E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria fal sërish interesat e kredive shtetërore

Shumëkush tashmë e ka harruar atë histori. Bëhet fjalë për 19 miliardë lekë kredi që tri banka shtetërore lëshuan për klientë të ndryshëm bazuar në kritere tërësisht politike, përfshirë rekomandime nga deputetë apo nga ministra, në periudhën nga viti 1993 deri në fillim të vitit 1998. Tri bankat shtetërore shkuan drejt falimentit për shkak të këtyre kredive. Njëra prej tyre u mbyll në prill 1998. Humbjet e dy të tjerave u mbuluan me paratë e taksapaguesve gjatë viteve në vijim. Gjatë dekadës së fundit, një institucion i posaçëm, Agjencia e Trajtimit të Kredive, mori detyrën të rikuperojë kreditë e dhëna nga bankat shtetërore, por nuk eci fort mirë. Shumat e kredive të rikuperuara, shpesh nuk arritën të mbulonin as shpenzimet e agjencisë.

Vetëm pak ditë para zgjedhjeve, qeveria e drejtuar nga Kryeministri Sali Berisha, miratoi një ofertë tjetër bujare për të gjithë kredimarrësit që pasi morën paratë te bankat shtetërore, nuk morën mundimin për të shlyer pothuajse asnjë këst.

Uljet

Për kredimarrësit që kanë marrë deri në 3 milionë lekë kredi, qeveria vendos të falë 85 për qind të interesave, të kamatëvonesave dhe gjobave, nëse paraqiten për të shlyer detyrimin në periudhën maj- shtator 2009. Nëse paraqiten për të shlyer detyrimin deri në dhjetor të këtij viti, falen 80 për qind ndërsa nëse e shtyjnë për vitin e ardhshëm, falen 75 për qind. Për më tepër, sipas vendimit të qeverisë, kreditë e dhëna në valutë do të konvertohen me kursin e vitit 2000.

Qeveria fali 80 për qind të interesave e kamatëvonesave për kreditë e marra për zgjerim banese apo për blerje banese, masë nga e cila do të përfitojnë thjesht ata që në kohën e qeverisjes së parë të Partisë Demokratike, qenë në pushtet. Kjo kategori kredish, mes të tjerash ka përfituar edhe nga interesa të ulëta.

Por përfitimin më të madh nga bujaria e qeverisë me paratë e taksapaguesve, duket se do ta kenë trashëgimtarët e kredimarrësve të vdekur. Atyre do t‘u kërkohet të paguajnë vetëm principalin e kredisë, pra nuk do t‘u kërkohen interesa për paratë që kanë marrë para 12 apo 15 vjetësh.

Falje edhe për principalin

Kreditë e viteve ‘93-‘97, u dhanë të kolateralizuara me prona pa kurrfarë vlere. Kështu, shumë nga kredimarrësit, në vend që të shlyenin kredinë, i dhanë zyrës përmbarimore kolateralin. Por dorëzimi i kolateralit, nuk e heq detyrimin, në rast se vlera e tij është më e ulët sesa kredia. Qeveria ka vendosur që kjo kategori debitorësh, të paguajë vetëm 50 për qind të detyrimit të mbetur. Për më tepër, pas nxjerrjes në shitje të pronës së konfiskuar për shkak të detyrimit, ATK ka për detyrë t‘ia riofrojë për shitje kredimarrësit, sipas vendimit të fundit.

Për pagesë të menjëhershme dhe të plotë të detyrimit, qeveria fal të gjitha interesat dhe kamatëvonesat.

ATK duhej të mbyllej që vite më parë, pasi besohej se procesi i rikuperimit të vlerave të humbura nga kreditë e këqija, do të mbaronte shpejt. Tani ky institucion ka një dekadë jetë dhe po merret me kredi që duhej të qenë shlyer që prej shumë kohësh.

Taksapaguesit e humbur

Taksapaguesit janë ata që kanë humbur shumë herë nga eksperimenti i bankave nën pronësi shtetërore. Që nga viti 1998 deri në vitin 2001, ata u detyruan të paguajnë koston e plotë të kredive të humbura, prej 19 miliardë lekësh. Njëra prej bankave që u shëndosh me këto para, u shit në vitin 2000 përkundrejt shifrës simbolike të 1 dollari amerikan. Tani, taksapaguesit vijojnë të humbasin para në këtë histori edhe pas dhjetë vjetësh, për shkak se qeveria nuk ka bërë asgjë tjetër veç faljes së detyrimeve të kredimarrësve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›