Eksperti gjerman: Kriza, dobësimi i lekut i bën shqiptarët më të varfër
Ekspertët e huaj paralajmërojnë për thellim të efekteve të krizës globale në ekonominë tonë. Sipas Alfred Dodle, drejtori i fondacionit publik gjerman "Fridrik Ebert", qytetarët shqiptarë rrezikojnë të përballen me rritje të çmimeve në treg, si pasojë kjo edhe e zhvlerësimit të monedhës kombëtare. Qëndrimet e ekspertit u mësuan gjatë forumit "Kriza ekonomike botërore dhe efektet e saj mbi ekonominë dhe jetën sociale në Shqipëri", zhvilluar nga Instituti i Sociologjisë, me mbështetjen e fondacionit publik gjerman "Friedrich Ebert Stiftung". "Kriza i ka shtrirë efektet e saj në Shqipëri, por vendi juaj nuk preket ende nga kriza, pasi është ende jo konkurrues në tregun evropian. Por investitorët e huaj do të tërhiqen nga Shqipëria, pasi ndihen të pasigurt. Efektet do të shtrihen edhe në remitancat, pasi emigrantët do të sjellin më pak para pranë familjeve të tyre. efektet e krizës do të reflektohen në zhvlerësimin e lekut, inflacioni pritet që të rritet, ndërkohë që problem do të jetë edhe punësimi i të rinjve"- u shpreh drejtori i fondacionit "Fridrik Ebert" Alfred Dodle. Gjatë një diskutimi lidhur me krizën ekonomike dhe ndikimin e saj në ekonomi dhe jetën sociale, ekspertët kanë theksuar se efektet e recensionit botëror po ndihen në shumë sektorë, disa prej të cilëve janë bazë për zhvillimin e vendit. Në mbyllje të forumit, Instituti i Sociologjisë zgjodhi strukturat e reja drejtuese, ku do të votohet për Bordin Akademik dhe kryetarin.