"Bankat, larg fenomenit të pastrimit të parave"
Pas publikimit të raportit të Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe Luftës ndaj Terrorizmit, kanë reaguar dje bankat e nivelit të dytë, nëpërmjet shoqatës së tyre. Në deklaratën për shtyp, Shoqata e Bankave të Shqipërisë hedh poshtë pretendimin se, sistemi bankar është i përfshirë në pastrimin e parave dhe se raporti i paraqitur ditët e fundit në Kuvend, "thjesht është keqkuptuar". Nëpërmjet sekretarit të shoqatës, Elvin Meka, Shoqata e Bankave pretendon se, sistemi i tyre ka kontribuar mjaft në luftën kundër fenomenit të pastrimit të parave, sikundër janë dhe shifrat e paraqitura në raportin vjetor të vitit 2007, të Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave (DPPPP). "Në raport përmendet vetëm fakti që numri i Raportimeve të Aktiviteteve të Dyshimta (RAD), gjatë vitit 2007 arriti në 748 raste. Ky fakt dëshmon qartë për një punë tepër eficiente dhe intensive të bankave, në bashkëpunim me DPPPP, në kuadër të luftës kundër fenomenit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit në Shqipëri", tha dje Meka. Sipas tij, ky raport nuk përmend asnjë rast të vetëm, ku një ose disa banka mund të jenë përfshirë në ndonjë transaksion pastrimi parash, apo që ndonjë bankë të jetë paditur për një diçka të tillë. "Në këto kushte, nuk ekziston asnjë bazë për komente të tilla të papërgjegjshme e të pavërteta, që i etiketojnë bankat si "lavatriçe për pastrimin e parave", thuhet në deklaratë.