E Diel, 1 Nëntor 2026

Regjistrimi mbi baza fetare, Godo: “Do të nxisë rivalitetin mes komuniteteve fetare

Eljona Ballhysa
Ministri i Shtetit, Genc Pollo, njoftoi dje vendimin e marrë për nisjen më 2011-n të procesit të regjistrimit të popullsisë shqiptare mbi bazën fetare dhe etnike. Ky vendim u mor dje nga Komisioni Qendror për Regjistrimin e Popullsisë dhe të Banesave, që përbëhet nga 12 ministra, si dhe specialistë të fushës. Detyra e këtij komisioni është të drejtojë regjistrimin e përgjithshëm të popullsisë dhe të banesave që do të nisë vitin e ardhshëm. Por risia është marrja e vendimit për regjistrimin e popullsisë mbi baza etnike dhe fetare, që është kundërshtuar nga ndërkombëtarët dhe shikohet me skepticizëm nga politikanët e historianët. Një ndër politikanët më të vjetër të skenës politike në Shqipëri, Sabri Godo, e shikon të panevojshëm një vendim të tillë. Madje Godo shprehet se një vendim i tillë cenon lirinë e besimit që është e garantuar me Kushtetutë dhe e cilëson si ndërhyrje të shtetit në jetën private të çdo njeriu. Politikani shton se ky vendim mund të ngjallë rivalitet dhe xhelozi mes komuniteteve fetare në Shqipëri, ndërkohë që toleranca fetare është një prej aspekteve më pozitive që ka shoqëria shqiptare. Megjithatë, Komisioni vendosi dje që në formularë të vendosen pyetje të tilla si: cilit besim fetar i përkisni dhe çfarë etnie keni? Por kjo pritet të nxisë një debat jo vetëm politik, për shkak se shumë banorë të qyteteve të Jugut të vendit, për të përfituar pensionin grek, kanë ndryshuar fenë dhe etninë duke u vetëquajtur minoritarë. Ndaj dhe shifrat që do të përftohen nga ky regjistrim pritet të mos jenë reale duke rritur artificialisht numrin e minoritarëve në Shqipëri.
Kundërshtimi
Politikani dhe historiani Sabri Godo e cilëson të panevojshëm regjistrimin e përkatësisë fetare dhe etnike të popullsisë shqiptare. Në një prononcim për gazetën “Albania” ai është shprehur se kjo nuk i shërben vendit në të ardhmen. “Unë nuk e shikoj të nevojshëm një vendim të tillë. Unë e shikoj si një ndërhyrje në jetën private të njeriut. Liria e besimit në Shqipëri është e garantuar me ligj. Madje që në kohën e komunizmit kanë rënë barrierat fetare, pasi janë ndërthurur me njëri-tjetrin. Njerëz të feve të ndryshme janë martuar me njëri-tjetrin dhe nuk e di se cilës fe do t’i përkasin fëmijët e këtyre prindërve. Unë mendoj se kjo është një statistikë që nuk na jep të dhëna që të na ndihmojnë për të ardhmen. Kjo nuk i shërben së ardhmes. Një vendim i tillë mund të ngjallë një farë rivaliteti mes komuniteteve fetare. Përmban një element negativ, që nxit rivalitetin fetar”,- është shprehur Godo.
Regjistrimi i popullsisë mbi baza fetare dhe etnike është një premtim i dhënë rreth një vit më parë nga kryeministri Berisha. Në një seancë parlamentare, kryeministri Berisha, duke iu përgjigjur interesimit të kreut të PBDNJ-së Vangjel Dule për këtë çështje, u zotua se do të kryente regjistrimin e popullsisë mbi baza gjuhësore, etnike dhe fetare, pavarësisht rekomandimeve të kundërta të ndërkombëtarëve. “Me gjithë ekzistencën e disa rekomandimeve nga ndërkombëtarët që të mos bëhet, unë jam në regjistrimin e këtij vendi, që do të bëhet nga kjo qeveri. Çdo qytetar do ketë të drejtë të shënojë gjuhën, përkatësinë etnike, besimin fetar”, - deklaroi kryeministri rreth një vit më parë. Por politikani Sabri Godo e sheh këtë projekt si shumë të rrezikshëm, që do të çonte në rritje artificiale të shtetasve me kombësi greke në vendin tonë. Sipas Godos, pas kësaj Greqia do të kishte edhe pretendimin për territore shqiptare. “Si i bëhet me familjet e regjistruara me kombësi greke? Janë me qindra familje në Korçë, Gjirokastër, Delvinë e Sarandë që marrin pensione greke. Nuk jam kundër pensionit, por kundër dokumentit që kanë nënshkruar, i cili i detyron të ndryshojnë kombësinë. Këtu duhet të vërë dorë shteti shqiptar. Do të kemi më tepër njerëz me kombësi greke nga ç’kemi realisht, dy ose tri herë më tepër. Kjo i jep të drejtë palës greke të thotë që ky është territori im sepse është i banuar në shumicën e vet nga qytetarë që kanë kombësi greke. Rrjedhimisht kërcënon, drejtpërdrejt, tërësinë tokësore të shtetit shqiptar”, - është shprehur Godo.
Vendimi
Ndërkaq, ministri i Shtetit, Pollo, ndërsa ka njoftuar se regjistrimi i përgjithshëm i popullsisë dhe i banesave do të nisë vitin e ardhshëm, ka bërë të ditur gjithashtu se ky aktivitet i shërben mirëqeverisjes, jep një panoramë të plotë të zhvillimeve sociale dhe ekonomike në vend dhe do të shërbejë për një bazë të mirë për të ndërtuar politika të drejta. Ky proces do të kryhet nga INSTAT-i dhe me një mbështetje të madhe ekspertësh nga BE-ja dhe agjenci të tjera ndërkombëtare. Ky proces do të kushtojë 15 milionë euro, ku qeveria shqiptare mbulon rreth 5 milionë, IPA 8 milionë, UNFPA 1 milion euro dhe financime të tjera të UNDP dhe statistikat suedeze. Ky regjistrim, nga pikëpamja teknike, do të sjellë si risi hedhjen e të dhënave nëpërmjet sistemit të skanimit, i cili konsiderohet si një nga teknikat me moderne për regjistrimet e të dhënave.

Atlasi që ngjalli debatet për statistikat e minoriteteve

Në vitin 2003 u botua një atlas nga disa profesorë, përfshirë edhe drejtues të Akademisë së Shkencave, për popullsinë e Shqipërisë, ku minoritetet dhe pakicat në vendin tonë përllogariteshin në 10 për qind. Ky botim, i financuar nga Gjermania në kuadër të bashkëpunimit mes Universitetit të Tiranës dhe atij të Potsdamit, shkaktoi debate të mëdha në të gjitha qarqet akademike. Por, polemikat u shtrinë edhe më tej, në nivele politike dhe qarqe të tjera intelektuale dhe mediatike. Botimi i përgatitur nga profesori i departamentit të Gjeografisë, Dhimitër Doko dhe prof. Argjile Bërxolli, përmendte shifra të tilla që pakicat etnike në vendin tonë i kalonin kufirin e 10 përqindëshit. Në atlas, jo vetëm që kapërcehej shifra zyrtare prag, e cila u referohet si 2 - 3% të gjitha minoriteteve etnike në vend, por arrinte deri aty sa të quante minoritete etnike disa grupime kulturore si arumunët, romët etj., të cilët nuk janë përfshirë asnjëherë në identitete etnike të përcaktuara qartë deri kohët e fundit. Ky atlas, i cili nuk iu referohej të dhënave të sakta të nxjerra nga autoritetet kompetente, shkaktoi reagime edhe për faktin se përfshinte edhe punonjës së Akademisë së Shkencave. Por, botimi u kundërshtua ashpër nga përfaqësuesit e Fakultetit të Histori-Filologjisë në UT dhe nga disa prej drejtuesve kryesorë të Akademisë së Shkencave. Ata hodhën poshtë statistikat e ofruara për minoritetet dhe pakicat, si dhe disa aspekte të tjera teknike të studimit të përgatitur nga Dhimitër Doka dhe Arqile Berxolli, shefi i Qendrës së Studimeve Gjeografike të Akademisë së Shkencave. Në këtë debat u përfshinë edhe Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Arsimit, ASH dhe shumë institucione të tjera. Pas kundërshtive të mëdha u bë ekspertiza e atlasit gjeografik të popullsisë së Shqipërisë dhe u nxor jashtë qarkullimit.

15 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›