E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liberalizimi i shërbimeve dhe heqja e licencave prioritet i qeverisë

Gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Kryeministri Berisha tha se liberalizimi i shërbimeve dhe heqja e licencave është prioritet i qeverisë, duke kërkuar nga ministritë heqjen e licencave për të gjitha rastet e mundshme.   

“Ne do të krijojmë klimën më miqësore dhe standardet më liberale. Në shumë aspekte ne jemi shumë mirë. Paketa jonë fiskale është më e shkëlqyera, natyrisht ndonjë taksë me konotacion të dyfishtë duhet të arkivohet. Ne do të heqim licencat në të gjitha rastet e mundshme. Ministritë tona ende merren me licenca hotelesh e vendosje yjesh për to etj.. Por të gjitha këto bien. Licencat do të pësojnë dy fate: më i shkëlqyeri është heqja e tyre dhe së dyti, futja në One stop shop”, u shpreh Kryeministri.

“Tregu, tregu dhe vetëm tregu, - vijoi Kryeministri - duhet të dominojë. Është ai që krijon cilësinë, ul çmimin dhe mundëson shërbimin më të mirë.”

Në këtë drejtim, Kryeministri kërkoi nga Ministria e Drejtësisë privatizimin e shërbimit të përmbarimit dhe liberalizimin e profesioneve të lira, ndërsa nga Ministria e Transportit heqjen e të gjitha licencave për linjat e transportit.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›