E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eksporte dritash në prag të zgjedhjeve

Në vitin 2005, u tha se Shqipëria kishte prurje të jashtëzakonshme shirash, gjë që garantonte furnizim të rregullt me energji elektrike dhe e lejonte Korporatën Elektroenergjetike të eksportonte. Në atë vit, 870 milionë kWh u eksportuan, shifër kjo që përbënte rreth 16 për qind të prodhimit total të vendit. Por në shtatorin e atij viti, me gjithë situatën "jashtëzakonisht të mirë" të prurjeve të ujit në hidrocentrale, vendi kaloi katër muaj krizë, kohë gjatë së cilës palët politike ia hodhën fajin njëra-tjetrës. Qeveria e sotme akuzoi të mëparshmen se në mënyrë të papërgjegjshme kishte eksportuar drita gjatë pjesës së parë të vitit, duke i lënë basenet e hidrocentraleve bosh për qeverinë pasardhëse.

Katër vite më pas, Shqipëria gjendet në një situatë të ngjashme. Sërish zgjedhje në mes të verës dhe sërish KESH deklaron "situatë shumë të mirë hidrike", furnizim të Shqipërisë me prodhim vendas dhe eksport dritash. Dje, nëndrejtori i KESH-it, Muharrem Stojku, deklaroi se vendi do të vijojë të eksportojë energji elektrike gjatë gjithë verës.

"Eksporti i energjisë do të kryhet gjatë muajve qershor, korrik dhe gusht, sidomos në kohën e pikut, kur edhe çmimet e energjisë janë më të larta". Stojku theksoi gjithashtu se "KESH po eksporton gjatë muajit maj 124 milionë KWh energji elektrike për dy shoqëri zvicerane dhe një serbe".

Sipas tij, eksporti i energjisë elektrike po kryhet falë përmirësimit të ndjeshëm të situatës hidrike në vend për shkak të reshjeve të bollshme të rëna gjatë vitit 2008 dhe fillimit të 2009-ës.

"Gjatë ditës së sotme, liqeni i Fierzës është në nivelin 298.38 metra dhe prurjet 230 m3/sek, ndërsa prodhimi ditor i energjisë për gjithë vendin është 16 milionë KWh në ditë", nënvizoi nëndrejtori i KESH-it. Sipas të dhënave nga KESH, nga eksporti i energjisë i kryer që nga 1 janari i këtij viti deri në fund të prillit në Greqi dhe Kosovë, fitimi nga shitja e energjisë elektrike ishte 12 milionë euro.

Transparenca e KESH është pakësuar dukshëm gjatë vitit të fundit. Informacionet në faqen e saj ueb kanë kohë që nuk përditësohen, ndërsa korporata ka shumë vite që nuk i publikon më bilancet vjetore. Sot për sot nuk mund të thuhet se ndalimi i importeve dhe vijimi i eksporteve të dritave gjatë këtij viti do të pasohet siç ka ndodhur gjithmonë me krizë pas zgjedhjeve. Por simptomat janë të njëjta. Për më tepër, KESH nuk jep shpjegime përse ka vendosur të eksportojë përmes kompanive serbe e zvicerano-serbe, ndërkohë që mund të eksportojë në Greqi, ku ekziston një bursë transparence energjie elektrike dhe ku çmimet janë më të lartat në të gjithë rajonin.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›