E Shtunë, 31 Tetor 2026

Invalidët: Transport dhe ndërtesa specifike

Ndërtesa të posaçme, transport dhe infrastrukturë të përshtatur për personat me aftësi të kufizuara. Këto janë kërkesat kryesore që kanë invalidët në vendin tonë. Dje, në një takim,
Fondacioni Shqiptar i Personave me Aftësi të Kufizuara ka diskutuar mbi nevojat që ka kjo shtresë dhe kërkesat e vazhdueshme për t‘u integruar në shoqëri.

Konkretisht, për të qenë më shumë të përfshirë me kontributin e tyre, për të pasur lehtësi në transport, si edhe për të qenë më të qetë për të qarkulluar në ambientet publike, personat me aftësi të kufizuara kanë më shumë nevojë për vëmendje.

Deri tani janë marrë një sërë iniciativash për të ndihmuar këtë kategori në nevojë, por ende asgjë konkrete nuk është realizuar. Invalidët sot në Shqipëri, mundohen të përshtaten për të qenë pjesë e shoqërisë në kushtet sikur të ishin persona pa aftësi të kufizuara. Domosdoshmëritë dhe nevojat e tyre të përditshme kanë qenë në qendër të takimit të organizuar dje.

Pjesëmarrësit e këtij diskutimi theksuan fort idenë se ka ardhur koha që të merren masa konkrete dhe reale në shërbim të nevojave të tyre. Qeveria ka ndërmarrë hapa pozitive në përqasjen e kuadrit ligjor shqiptar me legjislacionin ndërkombëtar. Por këto ndryshime, apo përpjekja për vendosjen e tyre në zbatim, ka mbetur e pamjaftueshme. "Realiteti ka treguar se këta persona vazhdojnë të jetojnë në të njëjtin mjedis, ku jetojnë personat normalë, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë jetën e tyre", thuhet në deklaratën zyrtare.

Sh. Me.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›