E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kreditë e këqija fluturojnë në 8.9 për qind

Kreditë e këqija të sistemit bankar shqiptar u rritën në 8.9 për qind të totalit të portofolit gjatë muajit maj, si pasojë e klasifikimit të një sasie të konsiderueshme kredish nga zëri i kredive të vonuara tek ai i kredive të dyshimta, por zëri i kredive të humbura nuk ndryshoi pothuajse fare. Lajmi bëhet i ditur nga statistikat mujore që publikohen nga shoqata e bankave. Në prill, kreditë e këqija qenë 8 për qind. Humbjet e bankave u reduktuan në rreth 3 milionë dollarë në fund të muajit maj, nga rreth 9 milionë dollarë që qenë në fund të prillit, kryesisht si pasojë e faktit se zëri i kredive të humbura u rrit me vetëm 1.1 për qind. Perspektiva duket e zymtë për fitimet e bankave, kryesisht për shkak se zëri i kredive të dyshimta vijon të rritet dhe një pjesë e këtyre kredive mund të bien te zëri i kredive të humbura gjatë muajve në vijim. Niveli i kredive të këqija aktualisht është më i larti në një dekadë. Problemi është pasojë e konkurrencës së fortë mes bankave që filloi pas vitit 2005 për të kapur klientë të rinj në kredimarrje apo për të blerë klientët ekzistues të njëra-tjetrës. Si pasojë e konkurrencës së fortë, kredia u rrit me mesatarisht 50 për qind nga viti në vit, gjë që solli procedura tepër liberale nga ana e bankave. Megjithatë, gjendja financiare e sistemit bankar shqiptar vijon të jetë i fortë. Humbjet e këtij viti janë shumë të pakta në krahasim me fitimet e konsiderueshme të realizuara gjatë viteve të shkuara. Duke parashikuar një situatë jo të kënaqshme, Banka e Shqipërisë ndaloi në janar bankat e nivelit të dytë të shpërndajnë divident për fitimet e realizuara gjatë vitit të kaluar. Kthimi nga investimi për sistemin bankar qe -0.9 për qind deri në fund të majit, ndërkohë që kthimi nga asetet qe -0.1 për qind. Të dy treguesit shfaqin përmirësim në krahasim me prillin, kur qenë respektivisht -3.5 për qind dhe -0.3 për qind. Humbjet e bankave kanë qenë më të zbutura gjatë muajve të fundit, kryesisht për shkak se zhvlerësimi i lekut kundrejt euros i jep më shumë përfitime sesa dëm këtij biznesi. Të ardhurat e saj kryesore janë nga interesat e kredive në euro, ndërsa shpenzimet kryesore janë në monedhën vendëse.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›