E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gati rritja e re e pagës minimale

Vetëm një muaj më parë, qeveria vendosi të rrisë pagën minimale për të punësuarit në privat nga 16 mijë në 18 mijë lekë. Por burime pranë qeverisë, bëjnë të ditur se një rritje e re është përgatitur dhe do të miratohet pas pak. Paga e re minimale pritet të rritet kështu në 19 mijë lekë. Vendimi, në dukje pozitiv për një sasi të stërmadhe shqiptarësh që paguhen me paga shumë të ulëta, në fakt nuk pritet të sjellë rritje pagash, por vetëm rritje taksash për biznesin e vogël, si dhe për industrinë e material-porositësve, të cilët janë edhe /////////////punësuesit më të mëdhenj në Shqipëri dhe që gjatë kohës së fundit janë goditur rëndë nga kriza botërore. Vetëm katër muaj më parë, paga minimale qe 17 mijë lekë. Ajo pritet të ndryshohet për herë të gjashtë brenda katër viteve dhe me rritjen e re, pritet të bëhet 67 për qind më e lartë se në vitin 2005.

Taksë mbi fasonistët

"Rritja e pagës minimale nuk bën asgjë veçse na rrit taksat, ndërkohë që ne kemi mbyllur mijëra vende pune gjatë muajve të fundit", thotë një fasonist, pasi mësoi planin e ri të qeverisë. "Nëse qeveria rrit pagën minimale, kjo nuk do të thotë se unë do të paguaj më shumë për punëtorët. Kjo do të thotë se tatimi mbi të ardhurat personale që si rregull, unë ua mbaj punonjësve nga rroga, do të jetë më i lartë", shtoi ai. Me rritjen e pagës minimale me 1 mijë lekë, qeveria shton automatikisht tatimin mbi të ardhurat personale me 100 lekë, ndërsa në Shqipëri ka rreth 100 mijë të punësuar me pagë minimale. Qeveria pritet të përfitojë miliona euro shtesë gjatë këtij viti përmes kësaj akrobacie dhe duket shumë e etur për para për shkak të rënies së fortë të të ardhurave fiskale, qoftë nga tatimet, qoftë nga doganat.

Politika kryesore e qeverisë gjatë katër viteve të fundit, ka qenë rritja e taksimit të të ardhurave të të varfërve për të kompensuar uljen drastike të tatimfitimit të kompanive të mëdha. Kështu, përveç rritjes së taksimit me mekanizma aforfe si paga minimale dhe pagat referuese, qeveria ka taksuar më shumë cigaret dhe karburantet apo ka taksuar më shumë makinat e vjetra të importit.

Që nga 1 maji, qeveria rriti pagat e sektorit publik dhe pensionet në një kohë që rritja e të ardhurave të buxhetit është zero dhe tani pas zgjedhjeve, qeveria po punon veçanërisht për të kompensuar shpenzimet e bollshme paraelektorale.

Vendimi i djeshëm, për ironi të fatit, rëndon vetëm kompanitë që i kanë punësuar në rrugë të rregullt ligjore punonjësit e vet, por jo kompanitë që punësojnë në të zezë. Vetëm në sektorin me material-porositës, vlerësohet se janë rreth 30-40 mijë vetë të punësuar jashtë skemës së sigurimeve shoqërore, duke përdorur hapësirën ligjore të punësimit me kohë të pjesshme në kushtet e shtëpisë.

Industria e material-porositësve, e cila prodhon veshje, këpucë apo asemblon pajisje elektrike, gjendet në vështirësi të konsiderueshme për shkak të rënies së fortë të kërkesës nga tregu italian e grek. Disa mijëra punëtorë kanë humbur vendin e punës gjatë muajve të fundit, gjë që i ka shtyrë të pranojnë oferta për të punuar në të zezë.

Tabela

Paga minimale në vite

1 gusht 2005 11 800

1 korrik 2006 14 000

1 janar 2008 16 000

1 korrik 2008 17 000

1 maj 2009 18 000

Korrik 2009 19 000


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›