Në gjashtë muaj do të dorëzohen dyfishi i sipërfaqeve të pyjeve dhe kullotave që janë dorëzuar në tetë vjet të marra së bashku

Mbledhja e sotme e Këshillit të Ministrave mori në shqyrtim dhe miratoi një sërë vendimesh për transferim pronash. Në fillim të mbledhjes, Kryeministri Berisha kërkoi nga Ministria e Mjedisit dhe Ministria e Brendshme të përshpejtohet me hartimin e vendimeve për dorëzimin e sipërfaqeve të pyjeve dhe kullotave, duke qenë se mbetet edhe një muaj nga afati i dorëzimit të tyre në tërësi.
Kryeministri theksoi se parashikohet që në disa muaj ti dorëzohet pushtetit vendor dyfishi i sipërfaqeve të pyjeve dhe kullotave që janë dorëzuar në tetë vjet të marra së bashku.
“ Në rendin e ditës të mbledhjes së sotme janë një seri vendimesh të tjera për transferim pronash. Në këtë kontekst do të kërkoja nga Ministria e Mjedisit dhe Ministria e Brendshme të shqyrtojnë sa më shumë vendime, sepse edhe një muaj është afati që pyjet dhe kullotat të dorëzohen në tërësi. Duhet thënë se është bërë vërtetë një punë e madhe. Parashikojmë që në disa muaj të dorëzojmë dyfishin e sipërfaqeve të pyjeve dhe kullotave që u janë dorëzuar pushtetit vendor në tetë vjet të marra së bashku.” tha Kryeministri