Familjarët e “Gërdecit”, Prokurorisë: “Na ktheni përgjigje, ose në gjykatë”
Banorët e zonës ku ndodhi tragjedia ripërsëritin kërkesën për Akuzën
Thimi SAMARXHIU
TIRANË - “Nëse institucioni i Prokurorisë nuk siguron kthimin e një përgjigjeje shumë shpejt, një përballje gjyqësore ndërmjet palës së dëmtuar dhe organit të akuzës do të jetë e pashmangshme”. Ky ka qenë reagimi i djeshëm i familjarëve të viktimave të Gërdecit, të cilët me një kërkesë dërguar Prokurorisë së Përgjithshme, kërkojnë nga ana e saj kthimin e një përgjigjeje zyrtare lidhur me kërkesën e tyre për ndjekjen penale ndaj Fatmir Mediut.
Shoqata e Familjarëve të Viktimave të Gërdecit, me anë të një deklarate për shtyp, shprehet se tashmë kanë kaluar 3 muaj që nga depozitimi i kërkesës së tyre dhe ende nuk kanë marrë asnjë përgjigje lidhur me fatin e saj. Ky reagim i familjarëve vjen vetëm një ditë përpara se Gjykata e Lartë të marrë në shqyrtim padinë e depozituar nga ana e Roxhers Durdës, i cili e akuzon Fatmir Mediun për veprën penale të “plagosjes”, kërkesë që pritet të merret në shqyrtim ditën e sotme nga ana e Kolegjit
Penal të Gjykatës së Lartë.
Deklarata
Në deklaratën e familjarëve të viktimave të Gërdecit thuhet se që në muajin tetor i janë drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme me kërkesën për procedim të Fatmir Mediut. Me anë të kësaj kërkese ata kërkuan që Prokuroria të kryente veprimet e duhura për procedimin e fajtorit të shpërthimit. Gjithashtu, kanë kërkuar që Prokuroria e Përgjithshme të kërkojë autorizimin për procedim në mënyrë që Kuvendi të votonte për heqjen e imunitetit, çka do të bënte më pas të mundur vënien para Drejtësisë të Fatmir Mediut. Më tej thuhet se gjatë ditëve në vazhdim Prokurorisë i kanë bërë dhe kërkesë për informacion mbi kërkesën e mësipërme, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje. Duke marrë në konsideratë që afati zyrtar për detyrimin që jep ligji për t’iu përgjigjur kërkesave zyrtare ka kaluar, i kërkojnë Prokurorisë të t’u përgjigjet nëse është dhënë autorizimi për veprimet e sipërpërmendura. “Nuk e kuptojmë zvarritjen dhe heshtjen e këtij institucioni për këtë ngjarje kaq të rëndë. Është në nderin e këtij institucioni që të ndërmarrë veprime që do të vinin përpara Drejtësisë çdo person, me apo pa imunitet, pasi ky është dhe funksioni kushtetues i këtij organi”, – thuhet në deklaratë. Duke qenë se afati ligjor i kthimit të një përgjigjeje zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme ka kaluar, familjarët po përgatisin hapat përkatës për ta kërkuar këtë të drejtë përmes sistemit gjyqësor. “Nëse institucioni i Prokurorisë nuk siguron kthimin e një përgjigjeje shumë shpejt, një përballje gjyqësore ndërmjet palës së dëmtuar dhe organit të akuzës do të jetë e pashmangshme”, - mbyllet deklarata e familjarëve të viktimave të Gërdecit.
Predha dhe lule për kryeprokuroren
Rreth një muaj pas depozitimit të kërkesës, Zamira Durda, nëna e njërit prej viktimave të shpërthimit në Gërdec, i është drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme me një tufë lule dhe me një copë predhe të mbetur nga shpërthimi. Lulet dhe predhat, të mbështjella, sipas Zamira Durdës, simbolizonin djalin e saj 6-vjeçar të vdekur dhe shpërthimin tragjik të ndodhur në fshatin Gërdec, në ish-repartin e tankeve e transformuar në punishte demontimi municioni. Pas katër orë qëndrimi në shkallët e Prokurorisë, familjarët e disa viktimave të tragjedisë u pritën nga drejtori i Hetimit, Sokol Stojani, i njohur edhe si kryesuesi i kësaj çështjeje. Kërkesa e Durdës për takim me kryeprokuroren Rama nuk u realizua, pasi Rama kishte axhendën e ngjeshur e nuk mund të merrte takim, edhe pse është parë të hynte e dilte shpesh nga godina e institucionit që drejton. Prokurori Stojani i siguroi në atë kohë familjarët se po punohej mbi kallëzimin, e për këtë punë do t'iu përgjigjej me shkrim. "Kanë nisur veprimet hetimore për kallëzimin tuaj, por na kuptoni se duhet kohë, në mënyrë që edhe ne të bëjmë më të mirën që kemi mundësi sipas ligjit", - mësohet të ketë thënë prokurori Stojani më 10 nëntor 2009. Edhe pse vetë kryeprokurorja Ina Rama ka lëshuar një urdhër të brendshëm për t'u kthyer përgjigje palëve për çdo kallëzim brenda 20 ditësh, në këtë rast ky afat ka kaluar dhe ende nuk dihet se ç'ka ndodhur me këtë denoncim. Nëna e 6-vjeçarit të vrarë përsëriti disa herë se kërkon të dëgjojë drejtësinë për të birin nëpërmjet institucioneve shtetërore. "Kësaj radhe erdha me predhë të shpërthyer në dorë, por po të jetë nevoja do të shkoj nëpër institucione me predha të paplasura për të kërkuar drejtësi për djalin tim që nuk jeton më", - përfundoi me lot në sy Zamira Durda.
MOTIVET
Pushimi i çështjes ndaj Mediut
Shkak i revoltimit të familjarëve të 26 viktimave të tragjedisë së Gërdecit është bërë vendimi i Gjykatës së Lartë, e cila vendosi pushimin e çështjes në ngarkim të Fatmir Mediut, pasi ai kishte rifituar imunitetin. Vendimi i datës 15 shtator i revoltoi familjarët e viktimave të Gërdecit, të cilët nisën “sulmin” ndaj Mediut, për ta rikthyer atë edhe një herë në bankën e të akuzuarve, si përgjegjësi kryesor për shpërthimin e 15 marsit 2008 në Gërdec, që u mori jetën 26 personave dhe plagosi qindra të tjerë.
Gjatë asaj seance, avokatët e Mediut kërkuan nga Gjykata e Lartë pezullimin e çështjes, duke paraqitur si provë mandatin e deputetit të fituar në zgjedhjet e 28 qershorit, i fituar edhe me vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të datës 1 gusht. Ky mandat i siguron Mediut imunitetin, dhe sipas avokatëve, në bazë të Nenit 73/2 të Kushtetutës së Shqipërisë dhe të neneve 290/e dhe 387/1 të Kodit të Procedurës Penale, çështja duhet të pushohet, pasi nuk mund të vazhdojë procedimi penal ndaj një personi me imunitet. Ndërkohë që nga ana e tyre, grupi i prokurorëve, i drejtuar nga Sokol Stojani, u shpreh se kërkesa e avokatëve për pezullim është e pabazuar në ligj, pasi mandatin e deputetit e ka fituar pas datës 28 qershor, ndërkohë vepra për të cilën akuzohet Fatmir Mediu është kryer para kësaj date dhe për këtë vepër Kuvendi i ka hequr njëherë imunitetin. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, pasi dëgjoi mbrojtësit e të pandehurit Fatmir Mediu që pretenduan faktin e zgjedhjes deputet të të mbrojturit prej tyre, fakt që sipas tyre kushtëzon vazhdimin e ndjekjes penale dhe përfaqësuesit e organit të akuzës që kërkuan vazhdimin e gjykimit, vërejtën se: në bazë të Vendimit Nr. 602, të datës 1 gusht 2009 të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, rezulton se i pandehuri Fatmir Mediu është zgjedhur deputet i Legjislaturës së 18-të të Kuvendit të Shqipërisë. Kjo rrethanë nuk lejon vazhdimin e procedimit penal në ngarkim të tij për aq sa nuk ka një autorizim për ndjekje penale të dhënë nga Kuvendi i Shqipërisë pas marrjes prej tij të mandatit të deputetit. “Për këto arsye, mbështetur në Nenin 73/2 të Kushtetutës së Shqipërisë dhe në nenet 290/e dhe 387/1 të Kodit të Procedurës Penale, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, vendosi: Pushimin e procedimit penal në ngarkim të të pandehurit Fatmir Mediu për shkak se ndjekja penale ndaj tij nuk mund të vazhdojë", - thuhej në vendimin e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.
Procesi për 29 të pandehurit e tjerë
Në kohën që Prokuroria e Përgjithshme ende nuk ka marrë asnjë vendim për kërkesën e familjarëve për procedimin e Mediut, Gjykata e Tiranës është duke zhvilluar procesin në ngarkim të pjesës tjetër të të pandehurve, të akuzuar për shpërthimin në punishten e Gërdecit. Procesi në ngarkim të 29 të pandehurve tashmë gjendet në fazën e marrjes së dëshmitarëve, ku në sallë janë thirrur një numër i madh ish-punonjësish të fabrikës. Ajo që ka rënë në sy gjatë dëshmive të tyre ka qenë fakti se në fabrikën e Gërdecit mungonin aparaturat për fikjen e zjarrit, si dhe nuk kishte rregullore të sigurimit teknik. Por fakti më i rëndësishëm ka qenë arsyeja e shpërthimit. Shumë dëshmitarë kanë deklaruar përpara gjykatës se shpërthimi ka ardhur nga një karrocë e saposalduar, e cila ka ndezur dhe barutin. Me këto deklarime hidhet poshtë versioni i të pandehurve, por edhe i Fatmir Mediut, sipas të cilëve shpërthimi ka ardhur nga bomba me sahat të vendosura nga persona të panjohur.
15 Janar 2010