Estonia e gatshme për të ofruar ndihmën më të kualifikuar në fushën e teknologjisë së informacionit

- Kryeministri estonez Ansip dhe Presidenti Ilves vlerësuan rritjen e indeksit të depërtimit të IT në shoqërinë shqiptare, nga 4.8 % në vitin 2005, në 19 % në 2008.
Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, Kryeministri Berisha evidentoi faktin se Estonia është një nga vendet me nivelin më të lartë të përdorimit të procedurave elektronike dhe internetit në të gjitha fushat në botë. Kryeministri theksoi se bashkëpunimi 2 vjeçar me Estoninë në fushën e teknologjisë së informacionit, do të thellohet edhe më shumë në të ardhmen.
“Me kryeministrin Andrus Ansip dhe presidentin Toomas Hendrik Ilves diskutuam gjerësisht për këtë bashkëpunim. Kanë shprehur gatishmëri të madhe që të na ndihmojnë në të gjitha aspektet në këtë fushë dhe ky bashkëpunim ka vlerë shumë të çmuar, së pari për të përqendruar të gjithë potencialet tona në mënyrën më racionale në këtë drejtim, për të shmangur gabimet, për të evituar investime të panevojshme.” - u shpreh Kryeministri.
Kryeministri Berisha bëri të ditur se kryeministri estonez Ansip dhe presidenti Ilves shprehën vlerësimin e tyre më të lartë për rritjen e indeksit të depërtimit të IT në shoqërinë shqiptare, nga 4.8 % në vitin 2005, në 19 % në 2008. Kryeministri Berisha theksoi se është e rëndësishme të punohet që kjo shifër në fund të vitit të arrijë në 25 %.
Ndër të tjera, Kryeministri informoi lidhur me vizitën në kolegjin e IT, i cili duhet të shërbejë si një eksperiencë e rëndësishme për mbështetjen e fuqishme që ofronte në sistemin e shkollave të larta, në drejtim të kualifikimit të tyre, orientimit drejt tregut, futjes së teknologjive të reja dhe në tërësi progresit të tyre.
Duke konsideruar përdorimin e teknologjisë së informacionit si një nga përparësitë më madhore, kryeministri kërkoi prej ministrive përcaktimin e një përqindjeje në buxhet, e cila do ti kushtohet teknologjisë së informacionit dhe procedurave elektronike.
“Në buxhet do të përcaktohet përqindja më e lartë e mundshme në fushat tuaja për teknologjinë e informacionit, për procedurat elektronike. Estonia është një shembull frymëzues i arritshëm.” - tha Kryeministri.