E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bosnja shpreson për marrëveshje të re me FMN

Zyrtarët e Bosnjë dhe Hercegovinës shpresojnë se më në fund kanë arritur t‘i mbushin mendjen Fondit Monetar Ndërkombëtar të lëshojë këstin e parë të kredisë prej 1.2 miliardë eurosh, pasi qeveria e këtij vendi arriti të plotësojë pjesërisht kushtet e vendosura.

"Më në fund FMN është e kënaqur", qe titulli i parë i një gazete vendëse dje. Lajmi i mirë u dha nga Kryeministri i federatës boshnjako-kroate, Mustafa Mujezinovic në Parlamentin federativ.

"Sapo jam informuar se FMN vlerëson që i kemi plotësuar kushtet për marrëveshjen", tha ai para deputetëve, duke ndërprerë seancën parlamentare.

Marrëveshja erdhi pasi Mujezinoviç, i cili mori detyrën vetëm një javë më parë, u rezistoi kërkesave të veteranëve myslimanë të luftës dhe invalidëve, shoqata e të cilëve në të shkuarën ka qenë një nga lobingjet më të fuqishme politike. Më herët në qershor, qeveria federative qe përpjekur të merrte kredinë e FMN-së, e cila kushtëzohej nga shkurtime të forta të shpenzimeve buxhetore në të gjitha nivelet, përfshirë edhe pagesat për asistencë ekonomike. Marrëveshja solli protesta të fuqishme nga veteranët e luftës dhe sindikatat. FMN refuzoi të diskutojë mbi ndryshimin e kushteve. Veteranët e luftës do të marrin ndihma 10 për qind më të ulëta. Nëse lajmi i dhënë nga Mujezinoviç është i saktë, FMN pritet ta japë këstin e parë të kredisë brenda këtij muaji. Shumë ekspertë vendës dhe të huaj kanë paralajmëruar se Federata rrezikon të falimentojë nëse marrëveshja me FMN-në nuk zbatohet.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›