E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komunat, në garë për të fituar fonde

Fillon seleksionimi i projekteve që do të përfitojnë nga programi "Furnizimi me ujë i zonave rurale". Fondi Shqiptar i Zhvillimit organizoi dje një takim me përfaqësues nga 31 komuna të qarqeve Shkodër, Kukës dhe Dibër për programin "Furnizimi me ujë i zonave rurale", financuar nga KfW. Ky program i qeverisë shqiptare synon realizimin e rreth 40-50 ujësjellësve ruralë në veri të Shqipërisë, me një vlerë totale prej 9.75 milionë euro. Ndërtimi i këtyre ujësjellësve do të ndikojë drejtpërsëdrejti në rritjen e cilësisë së jetesës e higjienës të rreth 40.000-50.000 banorëve të këtyre 3 qarqeve.

Për këtë program është ngritur një njësi e menaxhimit të projekteve të ujësjellësve me qëllim administrimin e projekteve të kësaj natyre në mënyrë më efektive. Risia e këtij programi, e cila shkon në linjë me strategjinë dhe metodologjinë e punës së FSHZH-së, është investimi në masat shoqëruese për menaxhim dhe funksionimin e ujësjellësve pas përfundimit të tyre. Pas investimit në infrastrukturën që lidhet me shërbimet publike, objekti kalon automatikisht në varësi të qeverisjes qendrore, duke mos marrë parasysh aftësitë reale të njësisë vendore për menaxhim dhe mirëmbajtje. Fondi Shqiptar i Zhvillimit është një agjenci ekzekutive e qeverisë shqiptare, e cila kryen aktivitetin e saj me synim nxitjen dhe mbështetjen e pushtetit lokal drejt një zhvillimi të qëndrueshëm që prej vitit 1993. Fondet e siguruara dhe të menaxhuara nga FSHZH në programe zhvillimi gjatë tri viteve të fundit arrijnë një vlerë prej 140 milionë dollarësh.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›