E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sigurimi i depozitave, gati drafti

15/02/2009  Depozitat

Sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë në fund të muajit nëntor 2008, niveli i depozitave në banka arriti rreth 629.5 miliardë lekë. Në të njëjtën periudhë të një vitit më parë kjo shifër ishte 570.7 miliardë lekë. Pavarësisht kësaj rritjeje, nga shtatori i 2008-s kur totali i depozitave rezultoi në 667.5 miliardë lekë, në tetor 2008 ky nivel ra me 27 miliardë lekë, në një total prej 640.5 miliardë lekë.

Çfarë sigurohet

Është Agjencia e Sigurimit të Depozitave, e cila siguron depozitat e klientëve që mbajnë kursimet e tyre në bankat e nivelit të dytë, pra në të gjithë subjektet që licencohen nga BSH-ja për kryerjen e aktivitetit bankar, bazuar në ligjin “Për sigurimin e depozitave”. Agjencia siguron dhe kompenson mbi bazën e njohjes së pronësisë vetëm depozitat e individëve, pra të qytetarëve.

Efektet e kufirit minimal të depozitave

Eksperti i ekonomisë, Selami Xhepa, është shprehur pak kohë më parë se rritja e kufirit minimal të sigurimit të depozitave do të kishte dy efekte të kundërta. “Skemat e garantimit të depozitave të qytetarëve janë skema të kushtueshme, sepse operohet me fonde, të cilat kontribuohen nga vetë sistemi bankar. Çdo fond i investuar nga bankat në këtë skemë natyrisht që do të thotë që kostot e operimit të sistemit bankar do të rriteshin. Që do të thotë se kredia do të ishte e kushtueshme, që ritmi i rritjes së kredive do të ishte më i ngadaltë dhe për rrjedhojë edhe shkalla e zhvillimit të sistemit bankar në Shqipëri nuk do të ishte ajo që kemi përjetuar deri më sot”, - është shprehur Xhepa.

Sipas ekspertit të ekonomisë, Selami Xhepa, rritja e kufirit do të shtrenjtonte kredinë

Banka i ka kërkuar Qeverisë rritjen e kufirit për sigurinë e parave të qytetarëve

Drafti për rritjen e kufirit minimal të sigurimit të depozitave nga 7 milionë lekë të vjetra në 25 milionë lekë të vjetra është gati. Ai do të paraqitet javën e ardhshme në qeveri për miratim dhe më pas do të kalojë për diskutim në Parlament. Ishte Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, i cili miratoi në mbledhjen e fundit rritjen e kufirit të sigurimit të depozitave, si një kërkesë ndaj Qeverisë.

Kërkesa

Rritja e nivelit minimal të sigurimit të depozitave, në rast falimenti të një banke do të thotë mbulim 100 për qind nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave. Kjo jo vetëm për depozitat në lekë, por edhe për ato në euro dhe dollarë. Ligji shqiptar mbulon nga 3 milionë lekë të vjetra deri në 7 milionë të vjetra në rast falimenti bankar. Individët që kanë depozita nën 25 milionë lekë të vjetra përbëjnë rreth 90 për qind të depozituesve, ndërsa pjesa tjetër luajnë me depozita më shumë se 100 milionë lekë të vjetra. Rritja e nivelit të sigurimit të depozitave sipas ekspertëve të Bankës së Shqipërisë duhet të rrisë besimin e qytetarëve në sistemin bankar dhe rritjen e nivelit të depozitimit në bankat e nivelit të dytë. Sidoqoftë paratë janë më të sigurta në bankë, sesa nën jastëk.

Ekspertët

Muajt e fundit të vitit që lamë pas ekspertët në vend e kanë gjykuar këtë si një masë të kushtueshme për vetë sistemin bankar. Sipas Selami Xhepës, këshilltar për ekonominë, tkurrja e kreditimit është një nga efektet e para që jep kriza financiare globale në vendin tonë. “Do të vëmë re në të ardhmen një tkurrje të aktivitetit kreditues, në një treg më të posaçëm, pra në tregun e kredisë konsumatore, ku edhe shkalla e vlerësimit të riskut të kredidhënies është disi më e vështirë për tu realizuar nga sistemi bankar. Por tkurrja e aktivitetit kreditues do të ketë reperkusionet e veta në kuptimin e ndikimeve negative që ajo do të japë në ritmet e rritjes së ekonomisë”, - është shprehur në atë kohë Xhepa. Qeveritë e vendeve të ndryshme evropiane e rritën gjatë periudhës shtator-tetor nivelin minimal të sigurimit të depozitave deri në 50 mijë euro. Ky fakt ndikoi në tërheqjen e një pjese të mirë të depozitave të emigrantëve në bankat shqiptare, për t’i siguruar ato në bankat e vendeve të huaja ku jetojnë dhe punojnë. Gjithsesi, kjo masë nuk është parë e nevojshme për rastin e vendit tonë. Sipas Selami Xhepës, sigurimi i depozitave do të sillte rritje të kostove të operimit të sistemit bankar si dhe do të shtrenjtojë kreditë.

FMN

Ulja e nivelit të depozitave dhe mungesa e kreditimit për ekonominë mund të sjellë më shumë probleme, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar. Ndërhyrjen e vonuar të Bankës së Shqipërisë për të ulur normat e interesit, ndërsa shumë vende të tjera me probleme të kreditimit vepruan muaj më parë, zyrtari i FMN-së e justifikon me pritjen për t’u rivendosur normaliteti në sistemin financiar. “Pas ngjarjeve të tetorit kishte një farë hezitimi nga ana e depozituesve shqiptarë në se do t’i mbanin kursimet e tyre në bankë dhe në fakt disa i tërhoqën. Banka e Shqipërisë veproi kur u stabilizua besimi. Por a do të jetë e mjaftueshme ajo për të nxitur kreditimin? Do të na duhet të presim”, - është shprehur Gerwin Bell.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›