E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edukimi si proces evolutiv

Ilir Kalemaj

Një nga shënjuesit kryesorë të diferencimit socio-kulturor, por edhe politiko-ekonomik të vendeve të Perëndimit ndaj atyre të Lindjes (në kontekstin evropian), është padyshim niveli aktual i edukimit të popullsisë, si dhe tradita në këtë fushë. Me këtë kemi parasysh se sa është përqindja e analfabetizmit, sa është përqindja e nxënësve që kryejnë të plotë arsimin e detyruar, sa prej tyre mbarojnë gjimnazin dhe shkojnë në shkollë të lartë si dhe numri i atyre që vazhdojnë studime të thelluara. Gjithashtu, i rëndësishëm është evoluimi historik, pasi ndihmon të kuptojmë disa nga shkaqet strukturalë që kanë penguar/stimuluar trendet që vihen re në ditët e sotme. Për shembull, disa nga qendrat universitare të para në Evrope janë Universiteti i Bolonjës, themeluar më 1088-ën, Universiteti i Parisit, dy vjet më vonë apo Universiteti i Oksfordit më 1096-ën. Qendra ekselence këto, që vazhdojnë të ruajnë traditën e shkëlqyer edhe sot e kësaj dite. Por si paraqitet situata në disa prej vendeve të rajonit ku bëjmë pjesë dhe a mund të hiqen paralele mes zhvillimit që ka pasur arsimi në trojet shqiptare me disa nga fqinjët e drejtpërdrejtë?
Për të cituar vetëm disa nga të dhënat që gjejmë për evolucionin e sferës së institucioneve në Republikat ish-Jugosllave, duke iu referuar Ivo Lederer-it, gjejmë se në Pashallëkun e Beogradit, që në 1810-ën kishte dy shkolla fillore. Në Mal të Zi shkolla e parë u themelua më 1834-ën. Për të mos folur për Kroacinë, që numëronte njëzet e katër shkolla fillore, që në 1767-ën, apo Slloveninë, që në mes të shekullit të 19-të numëronte më tepër se 1000 shkolla fillore. E njëjtë paraqitet gjendja edhe për sa u përket gjimnazeve dhe shkollimit të mesëm profesional, ku Kroacia kishte 8 të tillë dhe një institut pedagogjik në të njëjtën periudhë, ku i pari ishte themeluar që në shekullin e 16-të dhe Akademinë e Zagrebit (pararendësen e universitetit shtetëror) themeluar që në vitin e largët 1632. Serbinë e gjeti dekada e parë e shekullit të 20-të me 12 shkolla të mesme të përgjithshme, dy institute pedagogjike, pesë shkolla tregtie dhe profesionale dhe një universitet. Kjo është pak a shumë panorama që na jepet nga statistikat e disa prej vendeve fqinjë.
Nëse e krahasojmë me disa të dhëna për gjendjen në Kosovë, ku gjejmë të tilla për periudhën pas Luftës së Dytë Botërore te “Kosova: një histori e shkurtër” e N. Malkolmit, gjejmë se “pak para LFD-së kishte vetëm 252 shkolla fillore në Kosovë, të cilat jepnin mësim vetëm në serbisht..., ndërsa rreth fundit të 1945-ës kishte rreth 392, ku klasat në serbisht ishin 392, ndërsa ato shqip 279.” Gjithashtu, i njëjti autor përmend se “për shkak të politikave otomane dhe jugosllave të kombinuara, më tepër se 74 për qind e shqiptarëve të Kosovës mbi moshën 10 vjeç ishin analfabetë. Kishte vetëm 300 mësues, nga të cilët rreth 50 ishin nga Shqipëria. Më vonë, me lëshimet që u bënë me Kushtetutën e 74-ës, shumë pedagogë të UT-ës patën mundësinë të shkonin dhe të punonin në Universitetin e Prishtinës.
Në periudhën e viteve ‘90-të një tablo të gjendjes në arsim në Kosovë na e jep Denisa Kostovicova në librin e saj “Kosova: Politika të Identitetit dhe Hapësirës”, duke u fokusuar veçanërisht tek edukimi paralel, i cili ishte një nga shfaqjet më patriotike të shqiptarëve të Kosovës dhe formë rezistence aktive ndaj represionit në rritje në institucionet shtetërore. Por nga ana tjetër, ky lloj formimi krijoi dhe handikape të rëndësishëm, duke parë mungesat infrastrukturore, si laboratorë etj, por edhe të masës kritike të stafit të kualifikuar, që çon drejt një ridimensionimi dhe energjie të dyfishtë, që kërkohet në këtë periudhë tranzicioni për të rikuperuar kohën e humbur dhe kapjen e “trenit” në kohë. Një ndihmë e shkëlqyer në këtë proces mund të jetë edhe shkollimi, sidomos në nivel pasuniversitar, në qendra ekselence nëpër botë, që shumë shqiptarëve të Kosovës ju dha mundësia të kryejnë gjatë kësaj periudhe. Mekanizmat e Brain Gain natyrisht duhet të luajnë një rol të dorës së parë në këtë drejtim. Por edhe fakti që thuajse të gjithë universitetet kaluan në sitën e vlerësimit ndërkombëtar para pak kohe, mundësoi një reformë të mirëpritur, diferencim mes institucionesh arsimore dhe vendosjen e rregullave të lojës në fazat e para të zhvillimit të këtij tregu të dijes, që në vendin fqinj ende nuk është bitisur. Nëse në Kosovë ka pasur probleme të rëndësishme që nuk lidheshin vetëm me situatën e përbrendshme, por edhe me gjeopolitikën e rajonit dhe mungesën e autonomisë vendore, të paktën deri në ‘74-ën dhe më pas për një periudhë që zgjati mbi një dekadë, në vitet ‘80-të dhe ‘90-të, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për vendin amë, ku megjithëse shkolla e pare shqipe u hap vetëm në 7 mars të 1887-ës dhe universiteti 70 vjet më vonë, në 1957-ën, pra në rastin më të mirë dekada apo shekuj prapa fqinjëve më të afërt, gjasat ishin që zhvillimi të kishte qenë cilësisht më i arrirë. Kjo për shkakun se nuk ekzistonin ato lloj barrierash si në Kosovë, që nuk vareshin prej shqiptarëve, si dhe mundësitë më të mira për shkak se, edhe disa prej profesorëve të brezit të parë kishin formim universitar jashtë vendit në institucione prestigjioze të Lindjes apo Perëndimit, ndonëse këta të fundit më të rrallë. Por fryma dogmatike dhe ideologjike enveriste e mbyti në gjenezë atë lloj mendimi kritik, duke aplikuar një lloj metodologjie të ngurtë sovjetike, si dhe izolimi i gjatë prej gati më se 50 vjetësh, bën të mundur një lloj prapambetje të përligjur, ndonëse irracionale. Gjithsesi një nga meritat e pakta që pati, ishte shkollimi bazë i detyruar dhe kurset kundër analfabetizmit, çka bën të mundur që statistikisht Shqipëria të renditet ndër vendet me shkallën më të ulët të analfabetizmit në botë dhe vazhdimi i kultivimit të pasionit për dijen mbeti në traditën e hershme.
Ky trend pozitiv vazhdon edhe sot dhe treguesit më të mirë janë si rezultatet, përgjithësisht të shkëlqyera, që arrijnë nxënësit dhe studentët shqiptarë nëpër botë, por edhe flukset gjithnjë e në rritje të nxënësve, që mbarojnë shkollën e mesme drejt auditorëve universitarë. Natyrisht, më tepër punë duhet bërë për arsimin e detyrueshëm, atë profesional dhe luftën ndaj analfabetizmit në zonat ku mungon tërësisht infrastruktura dhe ku vazhdon të mos ndjehet mjaftueshëm dora e shtetit. Por disa nga trendet pozitive në reforma si tekstet alternative, Matura Shtetërore, stimulimi i kthimit të trurit, reformat për shpërhapjen e internetit masivisht, çka shërben edhe si kundërpeshë ndaj mungesës së teksteve në disa raste dhe pluralizmin e informacionit, testimi dhe rikualifikimi mësuesve e stafit pedagogjik, vëmendje në rritje ndaj kërkimit shtetëror dhe reforma të ngjashme, duket se janë në rrugë të mbarë dhe në pararojë të sfidave gjithnjë e më komplekse që përballon arsimi. Gjithashtu, sistemi “voucher”, i cili duhet të shkojë paralel me një “rajting” dhe akreditim ndërkombëtar të universiteteve, do shërbejnë si nxitës pozitiv në përmirësimin e cilësisë dhe balancimit më të drejtë të kërkesë-ofertës, duke shmangur konkurrencën e pandershme dhe duke afirmuar vlerat për një sistem cilësisht më të garantuar dhe konkurrues në rajon.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›