E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bankat europiane në rrezik kolapsi

Kur kriza financiare goditi botën vjeshtën e shkuar, qeveritë europiane vepruan me shpejtësi për të ruajtur bankat e tyre, ndërkohë që nuk e hodhën kurrë për diskutim mundësinë e shtetëzimit. Por tani, ndërsa bankat e mëdha në anën tjetër të Atlantikut po japin shenja rigjallërimi, një numër i konsiderueshëm bankash në kontinentin e vjetër po zhyten në humbje gjithnjë e më të mëdha. Pak njerëz në botë e kanë dëgjuar bankën KBC. Por kjo bankë belge ka gllabëruar sakaq 41.5 miliardë dollarë financime publike gjatë muajve të fundit për të shmangur kolapsin, megjithatë, sot nuk gjendet në një situatë më të mirë.

Në të gjithë Europën, kreditë e këqija po shtohen me shpejtësi. Agjencia e vlerësimit të produkteve financiare, Moody‘s, deklaroi së fundmi se ka paralajmëruar për rreziqet me të cilat përballen, rreth 30 banka spanjolle. Bankat greke përballen me rreziqe të ngjashme. Kreditë e këqija në bankat ruse kanë arritur në 10 për qind të portofolit. Sipas analistëve, do të duhen shumë vite që bankat europiane të rikuperojnë humbjet që pritet të pësojnë vetëm këtë vit.

Kryeministri i Suedisë, Fredrik Reinfeldt, vendit që mori presidencën e radhës të BE-së dje, paralajmëroi se kriza financiare në Europë është shumë larg përfundimit. Bankat europiane pritet të humbasin edhe 200 miliardë euro të tjera deri në vitin 2010, për shkak të kredive të këqija.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›