E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret Ambasadorin e Tanzanisë dhe Ambasadorin e Irlandës në OKB

Kryeministri Berisha priti sot në një takim Ambasadorin e Tanzanisë, zotin Augustine Mahiga dhe Ambasadorin e Irlandës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara zotin John Paul Kavanagh.
Gjatë takimit Kryeministri Berisha i njohu dy ambasadorët me reformat e gjithanshme që qeveria ka ndërmarrë në kuadër të proceseve të integrimit dhe zhvillimit të vendit. Një temë e rëndësishme e këtij takimi ishte projekti “Një OKB”, në të cilin Shqipëria është përzgjedhur si vend pilot.     

Kryeministri Berisha shprehu vlerësimin e tij më pozitiv për përzgjedhjen e Shqipërisë në këtë projekt midis disa vendeve. Në këtë kontekst Kryeministri vlerësoi ecurinë e mbarë të këtij procesi dhe leverditë e mëdha bilaterale si për Shqipërinë ashtu edhe për Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Nga ana e tij, Ambasadori i Tanzanisë në OKB, z. Mahiga u shpreh i impresionuar me angazhimin politik të qeverisë shqiptare në realizimin e reformave të përgjithshme si dhe për mbështetjen që Kryeministri Berisha dhe qeveria shqiptare i japin procesit të reformave në OKB. “Ne jemi shumë mirënjohës për mbështetjen që Kryeministri Berisha dhe qeveria e tij po i japin këtij procesi. Ne e shikojmë këtë projekt në përputhje të plotë me objektivat dhe prioritetet tuaja kombëtare”, tha Ambasadori i Tanzanisë në OKB. 


Ambasadori i Irlandës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara zoti John Paul Kavanagh, tha se ishte shumë i inkurajuar nga mbështetja që Kryeministri Berisha i jep procesit pilot të OKB-së në Shqipëri.  Ambasadori i Irlandës në OKB Kavanagh, nënvizoi se Shqipëria si një vend vullnetar mbështetës i reformave në Organizatën e Kombeve të Bashkuara përbën një pioner të këtyre reformave.  Ambasadori i Irlandës në OKB tha se OKB shpreson që ky projekt të kontribuojë në integrimin e Shqipërisë në struktturat euro-atlantike.

“Ka një lidhje të fortë mes objektivave të OKB-së dhe objektivave të Shqipërisë. Ne besojmë se shembulli i Shqipërisë  është një eksperiment shumë i mirë për të çuar përpara reformat praktike në bashkëpunimin që OKB përçon në shtetet anëtare”, tha Ambasadori i Irlandës në OKB, duke e cilësuar vizitën në Shqipëri si shumë pozitive.
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›