E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret Ministrin e Transportit të Landit të Turingut Andreas Trautvetter

Kryeministri Berisha  priti sot në një takim Ministrin e Ndërtimit dhe Transportit të Landit të Turingut në Gjermani, Zoti Andreas Trautvetter. 

Kryeministri Berisha i uroi zotit Trautvetter mirëseardhjen, si dhe i shprehu kënaqësinë dhe vlerësimin e tij për bashkëpunimin mjaft të frytshëm mes Gjermanisë dhe Shqipërisë, duke theksuar se Shqipëria është e privilegjuar që ndodhet në krye të vendeve ku Gjermania investon më shumë.

Gjithashtu, Kryeministri Berisha shprehu falënderimin e tij dhe të qeverisë shqiptare për mbështetjen e Gjermanisë  në marrjen e ftesës për në NATO, si dhe ndihma përmes eksperiencës së vyer të këtij kombi të zhvilluar në ecurinë dhe zhvillimin e shumë fushave ekonomike e sociale për arritjen e standardeve që NATO dhe proceset integruese kërkojnë nga Shqipëria.

Kryeministri Berisha theksoi se investimet dhe mbështetja e Gjermanisë është e shtrirë suksesshëm në të gjitha fushat e zhvillimit të vendit dhe në mbarë zonat e tij dhe është në prioritetin e qeverisë shqiptare rritja e këtij bashkëpunimi.

Ministri Trautvetter, duke e falënderuar Kryeministrin Berisha për mikpritjen, theksoi se qëllimi i kësaj vizite është bashkërendimi me palën shqiptare për ndërtimin e një Qendre të Arsimit Profesional në bashkinë e Kamzës, projekt i cili është vënë në rrugë të mbarë. Në këtë kuadër, Zoti Trautvetter theksoi se gjatë kësaj vizite delegacioni gjerman zhvilloi një sërë takimesh të frytshme me Ministrin e Arsimit, me Ministrin e Transporteve, me Dhomën e Tregtisë, me Shoqatën e Ndërtuesve etj., në mënyrë që projekti i Kamzës të fillojë sa më shpejtë zbatimin.

Kryeministri Berisha, pasi falënderoi Ministrin Trautvetter për angazhimin e tij si dhe zonjën dhe zotin Fisher, të pranishëm në takim, si dy dashamirës dhe miq të Shqipërisë, për ndihmën e tyre në këtë projekt, theksoi se qeveria shqiptare i ka dhënë një rëndësi të madhe zhvillimit të arsimit profesional duke investuar në projekte dhe nisma që do të ndryshojnë raportin mes arsimit profesional dhe atij të përgjithshëm në vend.

Më tej, kryeministri u shpreh se qeveria shqiptare ka hartuar dhe po zbaton një strategji kombëtare për zhvillimin e arsimit, por sigurisht ndihma dhe përkrahja e një vendi të fuqishëm si Gjermania është shumë e rëndësishme në këtë drejtim. Kryeministri theksoi se përgatitja dhe kualifikimi i një brezi të ri përmes shkollave profesionale i japin të rinjve jo vetëm një orientim në tregun e punës, por është edhe pjesë tejet e rëndësishme e procesit të integrimit të Shqipërisë. Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë e tij se kjo qendër e arsimit profesional në bashkinë e Kamzës do të jetë më e madhja dhe do të mbulojë tërë zonën, duke qenë dhe fare pranë Tiranës.

Ministrin Trautvetter tha se ndihma e Landit gjerman të Turingut do të jetë edhe më e gjerë, duke filluar që nga pajisjet e ndryshme për shkollimin profesional, në trajnimin e stafit pedagogjik që do të bëjë kualifikimin profesional, si dhe në fusha të tjera të zhvillimit.

Kryeministri Berisha dhe Ministrin Trautvetter u ndalën edhe në potencialet e shumta të Shqipërisë, të cilat mund të jenë një fushë e frytshme e bashkëpunimit mes dy vendeve, si në shfrytëzimin e potencialeve hidrike, në burimet e tjera të energjisë, në rrjetin e furnizimit me energji etj..

Kryeministri Berisha u shpreh se ka një interes të shumë kompanive nga mbarë bota për shfrytëzimin e potencialeve energjetike shqiptare, ndër to edhe nga Gjermania, ndaj nëse edhe komani të tjera gjermane dëshirojnë të investojnë në këtë fushë, janë të mirëpritura.

Ministri i Ndërtimit dhe Transportit të Landit të Turingut në Gjermani, Zoti Andreas Trautvetter i përcolli Kryeministrit Berisha përshëndetjet e ngrohta të Kryeministrit të Landit të Turingut si dhe ftesën për të vizituar Landin e Turingut, një ndër më të zhvilluarit dhe të pasurit e Gjermanisë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›