E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bankat janë të rrezikshme, lopët jo

Francezët janë të njohur për besimin e pakët te bankat, por kriza e fundit financiare i ka shtyrë të gjejnë një zëvendësues për të "fshehur" paratë: lopët! Disa prej tyre i kanë vendosur sakaq paratë nën dyshek, por të tjerë i kanë hedhur në tregtinë e lopëve, raportonte dje gazeta amerikane "The New York Times". Fshatarët ofrojnë lopët si investim, ku blerësi nxjerr fitime në raport me produktivitetin ekonomik të lopës. Kjo është një skemë investimi qindravjeçare, por që po rigjallërohet sërish sot. Aktualisht ka rreth 37 mijë lopë në 880 ferma në të gjithë Francën që janë shitur me kontrata të tilla. Investitorët shpresojnë se lopët e tyre do të japin 4 deri në 5 për qind kthim nga investimi në vit, normë fitimi kjo shumë më joshëse sesa interesat e ofruara për depozita në Francë, vetëm 0.75 për qind.

"Njerëzit kanë kursyer para dhe dëshirojnë t‘i investojnë ato", thotë një blegtor që shet gjithashtu lopët e tij si mjet investimi. Zakonisht, investitorët blejnë 10 deri në 20 lopë qumështi për 1700 dollarë copa dhe vendosin t‘i shesin ato në pranverën e çdo viti apo t‘i mbajnë si "kapital" shtesë. Skema është bërë kaq popullore, sa besohet se miliona lopë do të shiten në këtë mënyrë si mjet investimi në të gjithë Evropën brenda këtij viti.

"Instrumentet financiare që njerëzit blejnë nëpër banka janë gjëra që nuk shihen, ndërkohë që lopët janë një investim konkret", thonë lopçinjtë e Francës. Disa fshatarë që kanë shitur lopët e tyre në këtë mënyrë, kanë ndër mend t‘i përdorin paratë për të zgjeruar aktivitetin në sektorin e turizmit bujqësor. Blerësit e lopëve do të kenë mundësi të kalojnë pushimet në shtëpi fshati dhe të shijojnë produktet e freskëta të fermës apo qumështin e lopës që posedojnë. Për më tepër, rritja e lopëve që janë nën pronësinë e të tjerëve, u sjell fermerëve përfitime nga taksa më të ulëta, si dhe kapital për të investuar në përmirësim teknologjik.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›