe për përfituesin e kompensimit. Përfituesi i kompensimit detyrohet ta kthejë përfitimin e padrejtë dhe përjashtohet përgjithmonë nga e drejta e përfitimit të kompensimit për energjinë elektrike.”
Në buxhetin e shtetit, fondi për kompensimin e energjisë elektrike është rreth 10 milionë USD. Me rritjen e kompensimit, pritet që edhe fondi të rritet, por Qeveria parashikoi dje që shpenzimet shtesë të përballoheshin nga paratë që ishin përcaktuar më parë për Ministrinë e Punës.

ERE, Nepravishta: Pas 30 prillit, s’ka fatura afrofe
Kompania CEZ ka marrë përsipër kompensimin e faturave të energjisë së muajit dhjetor për konsumatorët familjarë shqiptarë. Kështu ka deklaruar dje kryetari i Entit Rregullator të Energjisë, Bujar Nepravishta në komisionin parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese. Gjatë raportimit për raportin vjetor, Nepravishta ka “pasur një shkelje të vendimit tonë, por jo vjedhje. Sipas Nepravishtës, OSSH ka shkelur vendimin e ERE duke nisur faturimet nga data 20 dhjetor deri më 20 janar, pra 10 ditë me çmimet e muajit janar. “Ne, lidhur me këtë problem kemi thirrur krerët e saj për informacion. është detyrimi i tyre që të bëjnë kompensimin, OSSH e pranoi këtë detyrim dhe doli publikisht dhe e deklaroi. Ka keqinterpretim lidhur me faturat e dhjetorit. Akuzohet OSSH se duke faturuar faturat e dhjetorit me çmimin e janarit vjedh janarin, nuk është kështu. Në këtë rast OSSH vetëm shkel vendimin e ERE, kurse konsumatori nuk i merr më shumë se bëhet postim i vitit financiar, nga 15 dhjetor 2009 më 15 dhjetor 2010”, tha Nepravishta. Ndërsa bëri të ditur se deri më 30 prill, OSSH do të vendosë të gjitha matësat e energjisë dhe pas kësaj date nuk do të ketë më fatura afrofe. Pyetjes së deputetëve në lidhje me ndërtimin e një centrali bërthamor të energjisë, Nepravishta iu përgjigj se “duhet kujdes, pasi një gjë e tillë kërkon marrëveshje ndër rajonale, pasi një central bërthamor është rrezik jo lokal, por rajonal”. “Ne se trajtojmë këtë problem se kuadri rregullator është i posaçëm. Flasim si specialistë, por jo me detyrim ligjor. Duhen shumë marrëveshje ndërkombëtare se risku është rajonal. Agjencia për Energjinë nukleare do të hedhë hapat e duhura për të krijuar kuadrin ligjor, do kërkohen dhe investime të mëdha se Qeveria parashikon që investimi të jetë privat”, tha Nepravishta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›