Bankat duhet të rrisin nivelin e shërbimeve elektronike për qytetarët

Duke informuar për vizitën e tij në Estoni, Kryeministri u ndal në mënyrë të veçantë, në modelin e suksesshëm estonez të depërtimit të teknologjisë së informacionit në sistemin bankar, si rezultat i të cilës qytetarëve u ofrohen lehtësitë maksimale në kryerjen e veprimeve bankare. “Estonia ka një nivel elektronik të transfertave bankare prej 98 %, si dhe i ka tërësisht elektronike regjistrat e vendit. Disponon gjithashtu të dhënat elektronike më lehtë të gjetshme nga të gjitha qytetarët. Koncepti i tyre është një koncept i provuar si koncept shumë i suksesshëm,” tha Kryeministri.
Kryeministri tha se është e rëndësishme të përfitohet nga kjo përvojë e suksesshme e bankave estoneze, të cilat të mbështetura nga qeveria e vendit, ndërmorën fushatën për edukimin e popullatës lidhur me përdorimin e teknologjisë së informacionit.
“Në themel të suksesit estonez mund tu them se qëndron vendosmëria e bankave estoneze për tu lejuar dhe për të pranuar shërbime on-line klientëve të tyre. Janë bankat ato të cilat ndërmorën fushatën më të rëndësishme për edukimin e përdorimit të e-banking nga qytetare në të katër anët e vendit, por ishte dhe qeveria që organizoi kurse për mbi 100 mijë pensionistë se si të mund të përdorin transfertën bankare, se si mund të marrin pensionet e tyre dhe kjo është shumë ekonomike, sepse në vend të sporteleve dhe ndërtesave në të gjithë rrethet e vendit, do të mjaftonin pajisjet e thjeshta elektronike si shërbim për qytetarët,” – u shpreh Kryeministri.