E Diel, 1 Nëntor 2026

Bankat mbyllin sportele, por shtojnë të punësuarit

Bankat në Shqipëri kanë ulur numrin e degëve dhe agjencive bankare, por kanë shtuar në të njëjtën kohë numrin e të punësuarve gjatë tremujorit të parë të këtij viti, pavarësisht krizës financiare dhe vështirësive ekonomike, bëhet e ditur nga të dhënat e Shoqatës Shqiptare të Bankave. Në fund të marsit, në Shqipëri kishte 511 sportele bankare, ose 6 sportele më pak sesa në dhjetor. Njëzet zyra bankare u mbyllën, por 14 të reja u hapën gjatë kësaj periudhe. Disa nga bankat vijuan të jenë po aq agresive në zgjerimin e rrjetit të degëve, ndërsa pak banka mbyllën zyrat që kanë rezultuar jorentabël në të shkuarën.

Në mars, sistemi bankar regjistronte 6560 të punësuar. Rreth 230 vetë kanë gjetur punë pranë bankave gjatë tre muajve të parë. Rritja e numrit të të punësuarve, dëshmon se sistemi bankar nuk është përpjekur seriozisht të tkurrë shpenzimet operative pavarësisht dyfishimit të kredive me probleme. Gjatë tre muajve të parë të këtij viti, bankat realizuan 18 milionë euro fitime, shifër e ngjashme me tremujorin e parë të vitit 2008.

"Kriza financiare globale është reflektuar pjesërisht edhe në sistemin financiar shqiptar, kryesisht në tremujorin e fundit të vitit 2008. Pasiguria e publikut u manifestua në rrjedhjen e një pjese të depozitave nga sistemi bankar, ku rrjedhja e depozitave në valutë rezultoi më e lartë se e depozitave në lekë. Rrjedhimisht, treguesi i parasë jashtë bankave për monedhën vendase shënoi rritje të shpejtë, duke kontribuar dukshëm në zgjerimin e agregatëve monetarë", - njoftoi dje Banka e Shqipërisë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›