E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërtuesit gati paketën antikrizë

15/02/2009  Avenir Kika: Kërkojmë nga bashkia të diferencojë lejet në ndërtim, pasi me to abuzohet

Sektori i ndërtimit kërkon ndërhyrjen e Qeverisë. “Bankat nuk japin më kredi”

Thellohet kriza në sektorin e ndërtimit. Vetë përfaqësues të kompanive serioze e kanë mbyllur vitin 2008-të me shifra negative. Në një kohë kur efektet e krizës globale po vijojnë të godasin eksportet dhe të ardhurat nga emigrantët janë pakësuar, ndërtuesit kërkojnë ndërhyrjen e Qeverisë. Ata u shprehën se do të bëjnë gati një paketë antikrizë dhe do t’ia paraqesin Qeverisë, ndërsa kërkuan gjithashtu miratim të planeve rregulluese, apo punë më të mirë të këshillave të Rregullimit të Territorit. “Ka sinjale se shumë biznese janë në vështirësi dhe po falimentojnë, se numri i të papunëve po rritet. Gjatë vitit të kaluar në ndërtim nuk kanë kryer asnjë lekë xhiro, pra nuk kanë punuar fare mbi 700 shoqëri ndërtimi. Sipas të dhënave, është më i madh se 4 mijë numri i banesave të ndërtuara që akoma janë të pashitura”, - tha presidenti i Shoqatës së Ndërtuesve, Luigj Aleksi. Sipas Avenir Kikës, kreut të Shoqatës së Arkitektëve, problemet në tregun e banesave po vijnë mungesa e likuiditetit, nga frenimi i të ardhurave të emigrantëve. “Megjithatë, do të përgatisim një paketë antikrizë, që do të ishte në mbështetje të ndërtuesve dhe do t’ia paraqesim Qeverisë”, - tha Kika. Në këtë pikë ata i kanë kërkuar ndihmë si Bashkisë dhe Qeverisë. Qeverisë që të mundësojë minimizimin e përqindjeve të kredive. “Ashtu si Banka e Shqipërisë uli normat e interesit, t’i ulin bankat e nivelit të dytë, pasi në fakt kjo masë u zbatua në drejtim të kundërt nga bankat e nivelit të dytë, të cilat gjatë kësaj kohe kanë rritur normat e interesit për kreditë deri në 2 pikë, gjë që i frenon individët që të marrin kredi. Kurse nga bashkia kërkojmë që të mundësohet diferencimi i lejeve që jepen për ndërtim, pasi abuzohet me to”, - theksoi Avenir Kika. Gjithashtu, Shoqata e Ndërtuesve ka kërkuar rishikim të VKM-së nr. 244 për tarifat e pagesës për punët projektuese dhe të supervizionit. “Këto tarifa janë të vjetruara dhe jashtë realitetit. Po punojmë për të përgatitur propozimet përkatëse, të cilat do t’i paraqiten së shpejti institucioneve shtetërore”, - tha Aleksi. Në lidhje me ligjin “Për Prokurimet Publike”, Shoqata e Ndërtuesve ka kërkuar që në rregulloren e re të reflektohen vërejtjet e saj. “Ftesa për ofertë dhe dokumentet e tenderimit për secilin ent prokurues të jenë standarde dhe joevazive. Çdo shoqëri ndërtimi që do të marrë pjesë në një tender, të paraqesë të dhënat e përgjithshme të QKR-së që mund të përmblidhen në një dokument të vetëm, në licencën e Ministrisë së Punëve Publike. Procedurat e vlerësimit të ofertave të marrin parasysh heqjen e kufizimit prej tre vjetësh për punime të ngjashme si një kufizim diskriminues dhe i padrejtë për shoqëritë”, - nënvizojnë ndërtuesit si disa nga kërkesat dhe shqetësimet kryesore. Ata kanë kërkuar po ashtu përmirësimin e komisioneve për vlerësimin e ofertave sa i përket përbërjes dhe kohës së ngritjes së tyre.

Licencimi

Ndërtuesit kërkojnë shtyrje të afatit të licencimit deri në dhjetor të këtij viti. Ministria e Punëve ka licencuar vetëm 850 shoqëri ndërtimi. Realisht janë 2 500 shoqëri aktive, pra rreth 65 për qind e tyre nuk janë licencuar. “Njohja me kriteret dhe procedurat e reja, procesi i aplikimit dhe sigurimi i dokumentacionit kërkonin një kohë të gjatë. Shoqata e Ndërtuesve ka kërkuar zyrtarisht që VKM nr. 42, të rishikohet”, - tha Aleksi.

Detyrimet tatimore

Ndërtuesit kundërshtuan çmimet e referencës të vendosura nga administrata tatimore. “Praktikisht çmimet janë aq dinamike sa, për të njëjtën cilësi të mallit ato ndryshojnë në mënyrë të vazhdueshme brenda të njëjtës ditë. Për këto arsye ne kundërshtojmë me forcë të gjitha këto. Pasi ato flasin hapur për një prirje të dukshme për të ndërhyrë në mënyrë brutale dhe të padrejtë mbi fatin e biznesit”, - tha Aleksi.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›