Kuvendi miraton me shpejtësi ligjin e legalizimeve
Kuvendi ka miratuar me 71 pro dhe 15 kundër ligjin për legalizimet. Një ligj i cili zvarritej prej disa javësh për votim nga Kuvendi, pasi nuk kishte kuorumin e duhur dhe pikërisht në seancën e djeshme, megjithëse nuk ishte në rendin e ditës, është futur për votim nga Kryetarja Topalli, e cila pasi është siguruar për numrin e nevojshëm të votave u ka kërkuar deputetëve që ta votojnë. Në sallë, pas një mungese të gjatë, ka qenë i pranishëm edhe Kryeministri Berisha, i cili ka marrë pjesë vetëm në votimin e këtij projektligji dhe u ka dhënë një përgjigje të shkurtër deputetëve të opozitës në lidhje me mungesat e tij të vazhdueshme në sallën e Kuvendit. Unë, tha Berisha, nuk jam në sallë, sepse jam te zgjedhësit, të cilët ju i keni harruar, kush të dojë mund të vijë me mua për t‘i takuar ata. Kaq ka deklaruar Kryeministri dhe është larguar me shpejtësi nga Kuvendi, ndërkohë që Kryetarja Topalli ka përfituar nga rasti dhe ka deklaruar se seanca përfundoi duke u kujtuar deputetëve takimin në seancën e ardhshme. Por opozita, e vënë para një amullie, duke mos kuptuar se ç‘po ndodhte, ka kërkuar të diskutojë për ligjin e legalizimeve. Përpjekje e cila ka rezultuar e dështuar, pasi ndërkohë që deputetët e PS-së flisnin nga salla, Kryetarja Topalli duke ndjekur pas Kryeministrin ishte larguar nga vendi i saj. Ligji i legalizimeve vjen për herë të dytë në Kuvend, pasi herën e parë mori vetëm 52 vota dhe Presidenti Topi nuk pranoi ta dekretonte duke dhënë nëntë arsye pse ishte kundër. Më pas ai u kthye për ridiskutim në komisione, por sipas opozitës, nuk iu bë asnjë lloj ndryshimi duke mos i marrë parasysh as sugjerimet e tyre dhe as ato të Presidentit Topi. Tashmë ky ligj i miratuar me shpejtësi dje nga Kuvendi hyn në fuqi brenda dy javëve pa firmën e Presidentit të Republikës.