Bankat fituan 151 milionë dollarë në 2011-n
Viti i shkuar ka qenë një periudhë me fitime të kënaqshme për bankat pavarësisht problemeve të hasura me kreditë e këqija. Të dhënat e ende të paudituara që publikon Shoqata e Bankave konfirmojnë një fitim të bankave prej rreth 15.1 miliardë lekë gjatë gjithë vitit të shkuar. Fitimi i bankave për vitin 2011, është më i lartë madje se edhe ai i katër viteve paraardhës, 2010, 2009, 2008 dhe 2007, periudha gjatë të cilave fitimet kanë variuar nga 10 deri në 12 miliardë lekë. Krahas kësaj, fitimi në fjalë është realizuar në një periudhë kur kreditë e këqija u rriten ndjeshëm, duke arritur në 18.8 për qind në fund të vitit. Bankat janë prej më shumë se një viti klientët kryesorë të gjykatave nga të cilat kërkojnë lëshimin e urdhrave të ekzekutimit për kolateralin. Nga data 1 deri në mes të muajit shkurt, numri i kërkesave për lëshim urdhri ekzekutimi në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë, ishte 309. Ky është numri më i madh i kërkesave të tilla të realizuara brenda një periudhe të shkurtër, çka pasqyron edhe problemin me kthimin e kredive. Sistemi bankar vendas përbëhet nga 16 banka, të cilat numërojnë më shumë se 6 400 punonjës në të gjithë vendin.
Tre mujori i fundit i vitit 2011 ka rezultuar me të ardhura më të mira në sistemin bankar krahasuar me tre mujorin e dytë apo atë të tretë. Gjatë periudhës tetor-dhjetor 2011, bankat deklarojnë se fituan rreth 4 miliardë lekë, në periudhën korrik-shtator fituan rreth 3.7 miliardë lekë, kurse në tre mujorin e dytë fitimi i deklaruar ishte rreth 2.9 miliardë lekë.
Pavarësisht fitimeve të realizuara gjatë vitit të shkuar por edhe rritjes së numrit të filialeve, bankat e mbyllën tre mujorin e fundit të vitit 2011 me më pak punonjës krahasuar me tre mujorin paraardhës. Të dhënat e publikuara nga Shoqata e Bankave për ecurinë e sistemit bankar gjatë vitit të shkuar, pasqyrojnë ulje të numrit të punonjësve nga sistemi bankar në tre muajt e fundit, por edhe rritje të numrit të filialeve. Duket se bankat nuk i janë kursyer investimeve në drejtim të hapjes së filialeve të reja, ndërsa i kanë ngarkuar më shumë punë punonjësve të tyre në detyrë.
Sipas të dhënave të ofruara, bankat numëronin rreth 6 400 punonjës në fund të vitit, ndërsa në fund të periudhës korrik-shtator, e cila përkon me tre mujorin e tretë, bankat numëronin rreth 6 580 punonjës. Sistemi bankar ndërkohë ka vijuar me zgjerimin e aktivitetit të tij duke hapur filiale të reja. Në fillim të vitit 2011 numëroheshin rreth 470 filiale. Shoqata e Bankave raporton se përgjatë gjithë vitit u hapën edhe 80 filiale të reja në të gjithë vendin.
Nëntë banka dolën me fitim, tre nuk deklarojnë treguesit
Fitimet e realizuara gjatë vitit të shkuar i përkasin sistemit bankar në tërësi, por jo të gjitha bankat kanë pasur ecuri pozitive gjatë 2011-ës. Tabela e publikuar nga Shoqata e Bankave, përmban të dhëna të detajuara mbi aktivitetin kreditues, depozitat si edhe fitimin e tyre gjatë vitit të shkuar. Nga 16 banka që ushtrojnë aktivitet, 13 prej tyre kanë pranuar të publikojnë treguesit financiar, kurse tre të tjerat janë mjaftuar vetëm duke deklaruar punonjësit dhe numrin e filialeve pa dhënë shifra mbi ecurinë e tyre përgjatë vitit 2011. Nga bankat që kanë pranuar të publikojnë të dhënat, katër prej tyre deklarojnë se e kanë mbyllur me humbje vitin e shkuar, kurse nëntë të tjera deklarohen me fitim. Banka e deklaruara me fitim ndërkohë mësohet se kanë realizuar të ardhura të kënaqshme në raport edhe me kapitalin e tyre por edhe situatën që kaloi sistemi bankar gjatë vitit të shkuar.
Bankat kanë deklaruar një total asetesh prej rreth 10.4 miliardë dollarë me një rritje prej rreth 700 milionë dollarë krahasuar me një vit më parë. Depozitat nga ana tjetër përllogariten në rreth 8.4 miliardë dollarë. Pjesa më e madhe e depozitave janë prej individëve, ndërkohë që bizneset janë të prirur për të marrë kredi.
Kreditë me probleme
Kreditë me probleme njohën një rritje të ndjeshme gjatë vitit 2011 duke kërcyer nga 14.5 për qind në fund të janarit në 18.8 për qind të dhjetor. Rritja gjatë muajve të pranverës dhe verës së vitit të shkuar ishte me ritme të larta, por treguesit duket se janë stabilizuar disi në fund të vitit. Mësohet se rritja e kredive me probleme nga nëntori dhe dhjetor 2011 ishte me vetëm 0.1 pikë përqindje. Kjo është një shenjë e mirë duke dhënë shpresa se ritmet e rritjes së kredisë me probleme do të stabilizohen edhe në muajt në vazhdim duke iu dhënë mundësi bankave që të lirojnë kushtet e kreditimit të ekonomisë.
E përkthyer në vlerë monetare, niveli i kredisë së keqe me 18.8 për qind i përkon një vlerë monetare prej rreth 106 miliardë lekë ose pak më shumë se 1 miliardë dollarë. Por nëse kanë probleme me mbledhjen e rreth 106 miliardë lekëve, bankat konsiderojnë të humbura rreth 31.4 miliardë lekë, para të cilat nuk kanë më shpresë për ti rikuperuar. Bankat i klasifikojnë kreditë në pesë nivele nga ato të shëndetshme e deri tek kreditë e humbura. Dy kategoritë e para janë kreditë e cilësuara si të mira, të cilat sjellin gjenerojnë të ardhura të kënaqshme për bankat. Problemi me kreditë fillon tek kategoria e tretë, kredia nën standard dhe më poshtë. Janë pikërisht këto kredi të cilat bankat i vlerësojnë si kredi me probleme.
Fitimi ndër vite
Fitimi i arritur në vitin e shkuar mund të konsiderohet ndër më të lartët gjatë pesë viteve të fundit edhe pse sistemi bankar u përball me rritje të kredive me probleme përgjatë 2011-s
2006 22.9 mld lekë
2007 10.45 mld lekë
2008 11.7 mld lekë
2009 9.7 mld lekë
2010 12.1 mld lekë
2011 15.1 mld lekë
