Bankat, fitime kolosale nga asetet dhe interesat për kredi
Bankat e nivelit të dytë që operojnë në Shqipëri kanë mbyllur tremujorin e parë të vitit 2010 me fitime kolosale. Të ardhur janë realizuar nga asetet e bankave dhe nga interesat e larta që aplikohen në tregun e kredisë. Në vendin e parë për nga fitimet e realizuara
është Raiffeisen ka arritur një fitim prej më shumë se 1.5 miliard lekësh, e cila ndiqet nga Banka Kombëtare Tregtare me 627 milion lekë. Në vështirësi financiare pasi janë konstatuar me humbje janë bankat Banka Emporiki dhe Banka Popullore.
Raporti
Bankat e kanë mbyllur tremujorin e parë të vitit 2010 me rezultate përgjithësisht pozitive. Të dhënat e publikuara nga Shoqata Shqiptare e Bankave tregojnë se shumica e bankave kanë ruajtur rezultat financiar fitimprurës, në tre muajt e parë të vitit. Nga 14 banka që kanë publikuar rezultatet, 10 prej tyre raportojnë bilanc me fitim. Në veçanti, bankat më të mëdha të sistemit kanë arritur përsëri fitime të kënaqshme. Raiffeisen ka arritur një fitim prej më shumë se 1.5 miliard lekësh, Banka Kombëtare Tregtare ka fituar në tre muaj 627 milionë lekë, ndërsa banka Intesa SanPaolo 446 milionë lekë. Vijon Tirana Bank me një fitim prej 330 milionë lekësh dhe Banka Credins, që bilancin e tre muajve të parë e ka mbyllur me një fitim prej 213 milionë lekësh. Edhe Alpha Bank vazhdon të shfaqë rezultat pozitiv, me një fitim prej afro 165 milionë lekësh. Nga ana tjetër, vazhdojnë të kenë rezultat financiar negativ Banka Emporiki dhe Banka Popullore. Banka e grupit Credit Agricole ka humbur rreth 144 milionë lekë në tre muaj, ndërsa Banka Popullore, pjesë e grupit tjetër francez Societe Generale, ka humbur 120 milionë lekë.
Fitimet
Fitimet neto të sistemit bankar shqiptar u rritën me 4.7 herë në krahasim me një vit më parë gjatë periudhës janar-mars, duke arritur në 1.6 miliardë lekë (11.5 milionë euro), bëhet e ditur nga bilanci i sistemit i publikuar dje nga Banka e Shqipërisë. Burime nga banka qendrore bëjnë të ditur se në vitin 2009, kur bankat vuajtën pasojat e krizës financiare ndërkombëtare, sistemi bankar pati siguruar vetëm 275 milionë lekë fitime neto, për shkak se shumica e fitimeve u kanalizuan për fondin e provigjoneve që garanton mbulimin e humbjeve të mundshme nga kreditë e këqija. Fitimet e sistemit bankar janë ende më të ulëta se ato të realizuara në vitin 2008, pra para fillimit të krizës. Statistikat tregojnë se sistemi bankar në Shqipëri duket se i ka kapërcyer problemet e krijuara nga kriza dhe se është në gjendje të prodhojë fitime pavarësisht kredive të këqija, të cilat vijuan të rriten edhe në tremujorin e parë. Të dhënat e BSH tregojnë se kreditë standarde, pra kreditë që shlyhen normalisht, ranë në 81 për qind të totalit gjatë tremujorit të parë të këtij viti, nga 89.5 për qind që patën qenë në mars 2009. Huat e klasifikuara si të humbura, u rritën në 3.2 për qind. Kreditë e humbura janë dyfishuar në krahasim me një vit më parë.
Norma e interesit
Vendimi shumë i përfolur i Bankës së Shqipërisë në lidhje me uljen e normës së interesit është vlerësuar si një nismë e duhur nga bankat e nivelit të dytë. Burime nga shoqta e bankave bëjnë të ditur se sistemi bankar në vendin tonë e mirëpret një vendim të tillë . Sipas të njëjtave burime mësohet se ky vendim krijon mundësinë për të mbledhur fonde si dhe i jep frymëmarrje procesit të kredidhënies. Banka e Shqipërisë , në sajë të vlerësimit që ka bërë, ka përcaktuar uljen e normës së interesit në këtë masë pasi janë një sërë treguesish makroekonomikë që e përcaktojnë atë dhe një ndër shkaqet kryesore është ruajtja e stabilitetit të çmimeve. Shqipëria nuk është prekur ende nga kriza ekonomike botërore duhet të tregohemi të kujdesshëm, pasi kjo lëvizje agresive mund të çojë në uljen e nivelit të depozitave. Banka e Shqipërisë ka ulur normën e interesit me 0,5% duke e çuar normën bazë të interesit të kredive në 5.75, si masë kjo për të nxitur ekonominë, pasi norma 6.25 % qëndroi e palëvizshme për gjithë 2008.
Bankat me fitim
1. Raiffeisen Bank 1.5 miliard lekë
2. Banka Kombëtare Tregtare 627 milionë lekë
3. Banka Intesa SanPaolo 446 milionë lekë
4. Tirana Bank 30 milionë lekë
5. Banka Credins 213 milionë lekë
6. Alpha Bank 165 milionë lekësh. Nga ana tjetër
Bankat me humbje
1. Banka Emporiki 144 milion lekë
2. Banka Popullore. 120 milionë lekë