Bankat hezitojnë të kreditojnë koncesionet
Problemi i tokës dhe kuadri ligjor, shkaku kryesor. Prifti i jep kurajë për HEC-et
Rasti i fundit me projektin e Skavicës, i cili dështoi për shkak të mungesës së fondeve, ka vendosur në gjendje alarmi autoritetet shtetërore. Një pjesë e mirë e projekteve koncesionare, kryesisht në fushën energjetike nuk po gjejnë mbështetje nga bankat, duke rrezikuar bllokimin e investimit dhe krijimin e një zinxhiri të rrezikshëm falimenti. Për këtë arsye, ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, ftoi institucionet financiare që të shikonin me përparësi sektorin e koncesioneve në vend, sidomos atë energjetik te hidrocentralet. Gjatë takimit të zhvilluar dje, shumë drejtues bankash paraqitën te ministri shqetësimet e tyre dhe arsyet e ngurrimit për të kredituar. “Pasi analizuam me kujdes situatën, dy vjet më parë vendosëm që sektori i koncesioneve në HEC-e të mos jetë prioriteti ynë. Shkaku ishte mungesa e seriozitetit që paraqisnin investitorët. Megjithatë, pasi dëgjuam ministrin për garancitë që mund të japë, mendojmë të ndryshojmë strategji”, tha drejtori i një banke tregtare. Një tjetër shtoi se do të kërkojë kohë nisja e kreditimit në sektorin e hidrocentraleve. Sipas drejtuesve të bankave private, maksimumi i financimit që mund të bëhej është deri në 30 për qind të kapitalit. Arsyeja e hezitimit lidhet më së shumti me problemet e pronës dhe kuadri ligjor, i cili konsiderohet tepër burokratik. Përfaqësuesi i Agjencisë së Koncesioneve (ATRAKO), Shkëlqim Kërluku, pranoi disa nga problemet që shoqëron procesin, duke evidentuar faktin se vetëm për të nisur punimet nevojiten të paktën 17 leje dhe autorizime. Ftesa e ministrit Prifti ishte e drejtpërdrejtë: kreditoni sektorin, pasi ka leverdi.
"Kemi përfunduar draftin për ligjin për energjinë e rinovueshme, në këtë ligj do të fiksohet periudha e tarifës së subvencionuar dhe garantuar për 15 vjet, çka do të sjellë më shumë siguri për investitorët", u shpreh Prifti. Ministri pranoi se në fushën e energjisë ka ende disa probleme siç mund të jetë ai i pronave, por shtoi se, “frika për të mos u përfshirë në garë për kreditimin është e pajustifikueshme, pasi tashmë ekziston kuadri ligjor dhe garancitë për kreditim”.
Sa u takon bankave, problemi qëndron te mungesa e të dhënave në projekt, garancia e investitorit që nuk bind, apo qëndrueshmëria e objektit, i cili nis për një HEC dhe përfundon për dy-tre të tjera në të gjithë kaskadën. Por insistimi i qeverisë shkon më tej. “Nuk po ju kërkojmë të kreditoni projekte të mëdha. Ne e dimë që për ju nuk është problem financimi i HEC-ve të vogla deri në 10 mega. Prandaj ju ftojmë që ta mbështesni sektorin”, tha zv.ministri i Financave, Alfred Rushaj. Të dhënat e Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës tregojnë se janë planifikuar rreth 1,9 miliardë euro investime nga të cilat pritet prodhimi i 3 miliardë kilovat/orëve energji elektrike më tepër në vit. Gjithsej, nga 99 projekte të dhëna me koncesion 44 prej tyre janë zhvilluar në mënyrë pozitive. Aktualisht, në fushën e energjetikës, nga 263 hidrocentrale janë dhënë me koncesion 90 prej tyre, ndërsa 14 janë në proces.
#