E Shtunë, 31 Tetor 2026

Euro kërcen në 132 lekë

Monedha shqiptare vijoi të humbasë terren kundrejt euros gjatë ditëve të fundit, duke dëshmuar vijimin e tendencës negative të vërejtur që nga fillimi i vitit. Monedha e përbashkët evropiane euro, u këmbye për 132.07 lekë dje, sipas kursit fiks të publikuar nga Banka e Shqipërisë, 0.48 për qind më shtrenjtë se të premten e kaluar. Që nga fillimi i majit, leku ka humbur 0.81 për qind. Në krahasim me janarin, euro kushton sot 6.9 për qind më shtrenjtë. Ekspertët vlerësojnë se situata e vështirë makroekonomike dhe shpenzimet e bollshme paraelektorale të qeverisë, janë faktorët që kanë rënduar mbi lekun. Situata nuk pritet të përmirësohet as në muajt në vijim. Herën e fundit që euro ishte kaq e shtrenjtë në Shqipëri, ka qenë 25 shkurti i vitit 2004. Dollari ra në 96.78 lekë dje, duke reflektuar dobësimin e fortë të monedhës amerikane në tregun ndërkombëtar. Euro këmbehet me 1.36 dollarë aktualisht. Dobësimi i konsiderueshëm i dollarit në tregun botëror u dedikohet vështirësive të bankave amerikane për të rritur kapital dhe perspektivës së papunësisë së lartë në ekonominë më të rëndësishme të botës. Ecuria e dollarit ka pasoja pothuajse neutrale në ekonominë shqiptare, për shkak se mallrat që importohen në dollarë, si nafta, lëvizin në drejtim të kundërt me dollarin. Nafta kushtoi 60 dollarë për fuçi gjatë ditëve të fundit, duke reflektuar dobësimin e dollarit. Rënia e vlerës së lekut ka filluar të konvertohet në rritje çmimesh në tregun e brendshëm. Pasojat e plota pritet të rëndojnë xhepat e shqiptarëve gjatë muajve në vijim


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›