E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kredia me probleme, 10% e totalit

Bankat kanë filluar të ndjejnë dhe efektet e para negative të rritjes së madhe të kreditimit në tre vitet e fundit, të paralajmëruar kohë më parë nga ekspertët. Banka e Shqipërisë raportoi se kredia me probleme është dyfishuar në më pak se një vit. Sipas të dhënave më të fundit zyrtare të Autoritetit Qendror Monetar, kreditë e dyshimta arritën në 31.3 miliardë lekë në muajin mars të këtij viti, kundrejt 15.9 miliardë lekëve që ishin në prill të vitit të kaluar. Vetëm gjatë tre muajve të parë të këtij viti, kreditë me probleme u rritën me gati 8.1 miliardë lekë, ose e thënë ndryshe 100 milionë dollarë. Kreditë e dyshimta përbëjnë aktualisht më shumë se 10 për qind të totalit të kredisë në vendin tonë. Disa ekspertë kanë paralajmëruar se kreditë e këqija në vend do të rriten edhe më gjatë viteve në vazhdim, ndaj jo më kot Fondi Monetar Ndërkombëtar kërkoi nga qeveria të hartonte me urgjencë ligjin e ri për ekzekutimin e garancive bankare.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›