Kryeministri Berisha pret Kryetarin e PDSH-së në Maqedoni, z. Menduh Thaçi
Kryeministri Berisha priti sot kryetarin e Partisë Demokratike të Shqiptarëve të Maqedonisë, zotin Menduh Thaçi. Gjatë këtij takimi u diskutua rreth zhvillimeve më të fundit në Shqipëri, në Maqedoni dhe në rajon. Një temë e rëndësishme e takimit ishte mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare në Maqedoni. Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha vlerësoi rolin e partive shqiptare në Maqedoni dhe ftoi të gjithë qytetarët shqiptarë të Maqedonisë të angazhohen për një proces zgjedhor demokratik, të qytetaruar dhe paqësor.
Tashmë shqiptarët, u shpreh Kryeministri, po krijojnë një traditë të mirë për proceset zgjedhore, të cilët ne besojmë se do të vijnë duke u konsoliduar dhe duke u pasuruar me elementë të një vizioni brenda standardeve europiane dhe të NATO-s. Kryeministri Berisha shtoi më tej se krijimi i kësaj tradite është një nga bazat e fuqishme të garantimit të lirisë, demokracisë dhe të integritetit kombëtar.
“Me kryetarin e Partisë Demokratike të Shqiptarëve në Maqedoni diskutuam në tërësi mbi zhvillimet në Shqipëri, zhvillimet në Maqedoni dhe rajon. Unë e njoha z.Thaçi me risitë e reformës së thellë elektorale dhe reformës kushtetuese si një zhvillim jashtëzakonisht i rëndësishëm për vendin. E njoha gjithashtu zotin Thaçi me reformat në tërësi”, u shpreh Kryeministri Berisha pas takimit.
Kryeministri tha se kryetari i Partisë Demokratike të Shqiptarëve të Maqedonisë, zoti Menduh Thaçi, shprehu përkushtimin dhe angazhimin e tij për të bërë çdo përpjekje për një proces zgjedhor të civilizuar të drejtë dhe të ndershëm. “Unë me këtë rast ftoj të gjitha forcat politike shqiptare dhe të gjithë qytetarët në Maqedoni të japin kontributin e tyre për këtë test të rëndësishëm të demokracisë, i cili kam besim të plotë se do të kalohet me sukses të madh”, nënvizoi Kryeministri.
Nga ana e tij, Kryetari i Partisë Demokratike të Shqiptarëve në Maqedoni, Z Menduh Thaçi, i përcolli edhe njëherë Kryeministrit Berisha përshëndetjet për marrjen e ftesës së anëtarësimit të Shqipërisë në NATO në Samitin e Bukureshtit. “Unë sot pata rastin që në emrin tim personal dhe të anëtarëve të PDSH-së në MAqedoni t`i uroj Kryeministrit Berisha ftesën për në NATO. Unë shpreha mendimin se ky është një sukses i të gjithë shqiptarëve jo vetëm i Shqipërisë. Në të njëjtën kohë e sigurova Kryeministrin Berisha se Maqedonia nuk ka alternativë tjetër përveç alternativës drejt NATO-s dhe Unionit Europian. Mendoj se kjo kohë e humbur do të kompensohet shumë shpejt pas zgjedhjeve dhe Maqedonia do ta marrë ftesën për në NATO”, u shpreh Kryetari i PDSH-së në Maqedoni Menduh Thaçi. Zoti Thaçi tha gjithashtu se e kishte siguruar Kryeministrin Berisha se PDSH në Maqedoni do të bëjë maksimumin si parti qeveritare dhe do të japë kontributin më të mirë për zgjedhje të lira, demokratike e civilizuese.
“Kjo është e rëndësishme për Maqedoninë, por është shumë e rëndësishme për shqiptarët që përfundimisht të japim imazhin tonë të civilizimit dhe demokracisë së vërtetë”, nënvizoi zoti Thaçi.
Nga ana e tij Kryeministri Berisha falenderoi zotin Thaçi për urimin e ftesës në NATO, duke nënvizuar se ai ka qenë ndër të parët që ka përcjellë urimin dhe ka ndarë gëzimin me Shqipërinë për këtë ngjarje historike.
“Dua të përgëzoj qëndrimin e Partisë Demokratike të Shqiptarëve të Maqedonisë dhe të gjitha forcave politike shqiptare në Maqedoni pro-atlantiste, pasi shikojnë tek Aleanca e Atlantikut të Veriut të ardhmen më të sigurtë të shtetit dhe vendit të tyre”, tha Kryeministri Berisha.