Bankat kontroll përdorimit të kredisë, klienti ndiqet deri në fund
Oficerët e kredive do të ndërmjetësojnë për blerjen e shërbimit apo mallit
Ervin KOÇI
Kohës kur mund të merrje një kredi në bankë dhe të bëje çfarë të doje me ato para, duket se i ka ardhur fundi. Bankat private në vend po e interpretojnë në një mënyrë krejtësisht origjinale rregulloren e re “Për sigurimin e kredive”, duke mos i lënë më hapësira klientëve që të abuzojnë me paratë e marra prej tyre. Tashmë nëse një individ apo subjekt merr një kredi në bankë, ndër të tjera ai duhet të specifikojë saktë edhe mënyrën se si do të përdorë paratë. Por nuk mbaron me kaq. Klienti jo vetëm që duhet të sqarojë bankën për arsyen përse i nevojiten paratë, por pas kësaj banka bëhet edhe ndërmjetëse midis tij (klientit) dhe subjektit ku ai kërkon të blejë mallin ose shërbimin. Nëpërmjet oficerëve të kredisë, bankat kanë nisur që të kontrollojnë çdo klient të ri duke bërë ndërmjetësin për çdo moment. Në çdo rast, në blerje shtëpie, në investime, në përdorimin e parave në biznes, apo dhe në blerjen e makinave apo marrjen e huasë për pushime, oficeri i bankës duhet ta ndjekë klientin hap pas hapi. Kjo me qëllim që klienti të mos e ndryshojë destinacionin ose qëllimin fillestar të kërkesës së bërë për marrjen e kredisë. Edhe pse mund të duket si një politikë diktuese apo “diktati” nga ana e bankës ndaj klientit, ekspertët e sektorit bankat e kanë shpjeguar këtë me frikën që kanë bankat se mos klienti i keqpërdor paratë e kredisë, duke u kthyer më pas në një tjetër klient problematik. Në lidhje me kreditë me probleme, numri i këtyre të fundit u rrit mjaftë në fundin e vitit 2009.
Kreditë me probleme
Kriza ekonomike botërore që mbërtheu edhe Shqipërinë gjatë vitit 2009, solli rritje me ritme marramendëse të kredive të këqija. Kreditë nënstandarde, të dyshimta apo të humbura, u shtuan me 3.1 miliardë lekë (rreth 23 milionë euro) gjatë muajit nëntor në krahasim me tetorin, bëhet e ditur nga statistikat e raportuara prej Shoqatës së Bankave. Totali i kredive me probleme në raport me portofolin e kredive, u ul nga 10.09 për qind në 10.07 për qind, për shkak të rritjes së konsiderueshme të kredive të reja të dhëna gjatë këtij muaji. Në nëntor 2009, totali i kredive të këqija ishte 46.7 miliardë lekë. Këtu përfshihen kreditë në ndjekje, kreditë e dyshimta dhe kreditë e humbura. Këto nuk janë para të humbura për bankat, pasi në raste të tilla vihet në shitje kolaterali, gjë që u mundëson bankave rikuperimin e shumës së kredituar. Por kjo statistikë dëshmon gjendjen e vështirë financiare të bizneseve dhe individëve. Sistemi bankar shqiptar është veçanërisht i ekspozuar nga sektori i ndërtimit, i cili është përgjegjës për një pjesë të konsiderueshme të kredive. Ky sektor gjatë vitit të fundit ka qenë më i godituri prej krizës, për shkak të rritjes së pasigurisë ekonomike mes shqiptarëve me të ardhura të mesme dhe bizneseve.
Kreditë e humbura
Kreditë e klasifikuara si “të humbura” u rritën me rreth 3 milionë euro gjatë muajit nëntor, ndërsa totali i tyre arriti në 96 milionë euro. Në nëntor 2008, kreditë e konsideruara të humbura qenë vetëm 40 milionë euro. Lajmi i mirë për bankat është se gjatë këtij muaji nuk pësoi rritje treguesi i kredive të vonuara lehtë. Në këtë grup përfshihen kredimarrësit që sapo kanë filluar të shfaqin probleme. Kriza ekonomike i ka shtyrë bankat të ofrojnë për klientët e vet riskedulim të kredive duke pranuar pezullimin e përkohshëm të shlyerjes së principalit. Në këto raste, klientëve u kërkohen të shlyejnë për disa muaj vetëm interesat mujore, deri sa gjendja e tyre financiare t’ia lejojë rifillimin e shlyerjes së kredisë në tërësi.
Kredia për biznesin
Kredia është kthyer në një barrë të rëndë për biznesin privat, aq sa mjafton të mos paguhen dy këste dhe situata precipiton drejt rrezikut të falimentit. Shumë biznese, të përfaqësuara nga shoqata të ndryshme, ankohen për këstet e larta dhe për mungesë transparence. Jo vetëm kaq, por problem madhor në ditët e fundit janë bërë komisionet e larta dhe kamatëvonesat, duke i vënë në vështirësi bizneset. Duke qenë se shqetësimi është i përgjithshëm, shoqatat e bizneseve dhe Dhoma e Tregtisë së Tiranës planifikojnë të nisin diskutimet me bankat për të rinegociuar kontratat. Të parët që e nisën këtë bashkëpunim ishin ndërtuesit, por pa rezultat. Deri në fund të muajit nëntor 2009, bankat kanë akorduar rreth 283 miliardë lekë ose 2.1 miliardë euro kredi për biznesin privat. Shifra e publikuar nga Shoqata e Bankave të Shqipërisë jep edhe të tjera të dhëna, si ajo e situatës me kredinë e pashlyer, e cila po prek majat negative. Prej dy vitesh, si bankat ashtu dhe biznese kanë pasur një raport jo shumë pozitiv. Edhe pse ushqejnë njëra-tjetrën me fitime falë interesit të përbashkët, të dyja palët nuk ndajnë të njëjtën pikëpamje sa u takon vështirësive në treg. Bankat thonë se biznesi është mësuar të marrë kredi pa shumë vështirësi, por tashmë kohët kanë ndryshuar, si rezultat i krizës. Kurse biznesi e akuzon për përfitime të padrejta në kurriz të mungesës së transparencës.
15 Janar 2010