E Diel, 1 Nëntor 2026

“Bankat greke në Shqipëri nuk preken nga kriza”

22/09/2011  Kryeministri Berisha deklaron në intervistë për kanalin e njohur “CNBC Europë”

Kryeministri Sali Berisha në një intervistë për televizionin prestigjioz “CNBC Europë” u shpreh se kriza ekonomike nuk e ka prekur Shqipërinë. Sipas tij, është e vërtetë se kriza në Greqi dhe Europë nuk ka impakt pozitiv, por deri tani ajo nuk e ka prekur vendin tonë, pasi vendi ynë po e mbikëqyr me kujdes krizën. Lidhur me praninë e bankave greke në vendin tonë Berisha tha se ato nuk përbëjnë bankat kryesore në Shqipëri, pasi ka edhe banka të tjera. Ai u tregua optimist se bankat greke në Shqipëri nuk do të preken nga kriza, pasi performanca e tyre paraqitet e mirë. Kryeministri Berisha theksoi se "remitancat përbëjnë një burim kryesor në Shqipëri, por deri tani emigrantët shqiptarë vazhdojnë të investojnë me biznese të vogla në vendin e tyre dhe ekonomia jonë po rritet, ndërsa papunësia po ulet dhe ne jemi optimistë se do ta superojmë mirë këtë situatë". Lidhur me krizën që ka përfshirë Greqinë ai tha se nuk është vetëm problem i një vendi, por është një problem i Bashkimit Eropian, pasi është efekt-domino dhe duhet shmangur edhe në vendet e tjera europiane. Ndërkaq ai vlerësoi kontributin e Europës për Greqinë, duke e cilësuar si një rëndësi të veçantë mbajtjen e monedhës euro të qëndrueshme. Më parë kryeministri Berisha ishte i ftuar i nderit për të bërë mbylljen e sesionit ditor të bursës së mirënjohur amerikane NASDAQ në “Times Square”, Nju-Jork. Kryeministri u prit nga zëvendëspresidenti i NASDAQ David Wicks, i cili bëri më pas prezantimin e kryeministrit Berisha si personaliteti botëror që, sipas traditës së kësaj burse, do të bëjë mbylljen e sesionit ditor të saj. Duke marrë fjalën, kryeministri Berisha bëri edhe një prezantim të shkurtër të zhvillimit ekonomik të Shqipërisë dhe suksesit të modelit të saj ekonomik, që bëri që Shqipëria të mos njohë recesionin në krizën ekonomike globale. “Unë përfaqësoj një vend që 20 vjet më parë ishte përtej hapësirës planetare, ishte diku në hapësirën orwellian-e. Sot është një vend krejtësisht ndryshe falë lirive. Vendi im është i vogël, por modeli i tij ekonomik provoi se ishte një histori suksesi. Shqipëria ishte një prej pak vendeve që nuk e njohu recesionin në këtë krizë ekonomike të madhe. Sot lexova një raport për liritë ekonomike, ku thuhej se ekonomitë botërore më 2010-n patën një ngadalësim, por thuhej gjithashtu se kjo nuk është e vërtetë për Shqipërinë. Liritë ekonomike në Shqipëri u rritën me 50 për qind. Vendi im ka një ekonomi solide”, - tha Berisha. Kryeministri shtypi më pas butonin e ziles që sinjalizon mbylljen e sesionit ditor të NASDAQ dhe iu dorëzua trofeu që simbolikisht u jepet personaliteteve botërore që bëjnë mbylljen ditore të bursës.

David Wicks

“Ka shumë ndryshime të rëndësishme dhe pozitive në Shqipëri. Ju keni përmendur disa reforma pro biznesit dhe rregulluese si dhe disa reforma në sistemin e taksave, që po e ndihmojnë Shqipërinë të ecë përpara drejt së ardhmes. Është me të vërtetë kënaqësia ime që të mirëpres në NASDAQ Shkëlqesinë e Tij Kryeministrin Sali Berisha”, - u shpreh zëvendëspresidenti i NASDAQ David Wicks.

Rritja ekonomike

“Shqipëria vjen këtu pas një progresi thelbësor në liritë ekonomike. Shqipëria vjen si vetmi vend ku liritë ekonomike, ndonëse u zvogëluan ndjeshëm në botë, janë rritur me 16 për qind, vjen si një vend ku investimet e huaja nga viti 2006 në vitin 2010 janë rritur me 315 për qind, ndërkohë që në botë në tërësi janë ulur me 37 për qind”, - tha Berisha.

Takimi i Nju-Jorkut

Kryeministri Berisha mori pjesë në takimin e nivelit të lartë në Nju-Jork, i iniciuar nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Barak Obama dhe Presidentja e Brazilit Dilma Rouseff. Shqipëria është bërë pjesë e kësaj nisme, e cila përfshin aktualisht 46 vende, me fokus marrjen e angazhimeve konkrete për promovimin e transparencës e qeverisjes së hapur.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›