Prifti: “Nuk kemi blerë energji nga Kosova, vetëm kemi depozituar”
Deklaratat e ministrit Prifti u bënë gjatë takimit me homologen e tij kosovare
Ervin KOÇI
Gjatë dy muajve të fundit nuk është importuar energji nga Kosova, por përkundrazi, është eksportuar me intensitet të plotë. Këtë deklaratë e ka bërë dje ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, gjatë takimit dhe konferencës që zhvilloi së bashku me homologen e tij kosovare, Justina Pula Shiroka. Sipas tij, Kosova pranoi energjinë tonë në këto momente, për të na e rikthyer në verë, kur të ketë thatësira. “Kosova na dha ne një ndihmë shumë të madhe duke ndalur prodhimin e energjisë nga termocentralet e saj në fund të muajit dhjetor për të importuar energjinë nga Shqipëria, çka lehtësoi situatën e vështirë të krijuar në kaskadën e Drinit”, - ka deklaruar ministri Prifti. Këtë e ka pohuar dhe ministrja e Ekonomisë dhe Minierave të Kosovës, Justina Pula, e cila tha se, “KEK e ndali prodhimin e energjisë në disa njësi të termocentraleve vetëm për të ndihmuar në këtë situatë të vështirë Shqipërinë”. Takimi u fokusua vetëm mbi situatën e krijuar në Shqipëri nga përmbytjet, ku ministrja kosovare i ka shprehur ministrit Prifti solidaritetin e qeverisë dhe të popullit kosovar. Sipas kreut të METE-s, Prifti, situata hidrike në vend është në kushte optimale dhe prodhimi në HEC-e vazhdon me kapacitet të plotë.
Mbyllen shkarkimet
Pas dy javë shkarkimesh, METE dhe KESH morën vendim që të mbyllin portat shkarkimit të hidrocentraleve në Fierzë dhe në Koman. Lajmin e bënë dje publik zëvendësministri i Energjetikës, Leonard Beqiraj bashkë me kreun e KESH-it, Muharrem Stojku, të cilët u shprehën se shkarkimet do të vijojnë vetëm në Hidrocentralin e Vaut të Dejës, me 200 metra kub në sekondë. "Që prej orës 12:00 janë ndalur të gjitha shkarkimet e ujit në tunelin numër katër të Hidrocentralit të Fierzës, si dhe nga tunelet e Hidrocentralit të Komanit. Në momentin që flasim nuk ka shkarkime nga HEC-et, veç atij në Vaun e Dejës; kjo pasi prurjet kanë rënë dhe niveli i ujit mund të përpunohet nga turbinat”, - ka deklaruar zëvendësministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Leonard Beqiri. Shkak i mbylljes së portës është fakti se Fierza arriti në kuotën e 290 metrave, nivel ky i konsideruar si i sigurisë. Prurjet aktuale në HEC-in e Fierzës renditen në 400-450 metra kub ujë në sekondë.
Hapja e detyrueshme e portave në Fierzë ishte fatale për banorët e Shkodrës, pasi sipas ekspertëve, 50 për qind e përmbytjeve kanë ardhur pikërisht nga derdhja e portave të këtij hidrocentrali.
Situata në HEC-e
Hidrocentralet vazhdojnë të jenë në punë me kapacitet të plotë, duke shfrytëzuar kështu të gjitha prurjet. E përmirësuar situata hidrike paraqitet në Koman dhe në Vaun e Dejës, ku niveli i ujit ka arritur respektivisht në 170.8 metra dhe 74.6 metra. Dje në mëngjes niveli i ujit në liqenin e Fierzës ishte 290.03 metra, duke pësuar një rënie me 9 cm që nga mbrëmja e një dite më parë. Kuota maksimale e lejuar në këtë hidrocentral është 296 metra. Prurjet dje në Fierzë u llogaritën në 400 metra kub ujë në sekondë dhe derdhjet 550 metra kub ujë në sekondë. Niveli i ujit në Koman ishte 170.4 metra nga 175 metra që është kapaciteti maksimal. Prurjet në Koman u llogariten dje në 200 metra kub ujë në sekondë dhe derdhjet 860 metra kub ujë. Në Vaun e Dejës niveli ishte 74.3 metër dhe prurjet 100 metër kub ujë në sekondë. Derdhjet në Vaun e Dejës dje ishin në nivelin 810 metra kub ujë në sekondë.
Ekspertët italianë inspektojnë argjinaturat e lumenjve në zonat e përmbytura
Një grup ekspertësh të Mbrojtjes Civile Italiane inspektuan dy ditët e fundit argjinaturat përgjatë lumenjve Drin, Bunë dhe Kir. Ekspertët italianë, të shoqëruar dhe nga ekspertë shqiptarë, inspektuan argjinaturat në Reç, Gur i Zi, Vau i Dejës, Dobraç, Ças dhe Ana e Malit. Inspektimi i ekspertëve italianë kryhet me qëllim shqyrtimin e mundësive të ndërhyrjes për përforcimin e argjinaturave përgjatë lumenjve në zonën e Shkodrës. Sipas tyre, digat e hidrocentraleve në vend janë të sigurta, por lumenjtë që shërbejnë edhe si kolektorë shkarkues, janë dëmtuar gjatë viteve dhe kanë nevojë për ndërhyrje. Mbjellja e brezave pyjorë anës tyre, thellimi i shtretërve dhe pastrimi nga prurjet, si dhe ngritja e argjinaturave të reja dhe riparimi i atyre ekzistente, ishin disa nga sugjerimet e ekspertëve italianë të Mbrojtjes Civile, sipas të cilëve ka nevojë për investim.
15 Janar 2010