E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria shton 29 miliardë lekë borxhe në qershor

Qeveria shqiptare pritet të tërheqë nga tregu 29 miliardë lekë borxh përmes bonove të thesarit gjatë muajit qershor, pas tërheqjes së 33 miliardë lekëve në maj dhe 26 miliardë lekëve në prill, bëhet e ditur nga statistikat e Ministrisë së Financave. Borxhi gjatë qershorit pritet të merret në bono thesari 3-12 mujore, si dhe obligacione dy dhe pesëvjeçare. Në krahasim me qershorin 2008, huamarrja e brendshme u lehtësua pak, për shkak të financimit të deficitit të qeverisë përmes kredisë prej 250 milionë eurosh që u nënshkrua para pak ditësh.

Për gjashtëmujorin e parë të këtij viti, qeveria ka marrë apo ka planifikuar të marrë 171 miliardë lekë borxh në tregun e brendshëm në lekë. Në total, për këtë vit, vlerësuesit e pavarur të cilësisë së borxhit publik shqiptar, JCR, vlerëson se borxhet e qeverisë do të rriten me gjysmë miliardi euro, rritja më e madhe e regjistruar në shumë vite. Qeveria ka rritur huamarrjen, si pasojë e vështirësive të mëdha në të ardhura. Si pasojë e rritjes së kërkesës për hua, interesat e borxhit janë rritur ndjeshëm. Gjatë tremujorit të parë të këtij viti, qeveria u detyrua të shpenzojë 1.5 miliardë lekë, ose 11 milionë euro më shumë për shërbimin e borxhit publik. Interesat e bonove të thesarit janë rritur me 1 për qind për të gjitha maturimet në krahasim me një vit më parë. Interesat e borxhit të jashtëm u rritën me 6.72 herë në rastin e kredisë së fundit të miratuar të hënën në Parlament.

Para borxh për paga e pensione

Për herë të parë në katër vite, Shqipëria këtë vit ka hyrë në borxhe për të shlyer shpenzimet korrente të qeverisë, pra paratë që shkojnë për paga, pensione apo shpenzime administrative. Shpenzimet korrente të qeverisë ishin 58 miliardë lekë gjatë tre muajve të parë të këtij viti, ndërkohë që të ardhurat nga tatimet dhe taksat, ishin vetëm 48.3 miliardë lekë. Në tremujorin e dytë vlerësohet që situata është përkeqësuar edhe më shumë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›